SHTATOR
SHTATOR 2008
1/9 E Hënë XXII K. Gj. V. (II)
1Kor 2,1-5; Ps 119 (118); Lk 4,16-30
Ai më dërgoi të shpall vitin e hirit të Zotit Lk 4,19
Zot Jezus, ke ardhur në bindje ndaj Atit dhe në mes nesh ke përuruar
kohën e dashurisë!
Ne të falënderojmë, të adhurojmë e duam të të
shërbejmë.
Do të jem edhe unë i kujdesshmëm në detyrën që
ti më ke besuar: ajo është më e rëndësishme
se ajo çka unë ndiej dhe nga ajo çka më duket se shoh
dhe kuptoj. Duke t'u bindur ty, do të kem gëzim dhe do t'u shpall
paqen të gjithëve!
2/9 E Martë XXII K. Gj. V. (II)
1Kor 2,10-16; Ps 145 (144); Lk 4,31-37
Shpirti i Shenjtë i depërton të gjitha, edhe vetë thellësinë e natyrës hyjnore 1Kor 2,10
Shën Pali na thotë se dituria e Hyjit është shumë më e ndriçuar se ajo dituri që zotërojnë njerëzit. Ai na bën pjesëmarrës, në mënyrë që të hapim zemrën e të mirëpresim Shpirtin e Shenjtë. Shpirti i Shenjtë, dhe jo inteligjenca njerëzore, na bën të kuptojmë misteret e dashurisë së Atit!
3/9 E Mërkurë XXII K. Gj. V. (II)
Shën Gregori i Madh, papë e mësues (†604)
1Kor 3, 1-9; Ps 33 (32); Lk 4,38-44
Ai i shëronte duke vënë duart mbi secilin prej tyre Lk 4,40
Duart e e Jezusit janë të veçanta: janë duar që
kanë punuar, kanë përshëndetur, kanë përkëdhelur.
Duart e tij shprehin dashurinë e Atit, të cilit ai i është
ofruar plotësisht.
Jezus, vëri duart mbi kokën time që edhe unë të bëhem
pronë e Hyjit: të këqijat e mia janë shenjë që
armiku ka pushtet mbi mua. Vëri duat e tua mbi mua, e unë do të
shërohem: do t'i pranoj vuajtjet e mia si dhuratë e do të t'i
dhuroj si shenjë dashurie.
4/9 E Enjte XXII K. Gj. V. (II)
1Kor 3,18-23; Ps 24 (23); Lk 5,1-11
Lanë gjithçka e shkuan pas tij Lk 5,11
Herë pas here del lajmi se një djalë apo një vajzë e re kanë bërë një hap të papritur: kanë hyrë në kuvend! Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë që Jezusi është i gjallë, është i aftë të flasë, është i denjë të jetë i dashur prej të tjerëve dhe të vihet mbi gjithçka e në qendër të gjithçkaje, përgjithmonë.
5/9 E Premte XXII K. Gj. V. (II)
E Lumja Nënë Tereza e Kalkutës, virgjër († 1997)
1 Kor 4,1-5; Ps 37 (36); Lk 5,33-39
Gjithkush do të marrë prej Hyjit lavdinë që i përket 1Kor 4,5
Ndonjëherë kam tundimin të pres, nuk them një duartrokitje, por të paktën një shenjë aprovimi për atë që them, apo për atë që bëj. Ky është vërtet një tundim, sepse aprovimi i rëndësishëm është ai që vjen prej Zotit. Atij duhet t'i pëlqejë ajo që bëj, është ai që gjykon fjalët e mia. Janë të padobishme, ose të paktën të kufizuara reagimet e njerëzve.
6/9 E Shtunë XXII K. Gj. V. (II)
1 Kor 4,6-15; Ps 145 (144); Lk 6,1-5
Biri i njeriut është zotëria i së shtunës Lk 6,5
Ligji në lidhje me të shtunën ishte ndër më të
rëndësishmet dhe më kerkueset. Gjithsesi edhe ky ligj kishte
si qëllim përgatitjen e popullit për pritjen e Mesisë.
