MAJ 2009

1/5 VEN III° T.P. [III]
At 9,1-20; Sal 116; Gv 6,52-59
Unë jam Jezusi që ti po përndjek! Vap 9,5
Hiri i Hyjit e shndërroi plotësisht Saulin: nga përndjekës të Jezusit, të pranishëm e aktiv në Kishën e tij, ai e bëri apostull të përkushtuar ndaj veprës së Zotit të tij; ishte Shpirti i Shenjtë ai që i hapi sytë dhe i lejoi "të shihte" Jezusin, dhe ishte përsëri Shpirti i Shenjtë ai që e bëri ta donte Zotin me gjithë veten e tij. Një vëlla më tha në mirëbesim: "Shpesh lutem të zbresë Shpirti i Shenjtë mbi këtë apo atë person …".
Faleminderit, Jezus, për kë është lutur e lutet edhe për mua!

2/5 SAB III° T.P. [III] m: S. Atanasio, vesc. e dott., † 373)
At 9,31-42; Sal 115; Gv 6,60-69
Shpirti i Shenjtë jep jetë Gjn 6,63
Atë ditë ndjehesha veçanërisht e mjerë dhe e vuajtur, por Jezusi më thirri në shërbim të tij: duhet të pastroja kishën bashkë me një grupth grash. Ia dhurova të gjithë pjesëmarrjen time Jezusit, e vura varfërinë time në duart e tij... Pati shumë gëzim mes nesh, qe gëzimi i Shpirtit të Shenjtë!

3/5 DOM IV° T.P. Anno B [IV] Ss. FILIPPO e GIACOMO, App. [P]
At 4,8-12; Sal 117; 1Gv 3,1-2; Gv 10,11-18
Bariu i mirë jep jetën për delet Gjn 10,11
Zot Jezus, të kundrojmë sot si Bari të mirë.
Hapnai përsëri sytë e zemrës: kështu do të jemi të sigurt se ti je ai që na do, ai që jep jetën e vet, për të qenë ne në jetë.
Do të përsërisim me Apostullin, në gëzim të fshehtë: "Ai më deshi e dha vetveten për mua!"
E asgjë s'do të na mungojë më!

4/5 LUN IV° T.P. [IV]
At 11,1-18; Sal 41-42; Gv 10,1-10
Unë jam dera Gjn 10,9
Dera ofron mundësinë e kalimit në një vend të caktuar. Jezusi e krahason veten e tij me një derë: ai është dera e vërtetë! Kur dëgjojmë e jetojmë fjalën e tij, duke hyrë kështu në vetë jetën e tij, ne mbërrijmë tek Ati, "vend" i gëzimit tonë, i plotësisë sonë.
Dhurona, o Zot Jezus, veshë të vëmenshëm e të ndjeshëm ndaj zërit tënd!

5/5 MAR IV° T.P. [IV]
At 11,19-26; Sal 86; Gv 10,22-30
Ju nuk besoni, sepse nuk jeni nga delet e mia Gjn 10,26
Faleminderit, Zot Jezus, sepse pa mundur të bëjmë gjë për ta merituar, ti na ke bërë "të tutë", na ke bërë delet e tua! Faleminderit për Shpirtin tënd që ke derdhur në ne: ai na dallon prej botës, na bën dhuratën e besimit në ty; ai na drejton të të japim të gjithë pjesëmarrjen e besimin tonë. E ndërsa ne shohim drejt teje me dashuri, e ndërsa ty të dhurohemi, ti na mbush sërish me jetën tënde, na pranon në plotësinë tënde.

6/5 MER IV° T.P. [IV]At 12,24 ? 13,5; Sal 66; Gv 12,44-50
Unë, drita, erdha në botë Gjn 12,46
Ashtu si drita që ndriçon çfarë? Që ndriçon atë çka asnjë njeri, me gjithë shkencën, sforcimin e vullnetin e mirë, nuk ka parë e nuk do të mund të shohë kurrë: Hyjin. Atë Hyj që u bë i dukshëm në Jezusin, atë që u bë i njohur duke ardhur vetë drejt njeriut.
Jezusi është ajo dritë për të cilën profetët kanë mundur të japin një shkëndijë të lehtë, por që vetëm ai bëri të shkëlqejë plotësisht. Alleluia!

