MAJ 2008

 

1/5 E Enjte VI K.P. [II]
Shën Jozefi Punëtor
Vap 18,1-8; Ps 97; Gjn 16,16-20
Trishtimi juaj do të kthehet në gëzim Gjn 16,20

Ky premtim i Jezusit ka të bëjë me trishtimin që do të kenë dishepujt me vdekjen e tij. Gëzimi nga ringjallja e tij do të mbetet gjithmonë në jetën e tyre. Kur vuajmë për shkak të dashurisë dhe të besnikërisë sonë ndaj Jezusit, jemi të sigurt që do të na vijë shumë gëzim, atë gëzim që kryqet, as të vogla as të mëdha, s'mund të na e rrëmbejnë!

2/5 E Premte VI K. P. [II]
Sh. Athanazi, ipeshkëv dhe mësues (†373)
Vap 18,9-18; Ps 46; Gjn 16,20-23
Mos u tremb, por fol e mos hesht Vap 18,9

Është vetë Jezusi, i shfaqur Shën Palit, që e nxit të qëndrojë në Korint për t'i shpallur ungjillin Judenjve dhe paganëve! Shpesh shumë fakte dhe indiferenca e madhe do të bënin të mundur shkurajimin e njerëzve që kanë shpirt misionar dhe dëshirojnë t'u japin vëllezërve gëzimin e fesë! Vazhdo të flasësh, thotë Jezusi! Fjala e ungjillit duhet të jetë si shiu që duhet të vazhdojë të zbresë për të hyrë në tokë dhe për ta bërë atë më të frytshme!


3/5 E Shtunë SHËN FILIPI DHE JAKOBI Apostuj [P]
1Kor 15,1-8; Ps 18; Gjn 14,6-14
Askush nuk shkon tek Ati, pos nëpër mua Gjn 14,6

Jezusi sapo ka thënë: "Unë jam rruga", e tani po mundohet t'u shpjegojë dishepujve të tij të habitur shëmbëlltyrën e përdorur. Njeriu do të arrijë tek Hyji, por arrin gjithmonë tek një Hyj i ndërtuar nga mendja e tij, pra i pakënaqshëm, zhgënjyës, i paekzistueshëm. Vetëm me Jezusin arrijmë tek ai Hyj që na do, arrijmë të njohim Atin!

4/5 E Diel VII K. P. TË NGJITURIT E JEZUSIT NË QIELL Viti A
Vap 1,1-11; Ps 46; Ef 1,17-23; Mt 28,16-20
Më është dhënë çdo pushtet në qiell dhe në tokë Mt 28,18

Misteri i Të Ngjiturit na bën të shohim Jezusin mbi të gjitha realitetet e krijuara nga Hyji. Ai ka marrë me të vërtetë çdo pushtet, dmth plotësinë e dashurisë që ka forcën për të ndryshuar gjithçka! Është dashuria që mund të ndryshojë gjithçka në një vegël bashkimi! Jezusi ka pushtet për të bashkuar qiellin e tokën, që Hyji-dashuri të banojë mbi tokë dhe njeriu të jetë i shenjtëruar e i ngjashëm me Hyjin, për të dashur bashkë me të!


5/5 E Hënë VII K. P. [III]
Vap 19,1-8; Ps 67; Gjn 16,29-33
Unë nuk jam vetëm, sepse me mua është Ati Gjn 16,32

Ndonjëherë, edhe në mes të një turme ndihem i braktisur nga të gjithë, i lënë mënjanë, i përjashtuar nga bisedat. Sa e bukur është të përsërisesh këtë fjalë të Jezusit! O ti që vuan nga vetmia, i moshuar, i ri ose i rritur, ja shërimi yt!


6/5 E Martë VII K. P. [III]
Vap 20,17-27; Ps 67; Gjn 17,1-11
Emrin tënd ua zbulova njerëzve Gjn 17,6

Kjo është "puna" që ti Jezus ke kryer mbi tokë. Nuk ishin të mjaftueshme fjalët për të na bërë të njohur emrin e Atit: ti ke jetuar si bir, i braktisur nga të gjithë dhe i bindur në gjithçka në dashurinë e Hyjit Atë! Më shumë me jetë se sa me fjalë na ke treguar vëmendjen atërore të Hyjit!
Faleminderit, o Jezus!


