DHJETOR 2008

 

DHJETOR 2008
1/12 E Hënë I K. A. (I)
I Lumi Sharl de Fukol († 1916)
Is 2,1-5; Ps 121; Mt 8,5-11

Do të vij dhe do ta shëroj Mt 8,7

Çdo herë që Jezusi vjen, ose më mirë çdo herë që unë i lejoj të vijë, ai zë vend në qenien time, ai sjell aty shërim: shërim të brendshëm, shërim të marrëdhënieve me Hyjin, me sendet, me njerëzit, me veten time, me të shkuarën, me të tashmen e me të ardhmen.
Jezusi është gjithmonë i gatshëm të vijë: unë do ta thërras!


2/12 E Martë I K. A. (I)
Is 11,1-10; Ps 71; Lk 10,21-24

Do t'i gjykojë me drejtësi skamnorët Is 11,4

Do t'i jem mirënjohës Jezusit për Kishën e tij që më ka pritur e mbështjellë me dashuri në varfërinë time. Ajo ka mësuar nga Jezusi, ose më mirë në të jeton Jezusi me dashurinë e tij të drejtë e atërore, që kërkon të mbushë zbrazëtitë e të varfërve, të të vegjëlve.
Tani edhe unë, brenda Kishës, përpiqem të ruaj e të mbroj dashurinë e drejtë dhe të shenjtë të Atit e të Jezusit.


3/12 E Mërkurë I K. A. (I)
Sh. Françesk Ksaveri, meshtar (†1552)
Is 25,6-10; Ps 22; Mt 15,29-37

Më dhimbset ky popull Mt 15,32

Janë fjalët e Jezusit përpara asaj turme, që duke mbartur me vete barrën e dhimbjes njerëzore, dëshiron të rrijë me të për ditë të tëra. "Më dhimbset ky popull". Jezusi është mishërimi i dhembshurisë së Atit që përkulet mbi njerëzimin, ose më mirë vjen në mes të njerëzve, si thotë profeti Isaia, për të zhdukur vdekjen, për të tharë çdo lot, për të përgatitur një festë gëzimi për të gjithë popujt.


4/12 E Enjte I K. A. (I)
Sh. Gjon i Damaskut, meshtar dhe mësues († Shek. VIII)
Is 26,1-6; Ps 117; Mt 7,21.24-27

Kini shpresë në Zotin gjithmonë Is 26,4

Kujt mund t'i besoj plotësisht nëse nuk i besoj Atij që më do dhe më njeh më shumë nga ç'njoh unë veten e më shumë nga çdokush tjetër, që ka në duart e tij jetën time të shkuar, të tashme e të ardhme, që di të drejtojë çdo ngjarje për të mirën time të vërtetë?
Shkëmb i sigurt je ti, Ati im!


5/12 E Premte I K. A. (I)
Is 29,17-24; Ps 26; Mt 9,27-31

Biri i Davidit, ki mëshirë për ne! Mt 9,27

Që prej shekujve të lashtë, Ati u ka premtuar mëshirë njerëzve: Jezusi në kryq është pamja e prekshme e përmbushjes së këtij premtimi.
Po bëj edhe unë tani të vetmin hap të nevojshëm: të shkoj drejt Jezusit me fe, ashtu si bënë dy të verbërit që thërrisnin: "Biri i Davidit, ki mëshirë për ne"!


6/12 E Shtunë I K. A. (I)
Sh. Nikolla, ipeshkëv († Shek. IV)
Is 30,19-21.23-26; Ps 146; Mt 9,35-10,1.6-8

Zoti do të kujdeset për plagën e popullit të vet Is 30,26

Për t'iu gëzuar ardhjes së mjekut dhe të shërimit, duhet të jem i vetëdijshëm se jam sëmurë; për t'iu gëzuar ardhjes së Shpëtimtarit dhe të shpëtimit, duhet të ndjej brenda vetes nevojën. Në këtë kohë të Ardhjes do të përpiqem të zbuloj cilat janë "plagët", me qëllim që Zoti që po vjen, të mundet t'i shërojë.


