2010 

1/8 E diel XVIII K.GJ.V. Viti C [II]
Sh. Alfons Maria nga Liguori, ipeshkëv dhe mësues (†1787)
Ksh 1,2; 2,21-23; Ps 94; Kol 3,1-5.9-11; Lk 12,13-21
Ç'grumbullove kujt do t'i mbesë? Lk 12,20
Kjo pyetje na shtie në mendime. Jezusi e ka vënë në fund të shëmbëlltyrës për të na ndihmuar që ta vendosim në mënyrë të ditur dhe të shenjtë marrëdhënien tonë me pasuritë. Kush mendon vetëm për të shtuar kapitalin nuk mendon të dojë dhe nuk do t'i lërë as edhe ndonjë kujtim të mirë nga vetja trashëgimtarëve të vet. Ata shpesh do të grinden dhe do të kenë një jetë pa lumturi. Më mirë të lësh si trashëgimi dashurinë për të varfërit!
Pasuritë duhen përdorur për të dashur të tjerët!

2/8 E hënë XVIII K.GJ.V. [II]
Sh. Euzebi nga Verçeli, ipeshkëv († 371); Sh. Pjetër J. Eymardi, meshtar (†1868)
Jer 28,1-17; Ps 118; Mt 14,13-21
Jepuni ju të hanë Mt 14,16
Jezusi i përgjigjet dishepujve që do të donin t'i shpërndanin turmat që e kanë dëgjuar. Urdhri i Jezusit i habit: ata kanë vetëm pesë bukë dhe përballë tyre janë me mijëra vetë të uritur. Ti çfarë do të bëje?
Nëse e vendosim në duart e vetë Jezusit atë pakgjë që kemi, ai, duke falënderuar në vend se të ankohet, do t'u japë të gjithëve më tepër se sa u nevojitet!

3/8 E martë XVIII K.GJ.V. [II]
Sh. Lidia
Jer 30,1-2.12-15.18-22; Ps 101; Mt 14,22-36
Dashnorët e tu të gjithë të harruan Jer 30,14
Hyji e qorton popullin e tij se nuk i është bindur dhe sepse ka zgjedhur udhën e rehatshme të idhujtarisë.
Në shikim të parë duket se idhujt e bëjnë të bukur jetën tonë, por janë si ata që premtojnë dashuri, por që nuk janë të aftë të duan. Dashnorët janë të shumtë, por kush do është një i vetëm, është Hyji i vërtetë, Ati, që na ka dhënë Jezusin si peng të dashurisë së vet.

4/8 E mërkurë XVIII K.GJ.V. [II]
Sh. Gjon M. Vianney, meshtar (†1859)
Jer 31,1-7; Jer 31,10-13; Mt 15,21-28
Më ndihmo, o Zot! Mt 15,25
Pranoje edhe për ne këtë lutje, o Jezus! Na ndihmo.
Djalli ngacmon shumë bij sot, i ngacmon në shumë mënyra. Ai përdor egoizmin e të rriturve, mosbesimin e tyre, indiferencën e tyre, kërkimin e kënaqësive që të bëjë bijtë të vuajnë.
Dëgjoje, o Jezus, lutjen e prindërve dhe të bijve në ankth!

5/8 E enjte XVIII K.GJ.V. [II]
Kushtimi i Bazilikës së Shën Marisë Virgjër (Zoja e Borës)
Jer 31,31-34; Ps 50; Mt 16,13-23
Po ju ç'thoni: kush jam unë? Mt 16,15
Jezus, ke pritur shumë kohë para se t'ia drejtoje këtë pyetje dishepujve të tu! Ne nuk përgjigjemi si ata që mendojnë se të njohin, por që të afrohen veç për të kërkuar mrekulli. Ne të njohim si Birin e Hyjit dhe vijmë tek ti për të të kërkuar që të punojmë për mbretërinë tënde! Ja ku jam, Jezus, bëj me mua sipas dëshirave të tua!