Tani ai është i pranishëm dhe ka marrë prej Atit çdo
pushtet!
Ty, o Jezus, dua të të parashtroj çdo zakon timin, sepse
je ti Hyji i jetës sime!
7/9 E DIEL XXIII K. Gj. V. Viti A (III)
Ez 33,7-9; Ps 95 (94); Rom 13,8-10; Mt 18,15-20
Sepse ku janë dy ose tre të bashkuar në emrin tim, aty jam edhe unë, midis tyre Mt 18,20
Ka bashkësi dhe familje që përditë ndihmohen nga ky premtim
për të kërkuar falje, për të kërkuar bashkim
e për t'iu bindur njëri - tjetrit. Në këtë mënyrë,
Jezusi është aty i pranishëm dhe aty ku ai është
i pranishëm kryen mrekullitë e tij, shpirtërore dhe materiale!
Nuk do edhe ti të jetosh në familjen tënde bashkimin në
emër të Jezusit, apo të kërkosh dikë me të cilin
të ndash këtë angazhim? Jezusi do të lavdërohet!
8/9 E Hënë LINDJA E SHËN MARISË VIRGJËR (P)
Mik 5,2-5 (ose Rom 8,28-30); Ps 87 (86); Mt 1,1-16.18-23
Do të quhet Emanuel, që do të thotë: "Hyji me ne"! Mt 1,23
Maria u zgjodh prej Atit që të pranonte "Hyjin me ne",
Jezusin e t'i dhurohet atij. Ajo është e para që do ta adhurojë,
që do t'i shërbejë, që do ta thërrasë për
emër.
Ne mësojmë gjithçka prej saj: ajo është mësuesja
jonë, e prandaj me gëzim festojmë lindjen e saj dhe i themi:
të falënderojmë Mari, për dashurinë tënde të
thjeshtë, të përvujtur e të pastër për Jezusin
tonë!
9/9 E Martë XXIII K. Gj. V. (III)
Sh. Pjetër Klaver, meshtar († 1654)
1Kor 6,1-11; Ps 150 (149); Lk 6,12-19
Të gjithë këta njerëz kërkonin ta preknin Lk 6,19
Të prekësh Jezusin! Një ngjarje e madhe të mund të prekësh Jezusin! Mirëpo, edhe unë e prek shumë shpesh në misteret e tij, sakramentet e shenjta. Dhe prej tyre marr edhe më tepër nga ç'marrin të sëmurët për të cilët flet ungjilli.
10/9 E Mërkurë XXIII K. Gj. V. (III)
1Kor 7,25-31; Ps 45 (44); Lk 6,20-26
Të lumët ju, o skamnorë, sepse juve ju përket Mbretëria e Hyjit! Lk 6,20
Jezusi lindi i varfër, jetoi duke përqafuar varfërinë e Marisë dhe të Jozefit, e çmoi gjendjen e prindërve të tij. Brenda varfërisë së tyre ai u rrit në dije dhe hir. Tani ai i shpall të lumë ata që i ngjajnë atij, ata që vendosin t'i ngjajnë atij në varfëri!
11/9 E Enjte XXIII K. Gj. V. (III)
1Kor 8,2-7.11-13; Ps 139 (138); Lk 6,27-38
Jepni e do t'ju jepet Lk 6,38
Sa herë Ati më ka çuditur! Kemi dhuruar një litër qumësht: pak kohë më vonë dhe ja - po si ndodhi? - mbërrijnë dy të tjera! Dhe kështu, nëse dhuroj meshirë, mbërrin ngushëllim; nëse dhuroj besnikëri, mbërrin gëzim; nëse dhuroj vëmendje, mbërrin dije! Ati garon dhe gjithmonë fiton!