7/5 E Mërkurë VII K. P. [III]
Vap 20,28-38; Ps 67; Gjn 17,11-19
Fjala jote është e vërteta Gjn 17,17

Jezus, po i lutesh Atit për dishepujt e tu. Ai ka folur nëpërmjet teje, dhe fjala e tij, e themeluar mbi dashurinë dhe e mbushur me dashuri, është e vërteta! Sot ka nga ata që nuk i vënë qëllim vetes për të kërkuar të vërtetën: ata do të jenë gjithmonë nën pushtet të ndjenjave të veta, të çrregullimeve të gjendjes shpirtërore, dhe do të ngelen të zhgënjyer dhe të mashtruar. E vërteta ekziston dhe është një e vetme: është ajo dashuri që shprehet nëpërmjet Fjalës sate!


8/5 E Enjte VII K. P. [III]
Vap 22,30; 23,6-11; Ps 15; Gjn 17,20-26
Që bota të dijë se ti më ke dërguar Gjn 17,23

Lutja jote, o Jezus, vazhdon të shprehë dashurinë tënde. Bota, dmth personat që të injorojnë apo të refuzojnë, do të ketë jetë e gëzim për të jetuar kur të fillojë të të marrë seriozisht! Si mund të ndodhë? Nuk ekzistojnë argumente bindëse. E vetmja forcë e aftë të veprojë në zemrat e njerëzve të dyshimtë e mosbesues është bashkimi i dishepujve!


9/5 E Premte VII K. P. [III]
Vap 25,13-21; Ps 102; Gjn 21,15-19
Ti e di se të dua Gjn 21,17

Jezus, ti ke pyetur Simonin, të thirrur Pjetër. E ke pyetur për tri herë nëse të do, nëse të do më shumë se të tjerët, nëse të do me të vërtetë! Ky është provimi që ti i bën atyre që duan të qëndrojnë me ty, para se t'ia besosh ndonjë detyrë në Kishën! Nuk është e rëndësishme të kuptojnë të gjitha fjalët e tua, por të të duan, dhe të të duan gjithmonë. Atij që të do mund t'i besosh!

10/5 E Shtunë VII K. P. [III]
Vap 28,16-20.30-31; Ps 10; Gjn 21,20-25
Zotëri, e çka do të ndodhë me këtë? Gjn 21,21

Pjetri do të dijë se si Jezusi e do dishepullin tjetër dhe bën një pyetje që është më shumë kuriozitet se sa besimi në Zotërinë. Përgjigja që merr është paksa e rëndë. Nuk duhet të interesohemi për të tjerët pa marrë detyrën nga vetë Zoteria. Mund të lindin në ne ndjenja zilie ose xhelozie.
I bindemi Jezusit për t'i dashur të gjithë, por pa kuriozitet!


11/5 E Diel RRËSHAJËT - ZBRITJA E SHPIRTIT SHENJT MBI APOSTUJT
Vap 2,1-11; Ps 103; 1Kor 12,3b-7.12-13; Gjn 20,19-23
Sikurse më dërgoi mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju Gjn 20,21

Sot jetojmë misterin e Kishës që merr derdhjen e Shpirtit të Hyjit. Edhe ne jemi pjesëmarrës! Kemi qenë të mbushur dhe të veshur nga Shpirti Shenjtë që të mund të përmbushim misionin e Jezusit në botë: të dhurohemi, edhe me sakrificën e vetes sonë, për shpëtimin e të gjithëve! Jemi dërguar që të njihet Ati, ashtu si Jezusi e bëri të njohur: duke falur, shërbyer, duke dashur dhe vdekur!

12/5 E Hënë VI K. Gj. V. [II]
Sh. Nereu dhe Akileu, martirë († Shek. III); Sh. Pankraci, martir († Shek. III)
Jak 1,1-11; Ps 118; Mk 8,11-13
Jini të përkryer dhe të përsosur pa farë të mete Jak 1,4

Apostulli Jakob e fillon letrën e tij duke na nxitur për gëzimin, edhe pse shumë prova e bëjnë të vuajë besimtarin. Por forca e besimit sjell durim, dhe kush është i duruar bëhet i përsosur, nuk i mungon më asgjë! Durimi: fryt besimi, dashurie, kundrimi! A je i duruar? Atëherë ke më shumë gëzim se sa ai që ka gjithçka të dojë!