7/5 GIO IV° T.P. [IV]
At 13,13-25; Sal 88; Gv 13,16-20
Unë i njoh ata që kam zgjedhur Gjn 13,18
Edhe Judë Iskariotin: Jezusi nuk e zgjodhi gabimisht, e dinte se ai do ta tradhëtonte. E zgjodhi bashkë me të tjerët për t'iu përmbajtur Shkrimit që parashikonte se "po edhe miku im të cilin pata shpresë… që hëngri bukën time, u çua kundër meje" (Ps 41). Jezusi vazhdoi ta donte Judën e të respektonte lirinë e tij: kështu bën edhe me ne, pritet që ne ta pranojmë e t'i përgjigjemi me dashuri!
Eja, Zot Jezus!

8/5 VEN IV° T.P. [IV]
At 13,26-33; Sal 2; Gv 14,1-6
Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa Gjn 14,2
Në shtëpinë e Atit ka shumë banesa, sepse zemra e Atit është e madhe, e pafund.
Në Jezusin, ai ka përgatitur tek vetja e tij një vend për të gjithë e dëshiron me zjarr që të gjithë të ecin në rrugën e drejtë që çon drejt përvojës së dashurisë së tij dhe shijimit të saj në amshim. Mos ki dyshim, është gati një vend edhe për ty: vihu edhe ti në rrugën me Jezusin!

9/5 SAB IV° T.P. [IV]
At 13,44-52; Sal 97; Gv 14,7-14
Zot, na trego Atin Gjn 14,8
Faleminderit, Zot Jezus, që ma ke treguar! Më ke treguar butësinë e tij, dhembshurinë e mirësinë e tij, të parit e tij drejt të vegjëlve, kujdesin që ai ka për mua e për çdo njeri, gadishmërinë e tij të pafund për të më pranuar sërish e për të më falur...
Faleminderit që më ke treguar se sa i vlefshëm jam përpara tij. E vërtet kjo më mjafton, sepse siguria e të qenit i dashur është ajo çka përmbush çdo nevojë timen.

10/5 DOM V° T.P. Anno B [I]
At 9,26-31; Sal 21; 1Gv 3,18-24; Gv 15,1-8
Pa mua nuk mund të blni asgjë Gjn 15,5
Vërtet që për ne të krishterët, nxënësit e Jezusit, angazhimi i parë dhe gëzimi më i madh, ajo çka mund të themi se na karakterizon dhe na përfshin tërësisht, është të qëndrojmë të bashkuar me Jezusin.
Duke e jetuar këtë bashkim, ne bëhemi pjesëmarrës edhe në veprën e shpëtimit të Zotit tonë, ndërkohë që jashtë tij, asgjë nuk sjell fryt në jetën tonë.
O Shpirt i Shenjtë, ti eja, na mëso e na dhuro dashurinë për Jezusin!

11/5 LUN V° T.P. [I]
At 14,5-18; Sal 113; Gv 14,21-26
Atë që më do ma, do ta dojë Ati im Gjn 14,21
Unë përpiqesha ta jetoja konkretisht fjalën e Jezusit: "Jepni e do t'ju jepet"; më binte rasti shpesh e më kushtonte disi...
Një mëngjes të bukur vura re që dora e Atit më dhuronte edhe mua atë çka unë isha përpjekur t'u jepja vëllezërve. Është diçka e bukur, është jetë e vërtetë, të duash e të të duan!

12/5 MAR V° T.P. [I]
At 14,19-28; Sal 144; Gv 14,27-31
Po shkoj dhe do të vij përsëri te ju Gjn 14,28
"Mungesa" e Jezusit është gjithmonë e përkohshme, një çast kalimtar. Ashtu siç e jetuam mungesën e tij duke e kundruar në lutje hyrjen e tij brenda vdekjes, e tani gjatë kohës së pashkëve, ne jetojmë gëzimin e kthimit të tij si i ringjallur, kështu jetojmë edhe çaste vetmie e dhimbjeje, çaste "pa Jezusin", por më pas do ta takojmë akoma më nga afër, duke bërë përvojën e besnikërisë së tij.
Po shkoj e do të kthehem tek ju!