12/9 E Premte XXIII K. Gj. V. (III)
Emri Tejet i Shenjtë i Marisë
1Kor 9,16-19.22-27; Ps 84 (83); Lk 6,39-42
Çdo nxënës plotësisht i aftësuar do të jetë si mësuesi i vet Lk 6,40
Askush nuk mund të mendojë të jetë më i madh se ai që e mëson: askush nuk mund të jetë mbi Jezusin! Përvujtëria është cilësia më e mirë e njeriut. Vetëm i përvujturi është i ditur, vetëm i përvujturi është i kujdesshëm, vetëm i përvujturi mund të qëndrojë përkrah Jezusit!
13/9 E Shtunë XXIII K. Gj. V. (III)
Shën Gjon Gojarti, ipeshkëv dhe mësues (†407)
1Kor 10,14-22; Ps 116 (115); Lk 6,43-49
Çdo pemë njihet prej frytit të saj Lk 6,44
Nëse fryti është i mirë, pema nuk është e egër!
Po përtej metaforës? Çfarë do të thotë Jezusi
me "i mirë"? I mirë është ai që qëndron
në bashkim me të, që i ndihmon të tjerët të
qëndrojnë me të, që i bindet, që përhap dijen
dhe Shpirtin e tij!
Fryti nuk është i mirë vetëm sepse të bën të
jesh mirë me shëndet e të bën të fitosh para!
Pemë e mirë është gjtihmonë dhe vetëm Jezusi!
14/9 E Diel LARTËSIMI I KRYQIT TË SHENJTË (P)
Nm 21,4-9; Ps 78 (77); Fil 2,6-11; Gjn 3,13-17
Secili që beson në të... ta ketë jetën e pasosur Gjn 3,17
Jezusi u dërgua në botë për këtë: nuk erdhi
për vete, po për ne, që jemi pa jetë. Në fakt njerëzit
pa Jezusin janë të zhytur në të vërtetat e kësaj
toke nga të cilat edhe mbizotërohen, derisa të ndihen të
shtypur.
Nuk është aspak për t'u habitur nëse nuk do të jetojë
më dikush që vuan nga një e keqe e pashërueshme! Por kushdo
që fillon ta dojë Jezusin dhe ta ngulë vështrimin e tij
mbi të dhe kryqin e tij, fillon të jetojë e të gëzohet
që është në jetë!
15/9 E Hënë Sh. Maria Virgjër e Dhimbshme (P)
Heb 5,7-9; Ps 31 (30); Gjn 19,25-27 (ose Lk 2,33-35)
Grua, ja biri yt! Gjn 19,26
Sodisim në lutje Marinë në misterin e vuajtjes së saj
të shumëtrajtshme. Aty nën kryq, ajo dëgjon vullnetin
e Jezusit, që i beson një shërbim të ri në mbretërinë
e Hyjit. Do të vijojë të jetë nënë, të
dojë si një nënë nxënësin e Birit të saj.
Ndërsa ajo vuan më shumë, merr detyrën e saj përcaktuese.
Tani e tutje do të jetë nënë përgjithmonë, nënë
e secilit anëtar të Kishës, nënë brenda Kishës.
Të falënderojmë Mari, që ke pranuar të na duash si
një nënë!
16/9 E Martë XXIV K. Gj. V. (IV)
Sh. Korneli, papë (†253) e Sh. Çipriani, ipeshkëv (†258)
1Kor 12,12-14.27-31; Ps 100 (99); Lk 7,11-17
Hyji e pa popullin e vet! Lk 7,16
Ky është komenti i njerëzve për faktin e zhurmshëm
të cilin kanë përjetuar: Jezusi i foli një të vdekuri,
e ai iu përgjigj! Vejusha e pati përsëri birin e saj të
vetëm! Vdekja i është nënshtruar Fjalës së Zotit!
