2010 

1/2 E hënë IV K.GJ.V. [IV]
Shën Aldo
2Sam 15,13-14.30; 16,5-13; Ps 3; Mk 5,1-20
Shpirt i ndytë, dil prej këtij njeriu! Mk 5,8
Cili është shpirti i ndyrë që duhet të dalë? Shpirti i krenarisë, i mosbesimit, i papastërtisë, i zilisë, i thashethemeve keqdashëse... Zot Jezus, nëse e lë veten time të pastrohet prej fjalës sate krijuese, Fjalë e Hyjit, ti ma ripërtërin jetën, e bën atë burim uji të pastër që jep jetë ngado shkon. Shqiptoje Fjalën tënde mbi mua, Jezus, e unë do të pastrohem!

2/2 E martë KUSHTIMI I KRISHTIT në Tempull [P]
Mal 3,1-4 (ose Heb 2,14-18); Ps 23; Lk 2,22-40
Ty një shpatë do të ta shporojë shpirtin Lk 2,35
Nëse shohim Marinë, vëmë re se besnikëria e saj ndaj Hyjit dhe Fjalës së tij i kushton dhimbje pas dhimbjesh. Edhe në çastet më të hareshme, si kur falënderon Hyjin për jetën e Jezusit, hija e vuajtjes nuk largohet prej saj. Faleminderit, Mari, për "po"-në tënde të përvujtur e besnike!

3/2 E mërkurë IV K.GJ.V. [IV]
Sh. Vlashi, ipeshkëv dhe martir (†shek. IV)
2Sam 24,2.9-17; Ps 31; Mk 6,1-6
Profeti ndahet pa nder vetëm në vendin e vet Mk 6,4
Jezusi nuk shpërfill të quhet profet për ata të Nazaretit. Por ai vë re se pjesa më e madhe e tyre nuk është e gatshme ta pranojë në këtë rol dhe është e mbyllur ndaj ripërtëritjes që ai propozon. Ai çuditet; gjithsesi ndokush ia hap derën për t'u shëruar.

4/2 E enjte IV K.GJ.V. [IV]
Sh. Veronika
1Mbr 2,1-4.10-12; 1Kro 29,10-12; Mk 6,7-13
Ji i fortë dhe ji njeri 1Mbr 2,2
Për Salomonin kjo porosi e mbretit David, të atit, donte të thoshte angazhim me gjithë zemër për t'u qëndruar besnik detyrimeve dhe urdhërimeve të ligjit të Moisiut, si dhe ecje me ndershmëri përpara Hyjit. Kjo fjalë, përveç nxitjes për bindje ndaj dhjetë urdhërimeve, na porosit të jetojmë në shpirtin e Lumnive. Dhe Ati do të na sigurojë për shpërblimet e tij dhe përhapjen e Kishës së vet.

5/2 E premte IV K.GJ.V. [IV]
Sh. Agata, virgjër dhe martire(† rreth 250)
Sir 47,2-13; Sal 17; Mc 6,14-29
S'guxon ta mbash gruan e vëllait tënd Mc 6,18
Shumë veta ndjekin ndjenjat e veta, dhe kështu braktisin ndonjëherë besnikërinë martesore. Të krishterët që besojnë tek Jezusi, dëshmitari besnik i Atit, udhëhiqen prej tij, i cili qëndroi i bindur deri në vdekje e në vdekjen në kryq. Besnikëria e tyre bëhet në këtë mënyrë një dashuri që kapërcen edhe mëkatin e mundshëm të bashkëshortit.