13/5 MER V° T.P. [I] (m: B. V. Maria di Fatima)
At 15,1-6; Sal 121; Gv 15,1-8
Unë jam hardhia e vërtetë Gjn 15,1
Për Hebrenjtë hardhia ka qenë një imazh plot kuptim: ajo, në të vërtetë, tregonte në Shkrimet Popullin e Hyjit.
Jezusi e zbaton tek vetvetja dhe tek Kisha e tij këtë pamje kaq të bukur: ne të krishterët formojmë me Jezusin, Zotin tonë një qenie të vetme, një jetë të vetme, një "hardhi" të vetme, të cilën Ati e do e për të cilën ai kujdeset. Ky bashkim i çmuar ushqehet çdo ditë nëpërmjet bindjes në dashuri ndaj fjalës së Jezusit.

14/5 GIO V° T.P. [I] S. MATTIA, Ap. [P]
At 1,15-17.20-26; Sal 112; Gv 15,9-17
Unë ju kam zgjedhur ju Gjn 15,16
Shën Matia, festën e të cilit kremtojmë sot, u zgjodh prej Zotit për t'u bërë Apostull i tij, dëshmitar i ringjalljes së tij.
Faleminderit, Zot Jezus,që ke zgjedhur gjithësecilin prej nesh: kështu patëm mundësinë të të njohim të gjallë e të shijojmë dashurinë tënde. Ndihmona sot e gjithmonë të të dëshmojmë ty me një jetë të gëzuar e besnike ndaj fjalës tënde.

15/5 VEN V° T.P. [I]
At 15,22-31; Sal 56; Gv 15,12-17
Ju jeni miqtë e mi Gjn 15,14
Ne të krishterët që përpiqemi ta jetojmë fjalën e Jezusit zotërojmë dhuratën e paçmueshme të miqësisë së tij; ne jetojmë në bashkim me të, bashkëndajmë vetë jetën e tij: tek ai ne marrim gjithë dashurinë e Atit, tek ai ne i dhurojmë Atit gjithë dashurinë tonë, me një "dhënie fryme" të vazhdueshme, që është Shpirti i Shenjtë.

16/5 SAB V° T.P. [I]
At 16,1-10; Sal 99; Gv 15,18-21
Shërbëtori nuk është më i madh se i zoti Gjn 15,20
Çdo i krishterë e konsideron nder të madh të jetojë atë çka Jezusi ka jetuar, edhe mospranimin, edhe kryqin, të cilat vijnë prej keqdashjes së armikut. Ashtu si Zoti i tij, i krishteri jeton gjithçka në dashuri; ai ndërmjetëson për shpëtimin e atij që është bërë pre e armikut dhe vegël e tij e cili i bën keq.

17/5 DOM VI° T.P. Anno B [II]
At 10,25-27.34-35.44-48; Sal 97; 1Gv 4,7-10; Gv 15,9-17
Duajeni njëri - tjetrin Gv 15,17
Për ne të krishterët, nxënësit e Jezusit, dashuria e ndërsjelltë është shumë e rëndësishme: është urdhërimi që na ka dhënë Zoti ynë.
Kjo dashuri veçse, nuk është qëllim në vetvete; ajo është mënyra konkrete me të cilën mund t'i themi Jezusit: "Dashuria jote është e gjitha për mua".
Përsëri, forca për ta jetuar dashurinë nuk vjen prej nesh: është fakti që ai na do që na bën neve të aftë ta duam njëri - tjetrin.

18/5 LUN VI° T.P. [II]
At 16,11-15; Sal 149; Gv 15,26 - 16,4
Edhe ju do të më dëshmoni Gjn 15,27
Në ambjentin në të cilin unë jetoj, të gjithë e dinë se jam e krishterë: gjithçka unë bëj pra, dëshmon për mirë apo për keq fenë e krishterë, Kishën, Jezusin.
Të jetuarit tim në mënyrë të krishterë mund ta shoh domethënë me gëzim si të bërit e një figure të mirë për Jezusin; dhe këtë gjë duke u mbështetur tek Shpirti i Shenjtë, e kryesisht atëherë kur të jesh dëshmitar do të thotë të jesh "martir" e të vuash.

19/5 MAR VI° T.P. [II]
At 16,22-34; Sal 137; Gv 16,5-11
Tani po shkoj tek ai që më dërgoi Gjn 16,5
Jezusi thuajse iu bërtiti të tijëve që i kishte zënë trishtimi kur i kishte lajmëruar për kthimin e tij tek Ati përmes vuajtjesh e vdekjes! Ai dëshiron të më japë zemër edhe mua kur mua më zë frika e kthimit tim tek vetë ai Atë që më do!