I gjithë populli i gëzohet Hyjit, që ka ndërhyrë
në favor të tij! Prania e Jezusit është vërtet Hyji
me ne!
17/9 E Mërkurë XXIV K. Gj. V. (IV)
Sh. Robert Bellarmini, ipeshkëv dhe mësues († 1621)
1Kor 12,31-13,13; Ps 33 (32), Lk 7,31-35
Dëshironi dhuratat më të shkëlqyeshmet 1Kor 12,31
Shën Tereza e Krishtit Fëmijë e ka kuptuar këtë
shtytje ndërsa kërkonte vendin më të mirë në
Kishë.
Ajo pati një dritë prej së larti: vendi më i madh është
dashuria! Nëse nuk dua, nuk jam brenda korpit të Krishtit, nuk jam
pasqyrë e Hyjit! Dashuria është dhurata më e madhe, e
nevojshme që të jesh i pëlqyeshëm para Atit dhe i dobishëm
për Kishën e për botën!
18/9 E Enjte XXIV K. Gj. V. (IV)
1Kor 15,1-11; Ps 118 (117); Lk 7,36-50
Feja jote të shpëtoi. Shko në paqe! Lk 7,50
Gjykuar dhe dënuar nga të tjerët, gruaja mëkatare vazhdon
t'i shprehë dashurinë e saj Jezusit!
Ajo dashuri është shenjë feje, fryt i fesë që shpëton:
nuk mund të ndalosh të duash! Asnjë gjykim nuk duhet ta ndalojë
fenë që e do Jezusin: prej saj vjen shpëtimi për vete
e shumëkënd!
Është dashuria që shfaq fenë në Jezusin, që
bëhet, në anën tjetër, gjykim për të gjithë
të vepruarit të njerëzve, që mendojnë se mund të
besojnë në veten e vet.
19/9 E Premte XXIV K. Gj. V. (IV)
Sh. Januari, ipeshkëv dhe martir († 305)
1Kor 15,12-20; Ps 17 (16); Lk 8,1-3
Krishti u ngjall prej të vdekurve 1Kor 15,20
Vdekja dhe ringjallja, ngjarje të mëdha plot mister. Të gjithë do të vdesim, Jezusi u ringjall! Të gjithë do të vdesim sepse trupi ynë nuk ia del të mbartë një jetë të plotë, të përjetshme. Do të na jepet ringjallja, me Jezusin! Ai u ringjall, jeton jetën e Hyjit: duke pranuar Shpirtin e tij, marrim kaparin e jetës së amshuar, e cila do të na jepet! Këtë kapar e mbajmë të gjallë me një sjellje të shenjtë, me bindje të gëzueshme ndaj Atit!
20/9 E Shtunë XXIV K. Gj. V. (IV)
Sh. Andrea Kim, meshtar, Pal Chong Hasang dhe Shokët, martirë (†1839
- 1866)
1Kor 15,35-37.42-49; Ps 56 (55); Lk 8,4-15
Ata që e dëgjojnë Fjalën... japin fryt me qëndrueshmëri Lk 8,15
Jezusi është i kënaqur që mund të tregojë se ka njerëz që e dëgjojnë fjalën e tij dhe i kushtojnë rëndësi, saqë ta lejojnë të shndërrojë jetën e tyre. Fryti i Fjalës vjen pas shumë kohe, ashtu si fryti i farës. Është koha e qëndrueshmërisë: shenjë besnikërie dhe dashurie të vërtetë!
21/9 E DIEL XXV K. Gj. V. Viti A (I)
Sh. Mateu, apostull dhe ungjilltar (P)
Is 55,6-9; PS 145 (144); Fil 1,20c-27a; Mt 20,1-16
Shkoni edhe ju në vreshtin tim Mt 20,7
Jezusi na njeh me dashurinë e madhe e të pakushtëzuar të Atit! Punëtori i orës së fundit merr rrogë të plotë, shumë më tepër nga ç'meriton. Ne e kemi të vështirë të pranojmë përfundimin e shëmbëlltyrës, sepse e konsiderojmë veten punëtorë të orës së parë. Jemi shumë arrogantë! Ndërkohë që vendi ynë është gjithmonë vendi i më fatlumit: kemi arritur vonë, shumë vonë për të bashkëpunuar me Jezusin, që të dhurohemi me të për vreshtin e tij, Kishën!
