TETOR 2008

TETOR 2008
1/10 E Mërkurë XXVI K. Gj. V. (II)
Shën Tereza e Jezusit Fëmijë, virgjër dhe mësuese (†1897)
Jb 9,1-12.14-16; Ps 88 (87); Lk 9,57-62

Ti shko e prediko Mbretërinë e Hyjit! Lk 9,60

Sot kujtojmë Shën Terezën e Jezusit Fëmijë, mbrojtësen e Misioneve. Ajo kurrë nuk është larguar në vende të largëta. Ajo "thjesht" është angazhuar në lutjen për një misionar dhe ka ofruar për të vuajtjet e sëmundjes së vet. Kur gjendej pranë vdekjes, ajo i shkruante: "Shpresoj shumë që të mos rri pa vepruar në qiell; dëshira ime është të punoj akoma për Kishën dhe për shpirtrat" (letra 225).


2/10 E Enjte ENGJËJT Rojtarë (P)
Dal 23,20-23; Ps 91 (90); Mt 18,1-5.10

Engjëjt e tyre në qiell shohin vazhdimisht fytyrën e Atit tim Mt 18,10

A i je drejtuar ti ndonjëherë personalisht engjëllit tënd të rojes? Të kujtohet që ke një të tillë? Është një dhuratë e Atit, që të jep sigurinë e të qenit i dashur prej tij në çdo çast! Jezusi na lë ta kuptojmë nga këto fjalë me të cilat na tërheq vëmendjen që të mos i vëmë pengesa fesë së të vegjëlve. Engjëjt e tyre... kanë një lidhje të drejtpërdrejtë me Hyjin!
E falënderoj sot engjëllin tim: kushedi sa herë më ka mbrojtur, drejtuar, udhëhequr...


3/10 E Premte XXVI K. Gj. V. (II)
Jb 38,1.12-21; 40,3-5; Ps 139 (138); Lk 10,13-16

Kush ju dëgjon ju, më dëgjon mua Lk 10,16

Ky pohim i Jezusit iu jep meshtarëve siguri, por iu jep edhe shumë shqetësim.
Fjala e tyre është aq e rëndësishme, sa kush e dëgjon, duhet ta pranojë, nëse nuk do që të refuzojë bindjen ndaj Jezusit: ata duhet të jenë të vëmendshëm të flasin gjithmonë në Shpirtin e Shenjtë! Dhe është edhe një pohim që duhet të na bëjë të gjithëve të kujdesshëm kur flet dikush nga barinjtë tanë.

4/10 E Shtunë XXVI K. Gj. V. (II)
Sh. Françesku i Asizit († 1226)
Gal 6,14-16; Ps 16 (15); Mt 11,25-30

Për mua bota është e kryqëzuar Gal 6,14

Jeta e Shën Françeskut është pasqyrë e kësaj Fjale. Ai, pasi njohu Jezusin, i la rehatitë dhe pasuritë e kësaj bote, nderimet e saj, kotësitë, sipërfaqësirat dhe madhështitë.
Të gjithë ne kemi një mbrojtës që ka dashur të jetë i varfër për dashuri të Jezusit, ka duruar përçmimin e konformistëve, ka shpallur me forcë e gëzim Emrin e tij në sheshet publike dhe përpara qeveritarëve.


5/10 E DIEL XXVII K. Gj. V. Viti A (III)
Is 5,1-7; Ps 80 (79); Fil 4,6-9; Mt 21,33-43

Do ta nderojnë birin tim! Mt 21,37

Jezus, të gjithë e kuptojnë që ti mendon për ndërhyrjet e Hyjit, i cili kërkon të rifitojë popullin tënd të rivendosë një marrëdhënie të gjallë me atë vetë. Ai ka dërguar profetët në disa përpjekje, por asnjëri nuk u dëgjua.
Edhe ti je dërguar për të takuar drejtuesit e për t'i dorëzuar Atit frytet e vreshtit, dmth një popull të bashkuar e të bindur. Me fjalët e pronarit të vreshtit, ti na bën të njihemi me durimin dhe mëshirën e Atit dhe bën të kuptojmë cila do të jetë flia jote.