7/12 E DIEL II K. A. Viti B (II)
Sh. Ambrozi, ipeshkëv dhe mësues († 397)
Is 40, 1-5.9-11; Ps 84; 2Pjt 3,8-14; Mk 1,1-8

Ja, unë po dërgoj lajmëtarin tim para meje Mk 1,2

Takimi me Zotin është një ngjarje shumë e rëndësishme; pra, duhet përgatitur mirë.
Në këtë Ardhje, jetojmë pritjen e Zotit: ai do të vijë e ne do të mund ta njohim më shumë, ta duam më shumë.
Prandaj e presim me gëzim e përvujtëri çdo "lajmëtar" të dërguar për të na përgatitur për ardhjen e tij: fjalën e tij, nxënësit e tij, gjërat që na ndodhin në jetën e përditshme.


8/12 E Hënë ZOJA E PAPËRLYER (P)
Zan 3,9-15.20; Ps 97; Ef 1,3-6.11-12; Lk 1,26-38

Unë jam shërbëtorja e Zotit Lk 1,38

Nëna jonë, sot të vështrojmë në lutje të mbështjellë me pastërti e shenjtëri:
ti je krenaria jonë, besimi ynë, streha jonë, gëzimi dhe forca jonë. Sa të bukura janë fjalët e tua, sa shumë dashuri, sa shumë dorëzim të vetvetes, sa shumë paqe shprehin ato!
Janë të tuat, por ti i vendos edhe në zemrën tonë: secili prej nesh, me ndihmën tënde, i pranon dhe i jeton.

9/12 E Martë II K. A. (II)
Sh. Gjon Didak Kuahtlatoatzin († Shek. XVI)
Is 40,1-11; Ps 95; Mt 18,12-14

Ngrije zërin tënd, mos druaj! Is 40,9

Mrekullitë që Hyji Atë bën për njerëzit janë kaq të mëdha, sa duken... të pabesueshme! Në fakt, për një jo të krishterë, Hyji që bëhet njeri, që provon vdekjen, që kërkon çdo mëkatar si birin e tij, është një e vërtetë e pamendueshme, e pabesueshme.
Por Zoti thotë: "Ngrije zërin tënd, mos druaj": shpallja Lajmin e Mirë njerëzimit që unë e dua!


10/12 E Mërkurë II K. A. (II)
Is 40, 25-31; Ps 102; Mt 11,28-30

Pranoni t'ju mësoj unë që jam zemërbutë e i përvutjë Mt 11,29

Jezusi na fton ta mësojmë përvujtërinë prej tij, jo si një rregull, por sepse në këtë mënyrë "do të gjeni pushim për shpirtrat tuaj".
Një shenjt ortodoks i malit Athos shkruante që një njeri krenar nuk do të gjejë kurrë paqe, por vetëm "kush ka mësuar përvujtërinë e Krishtit, di t'ia lëshojë veten plotësisht Hyjit" dhe kështu të jetojë në paqen që vjen prej tij.


11/12 E Enjte II K. A. (II)
Sh. Damazi I, papë (†384)
Is 41,13-20; Ps 144; Mt 11,11-15

Zoti është i mirë për të gjithë Ps 144,9

Thuhet se për Krishtlindje të gjithë bëhen pak më të mirë. S'ka gjë më të nevojshme e të mirë! Me qëllim që të mos jetë thjesht një sentimentalizëm i ëmbëlsuar dhe i përkohshëm, por të jetë një ndryshim i brendshëm, i vërtetë e i qëndrueshëm, do të ushtrohemi në këtë kohë të Ardhjes të kundrojmë në lutje Hyjin tonë, që është vërtet i mirë ndaj të gjithëve. Duke e parë, do t'i ngjajmë!


12/12 E Premte II K. A. (II)
Sh. Maria Virgjër e Guadalupes
Is 48,17-19; Ps 1 ; Mt 11,16-19

Oh, sikur të kishe pasur kujdes për urdhërimet e mia! Is 48,18

Sa herë jam penduar që nuk kam bërë diçka...
Por e falënderoj Zotin që nuk më ka lënë të bie thellë në hidhërim, por me faljen e tij ka ndërhyrë që të ngrihem sërish e të shëroj plagët nga rënia.


13/12 E Shtunë II K. A. (II)
Shën Luçia, virgjër e martire († Rreth 404)
Sir 48,1-4.9-11; Ps 79; Mt 17,10-13

Elia ka ardhur, por ata nuk e njohën Mt 17,12

Sot kujtojmë Shën Luçinë, emri i së cilës do të thotë dritë.
Prandaj dhe po i kërkoj të lutet për mua që të kem dritë për të shqyrtuar atë çka Zoti do të më thotë; për të kuptuar në ç'drejtim ai do të më udhëheqë; për të parë kur ai "vjen", është i pranishëm dhe vepron në ditët e mia.