6/2 E shtunë IV K.GJ.V. [IV]
Sh. Pal Miki dhe shokët, martirë, († 1597)
1Mbr 3,4-13; Ps 118; Mk 6,30-34
Ejani… e pushoni pak në vetmi Mk 6,31
Jezusi, shëmbëllimi i Atit qiellor, di t'u japë dishepujve të vet çlodhjen e vërtetë, duke i marrë veçmas me vete. Ndonjëherë ai na fton edhe ne për ndonjë ditë tërheqjeje me të, për t'iu gëzuar pranisë së tij dhe fjalës së tij në heshtje; kjo është një dhuratë që duhet pranuar me mirënjohje: do të kthehet në dhuratë për besimin dhe gëzimin e shumë të tjerëve!

7/2 E diel V K.GJ.V. Viti C [I]
Shën Rikardi
Is 6,1-2.3-8; Ps 137; 1Kor 15,1-11; Lk 5,1-11
Pasi po thua ti, do t'i qes rrjetat Lk 5,5
Edhe ne, sikundër Pjetri, mund t'i besojmë Fjalës e ta pranojmë; prandaj dhe kemi qenë dëshiruar, krijuar e dashur! Ashtu si Pjetri ne mund të shohim kështu qenien tonë të shndërrohet nga trishtimi i dështimeve, lodhjeve e vuajtjeve, në një jetë të dobishme për Mbretërinë e Hyjit, për gëzimin e shumë vetëve!

8/2 E hënë V K.GJ.V. [I]
Sh. Jeronim Emiliani († 1537); Sh. Jozefina Bakhita, virgjër († 1947)
1Mbr 8,1-7.9-13; Ps 131; Mk 6,53-56
Të gjithë ata që e preknin shëroheshin Mk 6,56
Thjesht prekja e mantelit të Jezusit shëron e... çfarë do të ndodhë nëse e pranojmë në zemër? Për shën Bakitën ky pranim u bë kalim nga vuajtjet poshtëruese të skllavërisë në dhurimin e vetes si bijë e Hyjit, u bë kalim nga ngurtësia e zinxhirëve në gëzimin e të vrapuarit e lirë në udhën e shenjtërisë.

9/2 E martë V K.GJ.V. [I]
Sh. Apolonia
1Mbr 8,22-23.27-30; Ps 83; Mk 7,1-13
Denjohu ta plotësosh lutjen e shërbëtorit tënd 1Mbr 8,30
Prej shumë vjetësh i paraqes Hyjit një lutje e cila ende nuk është përmbushur plotësisht. I ngre sërish duart drejt teje o Atë, në emër të Jezusit, Birit tënd! E di që ti do të më përgjigjesh e do të ndërhysh në kohën e duhur, sepse ke premtuar se kujt troket në zemrën tënde me këmbëngulje e përvujtëri do t'i hapet! Do të vij tek ti me vëllezërit! Faleminderit, Atë i mirë!

10/2 E mërkurë V K.GJ.V. [I]
Sh. Skolastika, virgjër (rreth † 542)
1Mbr 10,1-10; Ps 36; Mk 7,14-23
Më dëgjoni të gjithë dhe mbani mend Mk 7,14
Zoti Jezus e di se fjala e tij është jetike për njeriun, prandaj i fton të gjithë ta dëgjojnë me vëmendje për të kuptuar mirë çka na thotë për ta jetuar fjalën e tij. Nuk do lejojmë të na shpëtojnë rastet: Mesha e Shenjtë, grupet e Ungjillit, katekizmi... do të gjejmë dritë, çlodhje, paqe për jetën tonë!

11/2 E enjte V K.GJ.V. [I]
Sh. Maria Virgjër e Lurdit
1Mbr 11,4-13; Ps 105; Mk 7,24-30
Edhe këlyshët hanë nën tryezë dromcat e fëmijëve Mk 7,28
Kur Jezusi sheh në ne përvujtëri e dashuri për atë që vuan, është i gatshëm të na i plotësojë kërkesat për ndihmë, siç bëri me gruan për të cilën flet ungjilli i sotshëm.
Mari, Nëna e Papërlyer, na ndihmo të jemi të përvujtur e të duam!