6/10 E Hënë XXVII K. Gj. V. (III)
Sh. Bruno, murg († 1101)
Gal 1,6-12; Ps 111 (110); Lk 10,25-37

Mirë u përgjigje! Vepro kështu dhe do të jetosh Lk 10,28

Jezusi duhet të më thotë shpesh kështu. Nëse unë do të jetoja atë që di për vullnetin e Hyjit, do të isha i madh në mbretërinë e qiellit! Skribi e dinte që më e rëndësishmja është ta duam Hyjin me gjithë zemër e ta duam tjetrin si veten.
E di edhe unë, e përse nuk e bëj?
O Jezus, më bëj të përvuajtur e të fortë, që të fitoj mbi të gjithë egoizmin tim!

7/10 E Martë SHËN MARIA VIRGJËR E RRUZARES (P)
Vap 1,12-14; Psalmi: Lk 1,46-55; Lk 1,26-38

Të falem o Hirplote! Zoti me ty! Lk 1,28

Fjalët që shqipton Maria janë një esencë e profecive të ndryshme drejtuar të gjithë popullit të Izraelit. Galdo, gëzohu, brohorit, o bijë e Sionit! Ajo kupton që kjo ftesë për gëzim i referohet Mesisë: përse tani i drejtohet asaj, vetëm asaj? Nuk mundet të mos e kuptojë. Çasti është solemn, dhe ajo përgjigjet me vendosmërinë e saj.
Ne i themi: "Të falënderojmë Mari: disponueshmëria jote u bë gëzim për botën mbarë!"


8/10 E Mërkurë XXVII K. Gj. V. (III)
Gal 2,1-2.7-14; Ps 117 (116); Lk 11,1-4

Ardhtë mbretëria jote Lk 11,2

Mbretëritë njerëzore, qofshin këto demokratike apo jo, të zhgënjejnë e të bëjnë të vuash. Në to nuk mungon kurrë dhuna, dhe gjithmonë del në pah padrejtësia. Në të vërtetë njerëzit, çfarëdo që të bëjnë, ndikohen nga mëkati.
Lutja jonë është gjithmonë dëshira dhe pritja e një mbretërie tjetër, asaj të Atit! Në të do të mundemi, më në fund, të quhemi vëllezër, në të do të mundemi të bashkëpunojmë, të shohim gjithçka e gjithkënd në dritën e dashurisë.


9/10 E Enjte XXVII K. Gj. V. (III)
Sh. Dionizi, ipeshkëv dhe Shokët, martirë († Shek. III);
Sh. Gjon Leonardi, meshtar († 1609)
Gal 3,1-5; këngë: Lk 1,6-75; Lk 11,5-13

Ati qiellor do t'u japë Shpirtin e Shenjtë atyre që ia kërkojnë Lk 11,13

Jezusi akoma po iu mëson nxënësve të tij të luten. Çfarë duhet ti kërkojmë Hyjit? Çfarë është me të vërtetë e rëndësishme? Ja, është Shpirti i Shenjtë buka e përditshme, pa të cilin jeta jonë nuk ëshë jetë, pa të cilin Kisha nuk rritet. Kjo është dhurata që Ati dëshiron të na japë; por kjo dhuratë është kaq e vyer, sa ia jep vetëm atij që e vlerëson aq shumë, sa ta dëshirojë me këmbëngulje të madhe.


10/10 E Premte XXVII K. Gj. V. (III)
Gal 3,7-14; Ps 111 (110); Lk 11,15-26

Kush nuk bashkon me mua, shpërndan Lk 11,23

Faleminderit, Zot Jezus, sepse gjithçka bëj me ty është i pëlqen Atit dhe bëhet bekim për shumë njerëz. Pa ty asgjë nuk është e mirë, me ty gjithçka ëshë hir!