6/8 E premte SHNDËRRIMI I ZOTIT [P]
Lp 7,9-10.13-14; Ps 96; 2Pjt 1,16-19;Lk 9,28-36
Ky është Biri im, i Zgjedhuri! Atë dëgjoni! Lk 9,35
Festa e sotme na jep paqe. Edhe ne shohim bukurinë e fytyrës sate, Jezus, dhe edhe ne dëgjojmë zërin e Atit që na paraqet. Ti je biri gjithnjë i bindur, dhe për këtë arsye më i denji për besim. Ati të beson vullnetin e tij dhe ne dëgjojmë fjalën tënde që nuk mashtron, por që është dritë për një rrugë të sigurt!

7/8 E shtunë XVIII K.GJ.V. [II]
Sh. Siksti II dhe Shokët, martirë (†258); Sh. Gaetani, meshtar (1547)
Hab 1,12 - 2,4; Ps 9; Mt 17,14-20
Zotëri, ki mëshirë për djalin tim Mt 17,15
Të vuajturit vijnë tek ti me besim, o Zot Jezus! Vjen ati që trembet për të birin e sëmurë për shkak të një djalli, dhe sot vij edhe unë për të të paraqitur personat që më kanë treguar trazimin e tyre. Ne jemi mëkatarë dhe nuk mund të pretendojmë që ti të na dëgjosh. Por kemi besim në dashurinë tënde që ka dhembshuri për të gjithë, nevojtarë pikërisht sepse mëkatarë.

8/8 E diel XIX K.GJ.V. Viti C [III]
Sh. Dominiku, meshtar (†1221)
Urt 18,3.6-9; Ps 32; Heb 11,1-2.8-19; Lk 12,32-48
Mos druaj, o grigjë e vogël Lk 12,32
Hyji ynë është Atë, ai na do në një mënyrë që ne nuk mund ta imitojmë, por as edhe ta marrim me mend. Duke ditur se ai na do nuk mund të kemi frikë nga asgjë. Meqë ai na do jemi të sigurt se nuk do të lejojë që jeta jonë të jetë e padobishme, që vuajtjet tona të jenë të padobishme, që koha jonë dhe mundi ynë të mbeten pa fryte!

9/8 E hënë XIX K.GJ.V. [III]
Sh. Tereza Benedikta e Kryqit (Edith Stein), virgjër dhe martire, Pajtore e Evropës (†1942)
Es 13,4-17; Ps 148; Gjn 4,19-24
Adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Atin në shpirt e në të vërtetë Gjn 4,23
Të adhurojmë Atin! Nga kush mund të mësojmë? Shembullin e vetëm të vërtetë na e jep vetë Jezusi. Ai e adhuron Atin në shpirt e në të vërtetë. Jezusi e adhuron duke qëndruar çdo çast në dëgjim të dëshirave të tij dhe duke bërë sa ka thënë ai nëpërmjet profetëve. Më pas Jezusi vazhdon të na ndihmojë edhe nëpërmjet shembujve të shenjtërve.

10/8 E martë XIX K.GJ.V. [III]
Sh. Lorenci, diakon dhe martir († 258) [P]
2Kor 9,6-10; Ps 111; Gjn 12,24-26
Kush mbjell pak, pak do të korrë 2Kor 9,6
Shën Lorenci po mbledh frytet e shërbimit të tij ndaj Jezusit. Ai i ka shërbyer ati duke marrë përsipër të varfërit e Kishës së Romës.
Të pushtetshmit e vranë, por Hyji ende na e paraqet si shembull ne të gjithëve. Nëse mbjellim pa kopraci gjeste dashurie, do të mbledhim frytet e dashurisë që Hyji ka për ne, dhe do të gëzojmë gëzimin që nuk njeh fund.