13/5 E Martë VI K. Gj. V. [II]
Sh. Maria Virgjër e Fatima-s
Jak 1,12-18; Ps 93; Mk 8,14-21
Mbasi t'i qëndrojë provës, do të fitojë kurorën e jetës Jak 1,12

Ky premtim është për njeriun që do të fitojë mbi tundimin! Tundimi merr shumë forma, që të na e shfaqë Hyjin si një rival, dhe kështu të largojë zemrën tonë nga ai. Por çdo tundim është edhe një rast për të dhënë provë besimi dhe bindjeje për dashurinë ndaj Hyjit! Si mund të shqyrtoj nëse një mendim ose një ndjenjë e imja është një tundim? Vështroj nëse kjo ndjenjë apo mendim më bën t'i bindem ose të mos i bindem Fjalës së Hyjit! Me bindje do t'i kaloj të gjitha provat!


14/5 E Mërkurë SHËN MATIA APOSTULL [P]
Vap 1,15-17.20-26; Ps 112; Gjn 15,9-17
Duajeni njëri tjetrin Gjn 15,17

Ky është ai urdhërim që Jezusi e përcakton si "të ri"! Është urdhërimi, zbatimi i të cilit na bën të njihemi si miq të Jezusit, si Kisha e tij! Të duash njëri-tjetrin nuk do të thotë vetëm të duash të tjerët. Kur dua të tjerët mund të ndihem pak më lart se ata, dhe mund të lindë krenaria në mua!
I bindem urdhërit të ri kur pranoj që të tjerët më duan mua, pranoj shërbimin e tyre (dhe ndonjëherë ndoshta nuk më pëlqen mënyra e tyre...), i pranoj propozimet e tyre, ndoshta me pak vështirësi!


15/5 E Enjte VI K. Gj. V. [II]
Jak 2,1-9; Ps 33; Mk 8,27-33
Po ju kush thoni se jam? Mk 8,29

Vetëm Pjetri guxon të përgjigjet. Përgjigja e tij është e vërtetë: Jezusi është Krishti! Por Zoti do që të gjithë të heshtin, që askush të mos flasë hapur. Kështu ai kishte bërë të heshtnin djajtë që e shfaqnin. Dishepujt mendojnë që Krishti duhet të jetë i lavdëruar nga njerëzit, dhe ëndërrojnë miratime dhe ndere. Por Jezusi është ai Krisht që i jep lavdi Hyjit duke jetuar dashurinë më të madhe deri në fund!


16/5 E Premte VI K. Gj. V. [II]
Jak 2,14-24.26; Ps 111; Mk 8,34-9,1
Ai që do ta shpëtojë jetën e vet do ta humbasë Mk 8,35

Askush nuk do të donte ta humbë jetën! Por, Jezusi na thotë, kush do të shpëtojë vetë, kush nuk do t'i dhurohet atij, humbet bukurinë e jetës, humbet bashkimin me Hyjin dhe pra pasurinë më të madhe. Kush nuk ka turp për Zotin, aq sa ta lërë veten ta përqeshin dhe përçmojnë, do të rritet në lirinë e brendshme dhe në gëzim!


17/5 E Shtunë VI K. Gj. V. [II]
Jak 3,1-10; Ps 11; Mk 9,2-13
Gjuhën asnjë njeri nuk mund ta mbizotërojë Jak 3,8

Shën Jakobi do të na ndihmojë të njohim veten si mëkatarë. Edhe nëse nuk kemi bërë krime të mëdha, duhet të pranojmë se nuk arritëm ta zbusim gjuhën. Gjuha, edhe pse e vogël, mund të bëjë dëme të mëdha, si një shkrepëse mund të ndezë një pyll të madh. Duhet t'i kërkoj Shpirtit Shenjtë hirin që të di të zotëroj veten, dhe të përdor gjuhën vetëm për të lavdëruar Zotin dhe për të ngushëlluar vëllezërit!


18/5 E Diel TRINIA E SHENJTË VITI A
Sh. Gjoni I, papë dhe martir; Sh. Leonard Murialdo (†1900)
Dal 34,4-6.8-9; Ps: Dan 3,52-56; 2Kor13,11-13; Gjn 3,16-18
Hyji e dërgoi Birin në botë... që bota të shpëtojë Gjn 3,17

Sot kundrojmë Hyjin tonë që është Dashuri. Jeta e tij është bashkim; me një vullnet të vetëm, Ati, Biri, Shpirti Shenjtë na dhanë jetën. Për këtë ne e falënderojmë! Me flinë e Birit, Ati na ka shpëtuar nga mëkati, dhe Shpirti na ka riveshur me hirin!
Trinia e Shenjtë, ki mëshirë për ne dhe shpëtona!