22/9 E Hënë XXV K. Gj. V. (I)
I Lumturi Luigji M. Monti
Fu 3,27-35; Ps 15 (14), Lk 8,26-18
Atij që nuk ka, do t'i merret edhe ajo pakicë që kujton se ka Lk 8,18
Nëse një person nuk ka dashuri për Jezusin, shëlbuesin e vetëm që Hyji na dha, nuk ka vërtet asgjë tjetër që mund ta shpëtojë. Për çfarë do t'i shërbejë gjithë ajo punë, gjithë ai studim, gjithë ajo vuajtje, gjithçka ka ndërtuar? Ai ndoshta beson se ka disa merita sepse ka bërë këto gjëra, por Hyji i thotë: përse nuk e ke pranuar dhuratën time? Përse nuk e ke ndjekur Birin tim, Jezusin, që ishte kaq i ëmbël e i butë e i përvujtur?
23/9 E Martë XXV K. Gj. V. (I)
Shën Piu nga Pietralçina, meshtar (†1968)
Fu 21,1-6.10-13; Ps 119 (118); Lk 8,19-21
Ai që i peshon zemrat është Zoti Fu 21,2
Një ditë tregova kujdes për një person, por ai gjest
dashurie prej meje u interpretua keq nga të tjerët.
Isha gati duke iu dorëzuar tundimit të shkurajimit e të mos
doja më të kryeja shërbime që nuk m'i kërkonin, kur
u kujtova që i vetmi gjykim që ka rëndësi është
ai i Hyjit. Dhe nuk dënova as atë që po më gjykonte, por
i ofrova Jezusit vuajtjen dhe vetminë e atij çasti.
24/9 E Mërkurë XXV K. Gj. V. (I)
Fu 30,5-9; Ps 119 (118); Lk 9,1-6
Ata u nisën duke predikuar Ungjillin e shëruar gjithkund Lk 9,6
Kur një njeri i bindet Hyjit, Hyji i bindet atij! Apostujt nisen, dhe në bindje ndaj Jezusit, bëjnë të kumbojë emri i tij dhe fjala e tij. Dhe ja Hyji bëhet i pranishëm me shërimet, për të dëshmuar që ata janë pikërisht vegla të tij, dhe që fjala e tyre duhet të pranohet pa frikë!
25/9 E Enjte XXV K. Gj. V. (I)
Ksh 1,2-11; Ps 90 (89); Lk 9,7-9
Gjthçka është kotësi Qo 1,2
Kur kujtohemi për vdekjen tonë të afërt, shohim se nuk
ia vlen të mërzitemi shumë me gjërat e kësaj bote.
Gjthçka kalon, gjithçka mbaron, do të na duhet të
lëmë gjithçka.
Gjithçka që është e bukur dhe e mirë duhet të
çelë brenda nesh dëshirën për Jezusin, të
vetmin që mund të na shoqërojë në udhëtimin
tonë të fundit e që na pret në mbarim të tij.
26/9 E Premte XXV K. Gj. V. (I)
Sh. Kozma e Damiani, martirë
Ksh 3,1-11; Ps 144 (143); Lk 9,18-22
Po ju, kush thoni se jam? Lk 9,20
Jezus, doja të të përgjigjesha si t'u përgjigj Pjetri.
Nuk mundem të them në mënyrë të plotë kush je
ti për Atin, ose kush je ti për të gjithë botën,
ose kush je ti për Marinë, nënën tënde.