11/8 E mërkurë XIX K.GJ.V. [III]
Sh. Klara, virgjër (†1253)
Ez 9,1-7;10,18-22; Ps 112; Mt 18,15-20
Ku janë dy ose tre të bashkuar në emrin tim, aty jam edhe unë, midis tyre Mt 18,20
Jezusi është i gjallë! Kemi prova për këtë! Kur mblidhemi së bashku në emrin e tij, për dashurinë e tij, ai vetë vepron dhe do.
Nuk është e thënë që të qëndrojmë së bashku në emër të Jezusit është gjë e lehtë dhe as edhe që është pa kryqe, por jep fryte: frytin e jetës së tij, të vdekjes së tij dhe të ringjalljes së tij, fryt faljeje dhe shpëtimi!

12/8 E enjte XIX K.GJ.V. [III]
Sh. Gjonia Françeska nga Chantal, rregulltare (†1641)
Ez 12,1-12; Ps 77; Mt 18,21-19,1
Zotëri, sa herë duhet ta fal vëllain tim? Mt 18,21
Ç'pyetje! Ne e kemi gjithnjë gati përgjigjen: dy herë, maksimumi tre, me ndonjë rezervë. Dëshirojmë që të na falin gjithmonë dhe të falim vetëm me kusht që ai që na fyen të mos na fyejë më! Le ta lëmë Jezusin të përgjigjet: ai nuk do thotë atë që na pëlqen të dëgjojmë, por atë që na bën vërtet mirë dhe që i rrit njerëzit në mirësi dhe në pjekuri.

13/8 E premte XIX K.GJ.V. [III]
Sh. Ursiqini, martir († shek. IV); Sh. Ponciani, papë dhe Sh. Hipoliti, meshtar, martirë († shek. III)
Ez 16,1-15.60.63; Is 12,2-6; Mt 19,3-12
A është e lejueshme ta lëshojë burri gruan? Mt 19,3
Një pyetje shumë aktuale. Pyetje që, nëse i drejtohet Hyjit, duket si fyerje. Në fakt ai nuk ka themeluar divorcin, por martesën. Njësimi i çiftit, shenjtëria e martesës, përgjegjësia e prindërve i kanë kushtuar atij vdekjen e Jezusit, dhe ne kërkojmë lejen për të prishur atë çka ai ka realizuar me pafundësinë e dashurisë së vet?

14/8 E shtunë XIX K.GJ.V. [III]
Sh. Maksimiliani Maria Kolbe, meshtar dhe martir (†1941)
Ez 18,1-10.13.30-32; Ps 50; Mt 19,13-15
Do t'ju gjykoj gjithëve, secilin sipas mënyrës së veprimit të vet Ez 18,30
Gjykomë, o Zot, Hyji im, por gjykomë ti! Gjykimit tënd i dorëzohem pa frikë. Në fakt ti më do, dhe nuk kam dyshim për dashurinë tënde. Ti gjykon në mënyrë të përkryer, sepse nuk njeh vetëm gabimet e mia dhe ligësinë time, përtacinë time dhe egoizmin tim, por edhe vullnetin tim për të qenë yt bir.

15/8 E diel XX K.GJ.V. TË NGRITURIT E SHËN MARISË VIRGJËR NË QIELL Viti C [P]
Zb 11,19;12,1-6.10; Ps 44; 1Kor 15,20-26; Lk 1,39-56
E lumja ti që besove Lk 1,45
Je e bukur, o Mari, Nëna jonë dhe Nëna ime. Je e bukur sepse i pëlqen Hyjit; Ai sot të merr pranë vetes për të na treguar edhe neve sa i pëlqen ti Atij. Ajo çka të bën të bukur për të është besimi yt: je bindur pa kërkuar në mendjen tënde arsyet e kërkesave të tij. Dashuria e tij është dashuri prej Ati, dhe për këtë arsyet e tij janë të urta, të besueshme, të sigurta.
Maria, faleminderit që na mëson të besojmë!