19/5 E Hënë VII K. Gj. V. [III]
Jak 3,13-18; Ps 18; Mk 9,14-29
Urtia që vjen prej së larti është... plot mëshirë Jak 3,17

Kur më bëjnë ndonjë padrejtësi më vjen të mendoj dhe të bindem që, edhe pse kam të drejtë, mund të jem i fortë, madje i dhunshëm. Sot Shën Jakobi më thotë që urtia është ndryshe nga inteligjenca. Urtia është dhuratë e Hyjit, është e mëshirëshme, paqësore, e butë, e përkulshme!
Ki mëshirë për mua, Zoti Jezus!


20/5 E Martë VII K. Gj. V. [III]
Sh. Lidia († Shek. I); Sh. Bernardini i Sienës, meshtar († 1444)
Jak 4,1-10; Ps 54; Mk 9,30-37
Përuluni para Hyjit dhe Ai do t'ju lartësojë Jak 4,10

Sa mëkate në jetën time! Sa sjellje që Hyji Atë nuk mund t'i miratojë! Dhe unë as që mund t'i shikoj e t'i njoh të gjitha pabindshmëritë ndaj dashurisë së Hyjit! Ki mëshirë për mua, Zoti Jezus, dhe më shpëto!


21/5 E Mërkurë VII K. Gj. V. [III]
Sh. Kristofori Magallanes, meshtar, dhe Shokët, martirë († 1927)
Jak 4,13-17; Ps 48; Mk 9,38-40
Po çka është jeta juaj? Jak 4,14

Shpesh programoj gjithë ditën dhe gjithë javën: por për ndonjë të papritur të vogël duhet të ndryshoj vendimet e mia. Shpesh të papriturat janë të provanuese! Këtë gjë e kuptoj vetëm më vonë. Ndërkohë jam i mërzitur, i tensionuar, i ankuar me ndonjërin dhe me vetë Zotin!
Sa të vështirë e ka Zoti për të drejtuar jetën time drejt të mirës sime të vërtetë!!


22/5 E Enjte VII K. Gj. V. [III]
Sh. Rita nga Kasha, rregulltare († 1457)
Jak 5,1-6; Ps 48; Mk 9,41-50
Kini kripë në vetvete e jetoni në paqe njëri me tjetrin Mk 9,50

Këtë të thënë Jezusi e shqipton mbas mësimit që të eliminojmë dorën, këmbën ose syrin që na shkandullon. Të kesh kripë do të thotë të përdorësh dije në sjelljen tonë. Dija më e madhe qëndron te të mos-bërit dhe në të mos-parë çka na ndalon të jemi të bashkuar me Jezusin!


23/5 E Premte VII K. Gj. V. [III]
Jak 5,9-12; Ps 102; Mk 10,1-12
Çka bashkoi Hyji njeriu të mos guxojë të ndajë! Mk 10,9

Ajo që të çon në ndarje, qoftshin edhe fjalët e një "miku" ose të një specialisti psikolog, vjen nga i keqi, armiku si i bashkëshortëve ashtu dhe i vetë fëmijëve të tyre! Sa të bukura dhe të qeta janë ato çifte që dinë ta pranojnë këtë fjalë! Ato dinë të dallojnë dhe të pranojnë me kujdes vetëm mendimet dhe ndjenjat që i ndihmojnë të jenë të bashkuar: këto vijnë nga Hyji. Në këtë mënyrë bashkimi i tyre është i aftë për t'i mirëpritur fëmijët dhe për t'u dhuruar atyre qetësi dhe gëzim për të jetuar!


24/5 E Shtunë VII K. Gj. V. [III]
Jak 5,13-20; Ps 140; Mk 10,13-16
Urata e të drejtit ka shumë fuqi kur thuhet me gjithë zemër Jak 5,16

Shën Jakobi do të na ndihmojë të kemi besim në Hyjin dhe të lutemi për sëmundjet tona. Ai na thotë të mos kenaqemi me lutjen tonë, por të bëjmë të ndërhyjnë "udhëheqësit e kishës". I krishteri nuk duhet të ndihet kurrë vetëm kur lutet sepse ai është gjithmonë në bashkim me të gjithë bashkësinë. Prandaj nuk mban sekrete së paku ndaj barinjve të vet, por bën të ndihmohet me përvujtëri!