20/5 MER VI° T.P. [II]
At 17,15.22 ? 18,1; Sal 148; Gv 16,12-15
Kam edhe shumë gjëra të tjera për t'ju thënë Gjn 16,12
Ndonjëherë na duket se jeta jonë në besim e ka arritur tashmë qëllimin e saj, se nuk ka më vend për përparim, se nuk mund të presim asgjë të re më në marrëdhënien me Jezusin. Por Jezusi na thotë: "Kam ende shumë gjëra për t'ju thënë".
Asnjëherë nuk do të reshtim së njohuri Jezusin akoma më thellësisht, në mënyra të reja. E kushedi ç'të papritura ai ruan për ne!

21/5 GIO VI° T.P. [II]
At 18,1-8; Sal 97; Gv 16,16-20
Unë po shkoj tek Ati Gjn 16,17
Për Jezusin është gëzim i madh të kthehet pranë Atit, pasi ka përmbushur misionin që ai i ka ngarkuar. Në këtë "kthim" të tijin ai nuk na braktis: që prej gjirit të Atit, vend i gëzimit të tij, meqë na ka dashur duke dhuruar tërë jetën e tij, ai do të mund të na vizitojë në një mënyrë të re: duke na mbushur me Shpirtin e Shenjtë ai do të vijë jo më thjesht pranë nesh, por tashmë brenda nesh. Është vërtet e mrekullueshme aleanca jote, o Zot Jezus!

22/5 VEN VI° T.P. [II]
At 18,9-18; Sal 46; Gv 16,20-23
Mos ki firkë, por fol e mos hesht Vap 18,9
Janë fjalët me të cilat Jezusi i jep zemër Shën Palit. Jezusi është vërtet i ringjallur e në jetë përbri nesh dhe e sheh se kur kemi nevojë për inkurajim apo për një shenjë të të pasurit të tij pranë.
Unë e falënderoj që më mbështet e më bën më të fortë nëpërmjet fjalëve apo gjesteve të vëllezërve, apo nëpërmjet fakteve të vogla: e më ngjan si të dëgjoja zërin e tij të më thotë: "Mos ki frikë, vazhdo …"

23/5 SAB VI° T.P. [II] Novena di Pentecoste
At 18,23-28; Sal 46; Gv 16,23-28
Nuk ju them se do t'i lutem Atit për ju Gjn 16,26
"Nuk ju them se do t'i lutem Atit për ju"… Përkundrazi, as kjo nuk është e nevojshme, na thotë Jezusi: mjafton ta shqiptojmë emrin e tij me dashuri; kjo është e vetmja gjë të cilën Ati pret që të mund të na dhurojë gjithçka kemi vërtet nevojë, që na mbushë me dashurinë e tij, me jetën e tij, me Shpirtin e tij të Shenjtë.

24/5 DOM ASCENSIONE del SIGNORE Anno B [P]
At 1,1-11; Sal 46; Ef 4,1-13; Mc 16,15-20
Ai që do të besojë e do të pagëzohet, do të shpëtojë Mk 16,16
Në këtë festë të madhe, Zot Jezus, ne kremtojmë përlëvdimin tënd në të djathtë të Atit e sjellim në mend misionin që ti, duke u ngjitur në qiell, i i besove Kishës tënde: me anë të shpalljes të saj njerëzit do të besojnë në ty, do të marrin pagëzimin e do të shpëtohen.
Faleminderit, Zot Jezus, që në këtë mision, ne, Kisha jote, nuk jemi vetëm: ti, plot fuqi në të djathtë të Atit, je përherë me ne. Alleluiah!

25/5 LUN VII° T.P. [III]
At 19,1-8; Sal 67; Gv 16,29-33
Unë nuk jam vetëm, sepse Ati është me mua Gjn 16,32
Jezusi na ka dhënë shembullin prej të cilit mund të marrim dritë e forcë në çdo çast të jetës. Ai jetoi çdo çast të jetës në tokë në bashkim me Atin, e në këtë bashkim ai gjeti paqe në çdo situatë, edhe në momentin e braktisjes prej të tijëve e të vetë vdekjes së tij.