16/8 E hënë XX K.GJ.V. [IV]
Sh. Shtjefni i Hungarisë (†1038); Sh. Rroku (†1327)
Ez 24,15-24; Lp 32,18-21; Mt 19,16-22
Ke për të pasur një visar në qiell Mt 19,21
Një i ri kërkon jetën e pasosur! Jezusi nuk do ta mashtrojë.
Jeta e pasosur është e mundur, mund të preket me dorë: është ai jeta e pasosur. Për ta ndjekur pa ndryshuar mendje vazhdimisht është e nevojshme të lëmë atë çka na lidh me jetën e kësaj bote, pra pasuritë. Këto nuk hidhen nëse u jepen të varfërve, madje bëhen një thesar në qiell dhe nuk e pengojnë më ecjen pas tij.

17/8 E martë XX K.GJ.V. [IV]
Sh. Jacinti
Ez 28,1-10; Lp 32,26-30.35-36; Mt 19,23-30
Hyji mund të bëjë gjithçka Mt 19,26
Duket e pamundur të shpëtohemi nëse është e nevojshme të jemi të varfër. E mendojnë në këtë mënyrë dishepujt e Jezusit. Por ai i siguron: Hyji mundet edhe ta bëjë njeriun ta dojë varfërinë dhe ta kërkojë për të qenë i lirë për të ndjekur Jezusin.
Hyji mundet të vërë në zemrën time një dashuri për të që më bën të çmoj paratë dhe pasuritë vetëm si mjet dashurie.

18/8 E mërkurë XX K.GJ.V. [IV]
Sh. Flori dhe Sh. Lauri
Ez 34,1-11; Ps 22; Mt 20,1-16
Unë vetë do t'i kërkoj delet e mia Ez 34,11
Hyji shqetësohet për krijesat e veta. Ai do t'i shpëtojë ato, i do të gjitha me vete. Ata që i kishte ngarkuar të merreshin me to qenë të aftë të mendonin vetëm për veten e tyre, sepse mëkati kishte shkatërruar edhe vullnetin e tyre. Ai vetë vjen, ai vetë bëhet bari, ai, "Hyji me ne"! Jezusi është Hyji që kërkon njerëzit për t'i mbledhur, për t'i pastruar, për t'i shenjtëruar. Jezusi tani vazhdon ta bëjë nëpërmjet pranisë së tij në Kishë!

19/8 E enjte XX K.GJ.V. [IV]
Sh. Gjoni Eudes, meshtar (†1680)
Ez 36,23-28; Ps 50; Mt 22,1-14
Shkoni..., këdo që të gjeni, thirreni në dasmë Mt 22,9
Jezusi përdor imazhet më të bukura për të na tërhequr tek vetja, që të qëndrojmë me të.
Në festën e gëzimit të tij dhe të dashurisë së tij duhet të marrin pjesë të gjithë, të gjithë ata që mund të gjehen, të mirë e të këqinj, s'ka rëndësi. Mirësia e vërtetë është ajo që marrim nga ai kur hamë në tryezën e tij!

20/8 E premte XX K.GJ.V. [IV]
Sh. Bernardi, abat dhe mësues (†1153)
Ez 37,1-14; Ps 106; Mt 22,34-40
Ju do ta dini se unë jam Zoti Ez 37,14
Hyji do t'i shfaqet popullit të vet, por jo me shenja të frikshme, por me zgjedhje dashurie dhe jete për njerëzit! Ai do t'i bëjë të vdekurit të jetojnë sërish! Sa njerëz pa jetë, që kanë hequr dorë dhe jetojnë si shtazë, kanë filluar të jetojnë, të gëzojnë, të duan, kur kanë njohur Jezusin dhe kanë marrë nga ai një shpirt të ri!

21/8 E shtunë XX K.GJ.V. [IV]
Sh. Piu X, papë (†1914)
Ez 43,1-7; Ps 84; Mt 23,1-12
Keni vetëm një Udhëheqës: Krishtin Mt 23,10
Jezus, dua të mësoj nga ti dhe vetëm nga ti! Prijësi im je ti. Unë vetë nuk dua t'i mësoj asgjë askujt, përveç gjërave që më ke mësuar ti. Dua t'i mësoj me bindjen time ndaj fjalës sate, që është shumë e frytshme se fjalët. Do ia dal, me ndihmën tënde!