Të them vetëm kush je ti për mua. Ti je burimi i paqes sime,
i forcës sime për të dashur e për të falur, i gëzimit
tim, i seriozitetit të jetës, i shpresës për jetën
e amshuar. E je shumë më shumë: çdo ditë i shtohet
diçka dijes sime për ty!
27/9 E Shtunë XXV K. Gj. V. (I)
Sh. Vinçenci nga Pauli, meshtar (†1660)
Ksh 11,9-12,8; Ps 90 (89); Lk 9,43-45
Gëzo, pra, o djalosh, në ditët e djalërisë sate Kish 11,9
Më në fund dikush e vlerëson gëzimin dhe optimizmin e të rinjve! Kishtari, pasi na bëri të reflektojmë në shumë mënyra mbi kotësinë e të gjitha gjërave, nuk e sheh si të kotë gëzimin e të rinjve. Që ky gëzim të mos përfundojë në mënyrë të trishtuar, ai i këshillon ata të përballen gjithmonë me gjykimet e Hyjit. Edhe i riu duhet të mësojë të shqyrtojë mendimet dhe veprimet e tij: janë të mira e japin gëzim ato që për Hyjin janë të mira!
28/9 E DIEL XXVI K. Gj. V. Viti A (II)
Sh. Vinçeslavi, martir († 929)
Sh. Lorenci Ruiz dhe Shokët, martirë († Shek. XVII)
Ez 18,25-28; Ps 25 (24); Fil 2,1-11; Mt 21,28-32
Tagrambledhësit e laviret i besuan Mt 21,32
Me këtë shprehje, Jezusi i vë farisenjtë e devotshëm
e besimtarë përballë famëkëqinjve. Megjithëse
me famë jo të mirë, këta njerëz kanë treguar
përulësi dhe e kanë dëgjuar Gjonin, kanë filluar
ecjen e kthimit për të pranuar qengjin e Hyjit të treguar prej
tij.
Ajo çfarë kam bërë në jetë nuk ka më
asnjë rëndësi nga momenti që pranoj Jezusin, Birin e Hyjit
të gjallë!
29/9 E Hënë SHËN MIHAELI, GABRIELI DHE RAFAELI, Kryeëngjëj
(P)
Dan 7,9-19.13-14 (ose Zb 12,7-12); Ps 138 (137); Gjn 1,47-51
Unë të pashë nën fik Gjn 1,48
Për festën e Kryeëngjëjve Ungjilli i thirrjes së
Natanaelit: Jezusi i shfaqet si shkalla mbi të cilën ngjiten e zbresin
ëngjëjt e Hyjit! Prandaj ajo çka Jezusi sheh është
shumë e rëndësishme. Ai e pa nxënësin e ardhshëm
të lexonte dhe të kuptonte me shumë vëmendje Shkrimet
(duket se shprehja "nën fik" këtë do të thotë!).
Kush kërkon Shkrimet u ngjan ëngjëjve që janë gjithmonë
të gatshëm për të plotësuar vullnetin e Hyjit!
30/9 E Martë XXVI K. Gj. V. (II)
Sh. Jeronimi, meshtar dhe mësues (†420)
Jak 3,1-3.11-17.20-23; Ps 88 (87); Lk 9,51-56
Jezusi mori vendim të palëkundshëm të shkojë në Jeruzalem Lk 9,51
Nxënësit e dinë se Jezusi nuk do të pritet mirë
në Jeruzalem. Vetë ai ua ka thënë disa herë këtë
gjë. Kështu që ata mrekullohen që ai është kaq
i vendosur të ngjitet drejt qytetit që nuk e refuzon. Por ai e di
që ky është vullneti i Atit dhe, prandaj, nuk lëkundet
as për një çast.
Ne të duam, Zot Jezus, ndërsa ti ofrohesh për të përmbushur
atë plan dashurie të Hyjit, i cili të kushton flijimin e vetes
sate.