11/10 E Shtunë XXVII K. Gj. V. (III)
Gal 3,22-29; Ps 105 (104); Lk 11,27-28

Me Krishtin jeni veshur! Gal 3,27

Jemi të Jezusit dhe presim shumë prej tij. Shën Pali e ka për zemër të na e kujtojë, sepse ne e kemi të lehtë të mendojmë se e meritojmë diçka për atë që arrijmë të bëjmë falë forcave tona dhe inteligjencës sonë. Jezusi është veshja jonë, dhe Ati na sheh të veshur kështu dhe na vlerëson për atë çka në ne duket prej tij.


12/10 E DIEL XXVIII K. Gj. V. Viti A (IV)
Is 25,6-10; PS 23 (22); Fil 4,12-14.19-20; Mt 22,1-14

Shumë janë të grishur, por pak të zgjedhur Mt 22,14

Zhgënjimi i Hyjit! Ai ka bërë gjithçka për të mbushur me gëzim jetën e njerëzve e për më tepër të popullit të tij. Ai ka përgatitur tryezën e festës, por të ftuarit nuk e kanë pranuar. Ndoshta gjendja nuk ka ndryshuar. Një shumicë njerëzish është ftuar prej Hyjit në gëzimin e bashkimit vëllazëror ofruar prej Jezusit! Të paktë janë ata që dalin nga turma për t'u radhitur siç duhet krah tij!


13/10 E Hënë XXVIII K. Gj. V. (IV)
Gal 4,22-24.26-27.31 - 5,1; Ps 113 (112); Lk 11,29-32

Krishi na liroi që të mbeteshim vërtet të lirë Gal 5,1

Liria e vërtetë vjen prej dashurisë, e dashuria e vërtetë është ajo e Jezusit.
Ai na ka liruar nga jetesa si skllevër të rregullave, të shqetësuar që të vlerësohemi prej Atit nëpërmjet veprimeve rituale: kjo është ajo çka Pali u thotë Galatasve, që janë të tunduar t'iu nënshtrohen praktikave judaike.
Jezusi na ka shpëtuar me vdekjen e tij, prandaj ne tani, me mirënjohje ndaj tij, jetojmë në bashkim të ndërsjelltë në gëzimin e këtij Lajmi të Bukur!


14/10 E Martë XXVIII K. Gj. V. (IV)
Sh. Kalisti I, papë dhe martir († 222)
Gal 5,1-6; Ps 119 (118); Lk 11,37-41

Do të jetë gjithçka e pastër për ju Lk 11,41

Jezus, ti na mëson se pastërtia e brendshme është më e rëndësishme se ajo e jashtme. Atëherë kur të çliruar nga egoizmi dhe të zhytur në dashuri, dhurojmë jetën tonë, vetëm atëherë do të mund t'i shohim të gjitha gjërat me shikimin e Hyjit! Dhe Hyji, që i ka krijuar, i çmon të gjitha!

15/10 E Mërkurë XXVIII K. Gj. V. (IV)
Shën Tereza e Avilës, virgjër dhe mësuese (†1582)
Gal 5,18-25; Ps 2 (1); Lk 11,42-46

Vaj për ju që e hidhni pas shpine drejtësinë dhe dashurinë e Hyjit Lk 11,42

Jezus, ti do të na bësh të vëmendshëm për atë që ndodh në zemrën tonë!
Nuk të pëlqejnë pendesat që bëjmë për dashurinë tënde, nëse këto nuk shoqërohen me mëshirën dhe dashurinë për vëllezërit që kemi pranë.


16/10 E Enjte XXVIII K. Gj. V. (IV)
Sh. Hedviga, rregulltare († 1243); Sh. Margerita Maria Alakok, virgjër († 1690)
Ef 1,1-10; Ps 98 (97); Lk 11,47-54

Ai na vuri në dijeni me misterin e vullnetit të vet Ef 1,9

Mister është vullneti i Hyjit: dhe ai do të na shpëtojë me vdekjen dhe ringjalljen e Jezusit! Ky është mister: mund ta kuptojmë vetëm në dritën e Shpirtit të Shenjtë! Nëse Hyji na e bën të njohur, kjo është shenjë e miqësisë së tij të vërtetë!
Të falënderoj o Atë, që më trajton si një bir të vërtetë: nuk më fsheh as gjërat më të vështira!