22/8 E diel XXI K.GJ.V. Viti C [I]
Sh. Maria Virgjër, Mbretëreshë
Is 66,18-21; Ps116; Heb 12,5-7.11-13; Lk 13,22-30
Mundohuni të hyni nëpër derë të ngushtë Lk 13,24
Jezusi i përgjigjet atij që e ka pyetur nëse janë të paktë ata që shpëtohen. Si kumbon kjo fjalë në zemrën e Jezusit? "Janë të paktë ata që çmojnë mundin tënd? A mos është pa domethënie fryti i mundimit, vdekjes dhe ringjalljes sate? A ke ardhur në botë për pak vetë?". Jezusi nuk sheh përfundimin e jetës së vet, ai i bindet Atit. Këtij njeriu dhe neve ai na mëson ta bëjmë të frytshme për veten bindjen e tij!

23/8 E hënë XXI K.GJ.V. [I]
Sh. Roza nga Lima (1617)
2Sel 1,1-5.11-12; Ps 95; Mt 23,13-22
Emri i Jezusit, Zotit tonë, do të madhërohet në ju 2Sel 1,12
Besimi që rritet dhe dashuria e ndërsjellë me bollëk, kjo është lavdia e Hyjit! Jemi ne, besimtarë që duam të tjerët, që lavdërojmë Hyjin! Të kërkoj edhe ty të më ndihmosh që të besoj dhe të më ndihmosh që të dua: dua që jeta ime të jetë lavd i Hyjit. Edhe unë gëzoj kur shoh besimin tënd që rritet dhe dashurinë tënde që kërkon ku të veprojë: aty Hyji është i madh!

24/8 E martë Sh. BARTOLOMEU, apostull [P]
Zb 21,9-14; Ps 144; Gjn 1,45-51
Do të shohësh më shumë se kaq! Gjn 1,50
Jezusi i përgjigjet Natanaelit. Ata që jetojnë me Jezusin janë të pranishëm në shumë mrekulli, mrekullitë e dashurisë së Hyjit. Mrekullia më e madhe dhe e vazhdueshme është fakti që Jezusi mbetet në qendër të vëmendjes së Hyjit për njerëzimin: engjëjt ngjiten dhe zbresin mbi të. Gjithçka i mbërrin Atit nga ana e njerëzve dhe gjithçka u mbërrin atyre nga ana e Hyjit kalon nëpër zemrën dhe duart e Jezusit. Ai është shkalla që bashkon qiellin me tokën.

25/8 E mërkurë XXI K.GJ.V. [I]
Sh. Ludoviku (†1270); Sh. Jozef nga Kalazanci, meshtar (†1648)
2Sel 3,6-10.16-18; Ps 127; Mt 23,27-32
Zoti qoftë me ju të gjithë 2Sel 3,16
Pasi u ka dhënë të krishterëve të bashkësisë së themeluar prej tij disa rregulla për jetën, Shën Pali i përshëndet me këto fjalë që edhe neve na drejtohen gjatë kremtimeve. Është prania e Zotit, e Jezusit, që na jep fuqinë për të jetuar sipas Hyjit, që t'ia tregojmë atësinë e tij të gjithë njerëzve! Meqë Zoti është me ne, mund të bëjmë atë çka nuk do të ishim në gjendje ta bënim me fuqitë tona.

26/8 E enjte XXI K.GJ.V. [I]
Sh. Zefirini
1Kor 1,1-9; Ps 144; Mt 24,42-51
Biri i njeriut do të vijë Mt 24,44
Jezusi na do të rrimë zgjuar, të vëmendshëm ndaj tij, që të na mësojë t'i bindemi, të mos biem pre e egoizmit, e rehatisë, e pasioneve që do të na çonin në mëkat dhe në shkatërrimin e marrëdhënieve tona të ndërsjella dhe pra në vuajtje të pashërueshme. Eja, Zot Jezus!