26/5 MAR VII° T.P. [III] (m: S. Filippo Neri, sac., † 1595)
At 20,17-27; Sal 67; Gv 17,1-11
I kam shërbyer Zotit me shumë përulësi Vap 20,19
Shumë vëllezër e motra tonat në Kishë i shërbejnë Zotit me përvujtni: ne e shohim këtë me sytë tanë e kjo gjë na gëzon, e dëshirojmë të bëjmë si ta. Famullitarë që kërkojnë mënyra gjithonë të reja e të thjeshta për t'ua çuar Jezusin deleve të veta, gra që duke ndihmuar e këshilluar njëra - tjetrën, i mbajnë të pastra e të bukura kishat tona për kremtimet e shenjta, fëmijë që lënë lojërat për të shërbyer në altar... Faleminderit Jezus, që i beson secilit prej nesh një detyrë qoftë edhe të vogël, por të çmuar në sytë e tu Atërorë!

27/5 MER VII° T.P. [III]
At 20,28-38; Sal 67; Gv 17,11-19
Po ju lë në dorë të Hyjit Vap 20,32
Të pasurit besim te Zoti është mbrojtja më e mirë me të cilën mund të rrethojmë të dashurit tanë, është mënyra më e mirë për të ofruar diçka e për të mbështetur rritjen e tyre në besim.
Të kemi besim tek Zoti Jezus i ringjallur e në jetë e t'i besojmë gjithçka atij është më e mira që mund të bëjmë, në çdo situatë.

28/5 GIO VII° T.P. [III]
At 22,30; 23,6-11; Sal 15; Gv 17,20-26
O Atë i drejtë, bota nuk të njohu Gjn 17,25
Jezusi para mundimeve, lutet me shumë forcë për të tijët. Vërtet, ai e di se ata do të duhet të vazhdojnë veprën jetike që ai vetë ka nisur: t'i bëjë të njohur fytyrën e Atit asaj bote, që duke mos e njohur, jeton në errësirën e dhunës, të urrejtjes, të egoizmit.
Eja Shpirt i Shenjtë, dërgo prej qiellit një rreze të dritës tënde!

29/5 VEN VII° T.P. [III] Ss. SISINIO, MARTIRIO e ALESSANDRO, Martiri, † 397 [P]
Ap 7,9-17 (opp.: 2Cor 2, 2,14 - 3,3); Sal 125; Gv 12,24-26 (a Trento)
At 25,13-21; Sal 102; Gv 21,15-19
A më do ti? Gjn 21,15
Zot Jezus, sot dua ta marr seriozisht pyetjen që i drejtove Pjetrit, e që i drejton të gjithë nxënësve të tu. Do të jem i vëmendshëm që zemra ime të jetë gjithmonë jotja, o Zoti im që më shpëton e më do pafundësisht.
Në festën tuaj, Shenjtë Martirë Sisin, Martir e Aleksandër, ju kërkoj ndihmë edhe juve, që më keni dhënë një shembull kaq të mrekullueshëm dashurie për Jezusin!

30/5 SAB VII° T.P. [III]
At 28,16-20.30-31; Sal 10; Gv 21,20-25
Zot, kush është ai që po të tradhëton? Gjn 21,20
Zot Jezus, ne e njohim tashmë dobësinë tonë, e kemi parë shpesh herë se pa ty s'jemi të aftë për asgjë, nuk kemi forcë të të qëndrojmë besnikë. Kjo na bën të të besohemi më shumë ty. Faleminderit që nesër, ditën e Rrëshajëve, do ta vizitosh sërish Kishën tënde me dhuratën e Shpirtit tënd të Shenjtë: ai është dhurata që ti na ke premtuar, ai do të jetë forca e dashurisë sonë.

31/5 DOM PENTECOSTE Anno B [P]
At 2,1-11; Sal 103; Gal 5,16-25; Gv 15,26-27; 16,12-15
Ai do të më përlëvdojë Gjn 16,14
Zot Jezus, ti e di që Shpirti i Shenjtë të njeh ty dhe njeh Atin! Është pikërisht ai që të jep lavdi, duke na e hapur mendjen për të kuptuar se je ti dija e vërtetë, për të të pranuar në mënyrë që ti të mbushësh zbrazëtirat e formimit tonë, e për të marrë prej teje dritën dhe paqen e shenjtërimit tonë. Ne mund të të njohim e të të pranojmë vetëm në sajë të dritës së Shpirtit të Shenjtë!