17/10 E Premte XXVIII K. Gj. V. (IV)
Shën Injaci i Antiokisë, ipeshkëv e martir († rreth 115)
Ef 1,11-14; Ps 33 (32); Lk 12,1-7

Mos kini frikë! Ju vleni më shumë se një mori trumcakësh! Lk 12,7

Isha në merak dhe i shqetësuar për shëndetin tim. Duhet të falënderoj njërin prej vëllezërve të mi që më tha: "Ti vlen më shumë se trumcakët që fluturojnë rreth kopshtit". Dhe kështu më solli ndër mend fjalën e Jezusit që na siguron për dashurinë e Atit: ai e di se çfarë është mirë për mua dhe për mbretërinë e tij! Nëse e lejon të ndodhë sëmundja ime, kjo është shenjë që e përdor atë për të më kthyer mua dhe pë të folur me dikë tjetër!


18/10 E Shtunë SHËN LUKA Ungjilltar(P)
2Tim 4,10-17; Ps 145 (144); Lk 10,1-9

U afrua Mbretëria e Hyjit! Lk 10,9

Jam edhe unë njeri, me sëmundje të ndryshme, shenja të mëkatit që ndryshkin anët tona të mira. Kur dikush më përshëndet me mirësjellje apo çmon një fjalë timen, kur dikush merret me nevojat e mia apo më thotë një fjalë të mirë për të gjallëruar fenë time, atëherë e kuptoj që ka ardhur mbretëria e Hyjit! Në mbretërinë e tij ne jemi shërbëtorë, por jemi edhe vëllezër që e mbështesin dhe e duan njëri - tjetrin.


19/10 E DIEL XXIX K. Gj. V. Viti A (I)
LXXXII Dita Botërore Misionare
Sh. Gjon Brebeuf e Sh. Isak Jogues, meshtarë dhe Shokët, martirë († Shek. XVII)
Sh. Pali i Kryqit, meshtar († 1775)
Is 45,1.4-6; Ps 96 (95); 1Sel 1,1-5; Mt 22,15-21

Shtiracakë, pse po më sprovoni? Mt 22,18

Kanë vënë një maskë mbi fytyrën mosbesuese, por Jezusi nuk bie në grackë, sepse është gjithmonë i vëmendshëm ndaj Atit, dhe flet e vepron në dritën e tij.
Ati nuk e mashtron dhe nuk e tradhëton atë që e dëgjon! Kështu më thotë edhe mua Jezusi sot, mua që jam i shqetësuar për shumë angazhime e detyra: "Jepi Hyjit çka është e tij!" Këtu qëndron sekreti i dijes për gjithsecilin, edhe për të "mëdhenjtë" e politikës.


20/10 E Hënë XXIX K. Gj. V. (I)
Ef 2,1-10; Ps 100 (99); Lk 12,13-21

Në sajë të fesë jeni shëlbuar Ef 2,8

Kam nevojë të shpëtohem prej frikës së të tjerëve, prej nxitimit që më bën të gaboj, prej krenarisë sime, prej të qenit budalla, prej paaftësisë për të pranuar ndreqjet, prej bindjes se di më shumë se Hyji, Ati im qiellor! Ilaçi është pak fe, besim.
Besoj në ty, Ati im, ta besoj veten time ty, që të udhëheqësh çdo gjë drejt së mirës për mua dhe që unë të jem i dobishëm në mbretërinë tënde!