14/12 E DIEL III K. A. Viti B (III)
Sh Gjoni i Kryqit, meshtar dhe mësues († 1591)
Is 61,1-2.10-11; kënga: Lk 1,46-50.53-54; 1Sel 5,16-24; Gjn 1,6-8.19-28

Rrafshoni udhën e Zotit! Gjn 1,23

Për ne Krishtlindja është një festë e madhe! Drita, dhurata, takime të pritura familjare, janë shenja të vogla të një ngjarjeje hyjnore që na mbush plot me gëzim: Hyji Atë në Jezusin, Birin e tij të Dashur, na viziton dhe na shpëton akoma.
Tashmë është e shkurtër koha e pritjes: ne e jetojmë me thellësi, duke u përgatitur në pastërti dhe në paqe, në pafajësi dhe në mëshirë: do të vijë të banojë aty Zoti, Hyji i paqes dhe i dashurisë.


15/12 E Hënë III K. A. (III)
Nm 24,2-7.15-17; Ps 24; Mt 21,23-27

Me ç'pushtet je duke bërë kështu? Mt 21,23

Jezusi nuk i përgjigjet kësaj pyetjeje të kryepriftërinjve judenj që kërkonin të gjithë të ruanin autoritetin e vet: ata ishin të përgatitur të mos pranonin asnjë përgjigje.
O Jezus, unë e di që ti bën gjithçka me autoritetin që të vjen prej Atit, prandaj dua të ta nënshtroj ty të gjithë mënyrën time të të menduarit e të të vepruarit. Autoriteti yt mbart vulën e gjakut tënd të derdhur: është autoriteti i atij që ka flijuar jetën për mua.


16/12 E Martë III K. A. (III)
Sof 3,1-2.9-13; Ps 33; Mt 21,28-32

Bir, dil sot e puno në vresht! Mt 21,28

Atë, nëpër Jezusin, Birin tënd të dashur, dua sot të sodis fytyrën tënde: ti më do dhe e mirëpret dashurinë time. Çdo frymëmarrje, çdo lodhje, çdo lot e çdo buzëqeshje të sotme po ta ofroj ty: edhe me to ti do të dish të ndërtosh një "pjesëz" të Mbretërisë sate.


17/12 E Mërkura përpara Krishtlindjes (P)
Zan 49,2.8-10; Ps 71; Mt 1,1-17

Dëgjojeni Izraelin, atin tuaj! Zan 49,2

Izraeli - është emri që Hyji i dha Jakobit - përpara se të bashkohet sërish me etërit e tij, bekon bijtë e tij. Nga pasardhësit e njërit prej tyre, Judës, do të lindë Mesia, Shpëtimtari, Jezusi.
Atë qiellor, na beko ti vetë, dhe edhe nga jeta jonë e bindur "do të lindë" Jezusi: ndokush që ende s'e ka njohur do të mund ta takojë.


18/12 E Enjtja para Krishtlindjes (P)
Jer 23,5-8; Ps 71; Mt 18,24

Mos ki frikë ta marrësh Marinë Mt 1,20

Këto janë fjalët që ëngjëlli i drejton Jozefit. E ndriçon kështu në gjendjen e pakupueshme në të cilën Jozefi dëshironte të vepronte "me drejtësi", domethënë sipas "vullnetit të Hyjit". Sapo merr këtë shenjë, ai nuk ka frikë ta marrë këtë rrugë, që edhe pse shumë e errët, e di që është ajo e drejtë, ajo e Hyjit.
Është sikur ëngjëlli t'i thoshte secilit prej nesh: "Mos ki frikë t'i besosh Hyjit"!


19/12 E Premtja para Krishtlindjes (P)
Gjq 13,2-7.24-25; Ps 70; Lk 1,5-25

Ja çka bëri Zoti për mua! Lk 1,25

Elizabeta nuk mundet ta mbajë vetëm për vete gëzimin dhe habinë për dashurinë e madhe që Hyji deshi t'i tregonte duke i dhuruar një bir. Edhe unë, duke iu arfruar Krishtlindjes, mund të admiroj i mrekulluar, me gëzim dhe shumë mirënjohje dashurinë e Atit.
Edhe unë them: "Ja çka bëri Zoti për mua!": më dha Birin e vet!