25/5 E Diel KORPI DHE GJAKU I KRISHTIT VITI A
Sh. Beda i Nderueshmi, meshtar dhe mësues († 735); Gregori VII, papë († 1085);
Maria Magdalena nga Pazzi, virgjër (†1607)
Lp 8,2-3.14-16; Ps 147; 1Kor 10,16-17; Gjn 6,51-58(59)
Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit Gjn 6,51

Jezus, besoj që ti je buka e gjallë e dhuruar nga Ati! Kur ushqehem me ty dhe e bëj timen jetën tënde bindese, kam jetë të plotë, paqe, dritë, dashuri! Si mund të ushqehem? Do të marr pjesë në Eukaristi. Do të të dëgjoj, dhe do të marr Bukën që Kisha jote më ofron!


26/5 E Hënë VIII K. Gj. V. [IV]
Shën Filipi Neri, meshtar (†1595)
1Pjt 1,3-9; Ps 110; Mk 10,17-27
Jezusi e shikoi ëmbël dhe i pëlqeu Mk 10,21

Të falënderoj, Zoti Jezus, për shikimin tënd që më siguron që Hyji më do! Unë nuk arrij të të kthej të njëjtën dashuri, por do të mundohem të bëj çka ti më sugjeron. Vazhdo të më shikosh që unë të mos marr rrugë të gabuara që më largojnë prej teje.


27/5 E Martë VIII K. Gj. V. [IV]
Sh. Augustini nga Kanterberi, ipeshkëv († Rreth 605)
1Pjt 1,10-16; Ps 97; Mk 10,28-31
Bëhuni të shenjtë në tërë jetën tuaj 1Pjt 1,15

Si mund të të bindemi, shën Pjetër? Si duhet të sillemi që të bëhemi të shenjtë? Do të bëj gjithçka për Zotin, që të mund t'i pëlqej atij! Nuk do të reagoj ndaj të keqes si do të më vinte në mënyrë istinktive, por do të mundohem të jetoj unë dashurinë që Jezusi ka për njerëzit që takoj, edhe për ata që më bëjnë të vuaj!


28/5 E Mërkurë VIII K. Gj. V. [IV]
1Pjt 1,18-25; Ps 147; Mk 10,32-45
Çka dëshironi të bëj për ju? Mk 10,36

Jezusi është ndërprerë nga dy vëllezërit Jakobi dhe Gjoni. Çfarë duan? Ata kanë një pyetje që ai nuk mundet dhe nuk do t'i përgjigjet. Jo të gjitha lutjet tona janë të mirëpritura nga Hyji. Kur ato fshehin egoizëm apo ambicie, është më mirë që ato të mos përmbushen.


29/5 E Enjte VIII K. Gj. V. [IV]
1Pjt 2,2-5.9-12; Ps 99; Mk 10,46-52
Ju jeni populli që Hyji e fitoi për vete 1Pjt 2,9

Fjalët e përdorura për të përcaktuar ata që besojnë në Jezusin janë vërtet të mëdha! Të gjitha janë të mëdha sepse lejojnë të shihet vepra e dashurisë së Hyjit. Fisi i zgjedhur, populli i fituar..., i zgjedhur nga Hyji, i fituar nga Ai! Nuk mund të mos jemi krenarë për Kishën, edhe pse jemi të gjithë mëkatarë! Por janë shenjtërit, dhe në veçanti Martirët, që vazhdojnë të na nderojnë!


30/5 E Premte ZEMRA E KRISHTIT
Lp 7,6-11; Ps 102; 1Gjn 4,7-16; Mt 11,25-30
Hyji është dashuri 1Gjn 4,16

Hyji Atë na ka dhuruar gjithë Dashurinë e tij nëpërmjet Jezusit. Në të mund të shohim Zemrën e Hyjit, një zemër që paraprin çdo dashuri, një zemër gjithmonë e gatshme për të falur. Është pikërisht falja të cilën e provojmë në sakramentin e pajtimit, që tregon thellësinë e dashurisë së Hyjit dhe Jezusit.
Zemra e Jezusit, besoj në ty!


31/5 E Shtunë VIZITA E SH. MARISË VIRGJËR
Sof 3,14-18 (ose Rom 12,9-16); Ps: Kk 2,8.10-14; Lk 1,39-56
Jini të qëndrueshëm në uratë Rom 12,12

Shpirti i Shenjtë na dhuron të lutemi vazhdimisht. Ai na sugjeron të jemi gjithmonë të bashkuar me Hyjin Atë dhe me Jezusin, dhe vendos në zemër dëshirën për të qënë të pëlqyeshëm për ta.
Maria, nëna jonë tejeteshenjtë, pranonte sugjerimet e Shpirtit: përshëndetjes së Elizabetës i është përgjigjur me lutje që zinte mendjen dhe zemrën e saj!