21/10 E Martë XXIX K. Gj. V. (I)
Ef 2,12-22; Ps 85 (84); Lk 12,35-38

Lum shërbëtorët, që kur të kthehet zotëria, i gjen zgjuar Lk 12,37


Kushedi pse, sot kjo fjali më sjell ndërmend bashkëshortët që ruajnë ndjenjat e tyre. Ata rrinë zgjuar, nuk reshtin asnjë ditë së kryeri detyrën që kanë marrë.
E dinë që kanë misionin e shenjtë që ta duan bashkëshortin me besnikëri, për të treguar se si Jezusi e do Kishën e tij! Kur takojnë njerëz të tjerë tërheqës apo simpatikë, ata kujtohen për detyrën që Hyji iu ka dorëzuar! Kështu dashuria e tyre bëhet e përkryer dhe shndërrohet në bekim për bijtë e tyre dhe shumë të tjerë!


22/10 E Mërkurë XXIX K. Gj. V. (I)
Ef 3,2-12; Is 12,2-6; Lk 12,39-48

Krishti Jezus... na jep zemër t'i afrohemi Hyjit me plot besim Ef 3,12

Zot Jezus, sa shëmtuar është të kesh frikë prej Hyjit! Kush ka frikë prej Hyjit, nuk arrin të ketë besim as tek njerëzit, as tek personat më të dashur!
Të falënderoj sepse duke na dhënë zemër që t'i afrohemi Atit, ti e shndërron të gjithë jetën tonë, e bën të bukur qëndrimin tonë sëbashku, ushqen shpresën tonë për sot e në amshim.


23/10 E Enjte XXIX K. Gj. V. (I)
Sh. Gjoni nga Kapistrani, meshtar († 1456)
Ef 3,14-21; Ps 33 (32); Lk 12,49-53

Erdha të sjell zjarrin mbi tokë Lk 12,49

O Jezus, zjarri yt ka djegur tashmë shumë idhuj mbi tokë dhe jeta e njerëzve ka përftuar shumë të mira prej kësaj. Por tani ata u shërbejnë idhujve të tjerë dhe shumë popuj janë ende në skllavëri të plotë.
Le të mund Fjala jote të arrijë në zemrën e shumë njerëzve akoma, në zemrën e të gjithëve, që të mund të shpëtohen.


24/10 E Premte XXIX K. Gj. V. (I)
Sh. Antoni Maria Klaret, ipeshkëv († 1870)
Ef 4,1-6; Ps 24 (23); Lk 12,54-59

Ju përbej të jetoni denjësisht, si i ka hije thirrjes që keni marrë Ef 4,1

Kam marrë thirrjen, dmth jam thirrur të jem i shenjtë, bir i Hyjit. Bën mirë apostulli Pal që më shtyn.
Nëse jam kryelartë, nëse nuk kam durim, nëse grindem me vëllezërit, si do të duket Zoti im? Do të përpiqem të sillem në mënyrë të tillë që të bëj figurë të mirë para Jezusit, në mënyrë të denjë për atë që jam thirrur të jem!


25/10 E Shtunë XIX K. Gj. V. (I)
Ef 4,7-16; Ps 122 (121); Lk 13,1-9

Nëse nuk ktheheni kah Hyji, të gjithë do të merrni fund si ata Lk 13,5

Kthehuni! Këtu e vë theksin Jezusi. Nëse nuk kthehem, vdekja ime do të jetë një fatkeqësi, si ajo e atij që shtypet apo vritet. Të kthehem... duke kërkuar vullnetin e Atit, duke u menduar, përtej gjërave që kalojnë, atyre që më bëjnë të jetoj në bashkim me të! Vazhdoj, ose filloj të kthehem tek ty, Jezus.

26/10 E DIEL XXX K. Gj. V. Viti A (II)
Dal 22,21-27 (20-26); Ps 18 (17); 1Sel 1,5-10; Mt 22,34-40

Do ta duash Zotin Hyjin tënd me gjithë zemër Mt 22,37

Jezus, ti na jep shembullin. Ti e ke dashur Atin me gjithë zemër, me gjithë mendjen e me të gjitha forcat. Që kur ishe djalë i vogël e ke kërkuar Fjalën e tij dhe e ke bërë thesar sa herë shkoje në Sinagogë. E ke dashur Atin kur filloi të të kërkonte të vuaje, edhe kur e kuptove se po të kërkonte të ofroheshe në flijim për ne, për mëkatet tona.
Shembulli yt na tërheq!