20/12 E Shtuna para Krishtlindjes (P)
Is 7,10-14; Ps 23; Lk 1,26-38

Ke gjetur hir përpara Hyjit! Lk 1,30

Mari, Nëna jonë plot dashuri, ti ke gjetur hir përpara Atit: "Do të mbesësh shtatzënë, do të nxjerrësh në dritë një djalë e do ta quash Jezus".
Tani i lutesh Atit që secili prej nesh të mund të marrë pjesë në hirin tënd: që ashtu si ty, të mund të mbartë në vete, dmth të pranojë Jezusin, fjalën e tij, e të mundet pastaj ta nxjerrë në dritë, apo t'ia dhurojë vëllezërve, dhe me vetë dashurinë tënde të mund të shqiptojë me zë të lartë shumë të ëmblin emër të tij: Jezus!


21/12 E DIEL IV K. A. Viti B (IV)
Sh. Pjetër Kanizi, meshtar dhe mësues († 1597)
2Sam 7,1-5.8-12.14-16; Ps 88; Rom 16,25-27; Lk 1,26-38

Të falem, o Hirplote! Lk 1,28

Maria jetonte thjesht dhe e fshehur, por Ati, që e kishte zgjedhur dhe mbushur me hir që në fillim, e shihte; një ëngjëll i lajmëron këtë dashuri të madhe.
Edhe ti je i dashur prej Atit: ji i lumtur dhe dorëzoju atij!


22/12 E Hëna para Krishtlindjes (P)
1Sam 1,24-28; psalm: 1Sam 2,1-4.8; Lk 1,46-55

Shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë Lk 1,48

Kush është i përvuajtur di edhe të jetë mirënjohës për të mirat e marra: ashtu si Ana që i dhuroi Hyjit birin, Samuelin, që ai i kishte dhururar.
Kush është i përvuajtur di edhe të jetë i gatshëm, si Maria, që tha një "po" të plotë, me qëllim që Ati, në mëshirën e tij ta ndihmonte njerëzimin duke i dërguar Shpëtimtarin që ai vetë kishte premtuar: Jezusin.


23/12 E Marta para Krishtlindjes (P)
Sh. Gjoni nga Kety, meshtar († 1473)
Mal 3,1-4.4,23-24; Ps 24; Lk 1,57-66

"Çka thua do të bëhet kjo foshnje? Lk 1,66

Ndonjë baba dhe nënë në pritje ose që mbajnë një fëmijë në krahë, ose që e shohin të hedhë hapat e parë dhe të ngrejë me gëzim sytë e shkëqyeshëm, do të lexojë sot këtë pjesë të Shkrimeve: i referohet Gjon Pagëzuesit, por vlen për çdo fëmijë të krishterë, bir të Atit qiellor, të bashkuar me Hyjin.
Sa shumë kujdes shpirtëror duhet të tregojmë për të vegjëlit tanë, thesaret e Kishës, të dashur prej Hyjit, të thirrur në një mision të papërsëritshëm, të pazëvendësueshëm, të madh!


24/12 E Mërkurë Vigjilja e Krishtlindjes (P)
2Sam 7,1-5.8-12.14,16; Ps 88; Lk 1,67-79

E pa dhe e shpërbleu popullin e vet! Lk 1,68

Duam ta jetojmë këtë ditë të shenjtë vigjiljeje duke u tërhequr në zemrën tonë pranë Jezusit, me ngrohtësi mirënjohëse. Ai na ka dashur, na ka shëlbuar, është gjithmonë me ne: vetëm ky është gëzimi që duam t'ua çojmë edhe vëllezërve tanë.


25/12 E Enjte KRISHTLINDJA (P)
(Nata): Is 9,1-3.5-6; Ps 95; Tit 2,11-14; Lk 2,1-14
(Dita): Is 52,7-10; Ps 97; Heb 1,1-6; Gjn 1,1-18

Sot ju lindi Shëlbuesi! Lk 2,11

Të adhurojmë, Zot Jezus! Tani je me ne ti, Biri i Hyjit! Nga çasti që ti je me ne, unë nuk kam frikë nga asgjë e askush s'mund të më shqetësojë. Me ty nuk kam më frikë nga gjykimi i askujt, sepse nëse ti je me mua, vetë Hyji "duhet" të më trajtojë si një bir!
Të adhuroj, të dua, të dëgjoj, Zoti im Jezus!