27/8 E premte XXI K.GJ.V. [I]
Sh. Monika (†387)
1Kor 1,17-25; Ps 32; Mt 25,1-13
Përnjëmend po ju them: nuk ju njoh! Mt 25,12
Fjalë të ashpra. Jezusi na paralajmëron: të jemi të krishterë të mirë me fjalë, të na duket vetja se jemi në rregull dhe si të tjerët nuk vlen për asgjë. Nëse zemra jonë dhe mendimi ynë nuk i drejtohen atij, krishtërimi ynë është bosh, dhe prania jonë në botë nuk ndriçon askënd. Nëse nuk e presim atë, ai vetë nuk do mund të bashkohet me ne.

28/8 E shtunë XXI K.GJ.V. [I]
Sh. Agustini, ipeshkëv dhe mësues (†430)
1Kor 1,26-31; Ps 32; Mt 25,14-30
Kush mburret, le të mburret në Zotin 1Kor 1,31
Shën Pali e di se njerëzve u pëlqen të mburren, të admirohen nga të tjerët. Shumë bëjnë vepra të mira dhe ndërmarrje të lavdishme me këtë qëllim. I krishteri nuk kërkon arsye për t'u mburrur, por nëse mburret, mburret vetëm me Jezusin.
Në fakt nga ai e marrim fuqinë për të kryer çdo vepër të mirë, është Shpirti i tij që na jep urti dhe pra ne krenohemi me të!

29/8 E diel XXII K.GJ.V. Viti C [II]
Martirizimi i shën Gjon Pagëzuesit
Sir 3,17-18.20.28-29; Ps 67; Heb 12,18-19.22-24; Lk 14,1.7-14
Të pranishmit po e vërenin Lk 14,1
Vërenin Jezusin dhe Jezusi i vërente. Ishte i kënaqur Jezusi që e ndiqnin me sy, në këtë mënyrë do e dëgjonin kur të hapte gojën.
Ai shihte dëshirën e të gjithëve që të zinin vende të rëndësishme, ndërsa është i rëndësishëm vetëm vendi që të cakton Hyji. Ai vlerëson të përvujturit!

30/8 E hënë XXII K.GJ.V. [II]
Shën Feliksi
1Kor 2,1-5; Ps 118; Lk 4,16-30
Të gjithë i drejtuan sytë në të Lk 4,20
Sa fatlumë ata sy që shikonin Jezusin! Ne i kemi zili e pra nuk mjafton ta shohësh Jezusin me sy. Ishin sy të etur për lavdi dhe kërshëri, kërkonin që Jezusi t'u jepte atyre një arsye për t'u mburrur vetëm sepse ishin bashkëfshatarë apo të afërm. Jezusi i zhgënjeu, dhe ata u zemëruan pikërisht kundër tij dhe e përzunë. Vërtet nuk mjafton ta shohësh Jezusin, është më e rëndësishme ta dëgjosh atë!

31/8 E martë XXII K.GJ.V. [II]
Sh. Rajmondi
1Kor 2,10-16; Ps 144; Lk 4,31-37
Praj dhe dil prej tij! - i urdhëroi Jezusi Lk 4,35
Jezusi vë re praninë e armikut, edhe pse i fshehur në zemrën e një njeriu që ndodhet në një vend të shenjtë. Si ia bëri që e kuptoi? Britmat e atij njeriu donin të tërhiqnin vëmendjen e të pranishmëve që të mos dëgjonin dhe të mos i bindeshin fjalës së tij, Fjala e Hyjit. Kush shqetëson dëgjimin e Jezusit është armiku, armik i tiji sepse është armik i njeriut dhe i të mirës së tij të vërtetë.

BACK UP

HOME PAGE