27/10 E Hënë XXX K. Gj. V. (II)
Ef 4,32-5,8; Ps 2 (1); Lk 13,10-17

Grua, ja, u shërove prej sëmundjes sate! Lk 13,12

Sa shumë të ka falënderuar ajo grua, Jezus! Për tetëmbëdhjetë vjet nuk kishte mundur të shihte asnjeri në sy, nuk mundej as të ngrinte sytë drejt qiellit. Fjala jote i bëri dhuratën më të bukur, të mund të shihte buzëqeshjen e vëllezërve, të mund t'i gëzohej bashkimit me ta. Ti e vure dorën tënde mbi të pikërisht ditën e shtunë, dita në të cilën Hyji i gëzohet jetës së bijve të tij!


28/10 E Martë SHËN SIMONI DHE JUDA, Apostuj (P)
Ef 2,19-22; Ps 19 (18); Lk 6,12-16

I thirri nxënësit e vet dhe prej tyre zgjodhi dymbëdhjetë Lk 6,13

Jezusi e ka vënë re që drejtuesit nuk e kanë pranuar dhe prandaj nuk shpreson më kot se mund të bëjë diçka me ta. Duhet të fillojë një popull të ri, e prandaj zgjedh dymbëdhjetë burra, ashtu si Hyji kishte themeluar popullin e lashtë mbi dymbëdhjetë bijtë e Jakobit.
Ai fillon kështu Kishën. Ata që thërret nuk janë të përkryer, janë njerëz, nuk janë ëngjëj! Mos u anko nëse vë re të meta ose mëkate të priftërinjve apo ipeshkvinjve e të krishterëve të tjerë: lutu për ta!


29/10 E Mërkurë XXX K. Gj. V. (II)
Ef 6,1-9; Ps 145 (144); Lk 13,22-30

Unë nuk e di nga jeni ju Lk 13,27

Jezusi është i mirë, por jo naiv. Ai nuk do të mashtrojë askënd. Kush nuk e ndjek dhe nuk hyn nëpër derën e ngushtë do të mbetet aty ku është, jashtë gëzimit të mbretërisë.
Jezus, Zoti im, shpëtomë!


30/10 E Enjte XXX K. Gj. V. (II)
Ef 6,10-20; Ps 144 (143); Lk 13,31-35

Ja, sot e nesër po dëboj djaj e po shëroj Lk 13,32

Jezusi i përgjigjet kështu kujt i thotë se Herodi e kërkon të vdekur! Ai kryen vullnetin e Atit, e prandaj nuk ka frikë prej askujt. Herodit duhet t'i bëhet e ditur pastaj që ai nuk bën asgjë të keqe, përkundrazi, të shëron prej së keqes dhe i bekon pikërisht nënshtetasit e tij, ata që ai i shfrytëzon, ata falë punës së të cilëve ai ha e pi.


31/10 E Premte XXX K. Gj. V. (II)
Fil 1,1-11; Ps 111 (110); Lk 14,1-6

Paçi hir prej Hyjit, Atit tonë dhe prej Jezu Krishtit Zot Fil 1,2

Shën Pali nuk do gjë tjetër veçse që të krishterët e tij ta mbajnë shikimin gjithmonë të kthyer tek Jezusi, dhe, përmes tij, tek Ati. Të mirat më të mëdha vijnë prej së larti.
Edhe unë nuk dëshiroj asgjë më shumë për ty se sa hirin dhe paqen e Hyjit, atë paqe që Jezusi e përhap në zemrat e atyre që e pranojnë. Thuajua edhe ti personave që të rrethojnë me ngrohtësinë e tyre!