26/12 E Premte SHËN SHTJEFNI, Martiri i Parë (P)
Vap 6,8-10; 7,54-59; Ps 30; Mt 10,17-22

Kush do të qëndrojë deri në fund ai do të shëlbohet Mt 10,22

Zoti Jezus e ka përmbushur në mënyrë të përkryer veprën e shëlbimit tonë.
Ne që besojmë në të, e presim me mirënjohje këtë dhuratë të mrekullueshme: e pranojmë duke iu dorëzuar dorës së tij të ditur që ditë pas dite na ofron mënyra konkrete për t'u rritur në hirin e tij.
Të falënderojmë, Shën Shtjefën: ti i ke qëndruar besnik Zotit Jezus deri në fund, e ke dashur duke jetuar e duke vdekur si ai, duke qëndruar në dashuri!


27/12 E Shtunë SHËN GJONI Apostull dhe Ungjilltar (P)
1Gjn 1,1-4; Ps 96; Gjn 20,2-8

Çka pamë e dëgjuam po jua kumtojmë edhe juve 1Gjn 1,3

Faleminderit, Shën Gjon, që e ke kryer me dashuri besnike detyrën e ngarkuar nga Jezusi! Na ndihmo si një vëlla i vërtetë: ndërmjetëso për ne, në mënyrë që kur lexojmë shkrimet e tua, Shpirti i Shenjtë të zbresë i bollshëm mbi ne... dhe edhe ne të mund të jetojmë, të dëgjojmë, të shpallim Jezusin, për gëzimin e shumë vëllezërve.


28/12 E Diel FAMILJA E SHENJTË Viti B (P)
Shenjtërit e pafajshëm, martirë
Zan 15,1-6;21,1-3; Ps 104; Heb 11,8.11-12.17-19; Lk 2,22-40

Dritën që bën të të njohin Ty paganët Lk 2,32

Maria dhe Jozefi, me bindjen e tyre besnike ndaj Atit, krijuan Familjen e Shenjtë, qendra dhe qëllimi i së cilës është Jezusi, "Dritë që bën të njohin Ty paganët".
Edhe në familjet tona, të themeluara mbi bindjen dhe mbi parësinë që i jepet Atit, gjen një vend dhe lavdërohet Jezusi, për jetën e botës!


29/12 E Hënë Dita V e Tetëditëshit (P)
Sh Toma Beket, ipeshkëv dhe martir († 1170)
1Gjn 2,3-11; Ps 95; Lk 2,22-35

Kush e do vëllanë e vet, ai është vazhdimisht në dritë 1Gjn 2,10

Ne të krishterët besojmë se Hyji është Dashuri: prandaj çdo rregull, çdo zakon dhe çdo urdhërim përmblidhet tek dashuria; dhe çdo gjë vërtetohet me provën e dashurisë!
Dhe pikërisht sepse Hyji është Dashuri u bë njeri, vëllai ynë.


30/12 E Martë Dita VI e Tetëditëshit (P)
1 Gjn 2,12-17; Ps 95; Lk 2,36-40

Po ju shkruaj, o të rinj: e mundët djallin 1Gjn 2,13

Shën Gjoni ua drejton këto fjalë të rinjve të krishterë;
në emër të Kishës do të donim edhe ne t'ju drejtoheshim sot veçanërisht juve, vëllezër më të rinj: e njohim, qoftë edhe fare pak, luftën që duhet të bëni për t'i mbetur besnikë Zotit Jezus: ai njeh çdo gjë, ai ju do dhe ju kurorëzon me fitore.
Do ta mbani emrin e tij gjithmonë në zemrën tuaj?


31/12 E Mërkurë Dita VII e Tetëditëshit (P)
Sh. Silvestri I, papë († 355)
1Gjn 2,18-21; Ps 95; Gjn 1,1-18

Drita e vërtetë erdhi në botë Gjn 1,9

Të faleminderit, Zot Jezus, që më ke takuar edhe mua, më të varfrën ndër krijesat e tua. Kur të takova, drita depërtoi në terrin tim: e kuptova që isha i dashur, e kuptova që isha i çmuar për sytë e tu... dhe fillova të jetoj.
Faleminderit që më ke ndriçuar gjatë gjithë këtij viti, që tani ta dorëzoj!