12/2 E premte V K.GJ.V. [I]
Shën Aleksi
1Mbr 11,29-32; 12,19; Ps 80; Mk 7,31-37
E ndau prej popullit veçmas… Mk 7,33
Jezusi nuk e do popullaritetin, por dëshiron që çdo njeri ta takojë personalisht e ta pranojë si Bir të Hyjit! Më i rëndësishëm se shërimi është takimi sy më sy me të!

13/2 E shtunë V K.GJ.V. [I]
Shën Maura
1Mbr 12,26-32; 13,33-34; Ps 105; Mk 8,1-10
Më dhimbsen këta njerëz Mk 8,2
Jezusi ndjen dhembshuri për të gjithë ata që përpiqen, si kjo turmë, t'i kushtojnë më shumë rëndësi dëgjimit të Fjalës së tij se sa gjërave të tjera. Kështu ai kujdeset për ta, i ushqen me bollëk me bukën e tij, paqen e tij, ngushëllimin e tij. Faleminderit, Jezus, buka e jetës: ti u dhurohesh të gjithë atyre që të dëgjojnë e të ndjekin!

14/2 E diel VI K.GJ.V. Viti C [II]
Sh. ÇIRILI, murg († 859) dhe METODI, ipeshkëv († 885), Pajtorët e Evropës
Jer 17,5-8; Ps 1; 1Kor 15,12.16-20; Lk 6,17.20-26
Të lumët ju o skamnorë, sepse juve ju përket Mbretëria e Hyjit Lk 6,20
Zgjedhja e të jetuarit në varfëri duke u mbështetur te kjo fjalë dhuron vërtet lumni: i ofron mundësi Atit të ndërhyjë në jetën tonë. Falënderojmë sot shenjtërit tanë pajtorë Çirilin dhe Metodin, të cilëve u detyrohemi shumë për sa, në kulturën evropiane, çon në bashkim, në bujarinë kundrejt të varfërve, në paqe.

15/2 E hënë VI K.GJ.V. [II]
Jak 1,1-11; Ps 118; Mk 8,11-13
Kështu do të thahet edhe pasaniku në ndërmarrjet e veta Jak 1,11
I pasuri që kërkon madhështinë e vet para njerëzve thahet si një lule pa ujë. Hyji, burim jete, qëndron përballë planeve të tij dhe ia jep të mirat e tij të varfërve, të lumtur në përvujtërinë e tyre.
Faleminderit, Jezus, për çdo herë që na ke ndihmuar ta pranojmë e të gëzohemi me poshtërimin, duke pranuar në këtë mënyrë paqen tënde!

16/2 E martë VI K.GJ.V. [II]
Shën Klaudio
Jak 1,12-18; Ps 93; Mk 8,14-21
Çdo dhuratë e mirë dhe çdo dhunti e përsosur është prej së larti Jak 1,17
Shën Jakobi i siguron dhe u jep zemër të krishterëve të shpërndarë në botë që të mos kenë frikë, përkundrazi, të gëzohen me besimin e tyre. Edhe pse bombardohen nga ideologji që propozojnë rrugë të tjera për të mbërritur tek Hyji, ata duhet të dinë se "çdo dhuratë e përkryer", domethënë Shpirti Shenjt dhe gjithçka që ai krijon, vjen veç prej Atit. Nëpërmjet atij mund të jetojnë një marrëdhënie mirëbesimi me Hyjin dhe solidariteti me njerëzit, duke përjetuar dashurinë e vërtetë të Hyjit. Këto "dhurata" nuk gjenden kurrkund tjetër!

17/2 E MËRKURA E PËRHIME [P]
Shtate shenjtërit themelues të Rregullit të Shërbëtorëve të Sh. Marisë V. (shek. XIV)
Jl 2,12-18; Ps 50; 2Kor 5,20 - 6,2; Mt 6,1-6.16-18
Lutju Atit tënd që është në fshehtësi Mt 6,6
Në fillim të kësaj kohe hiri dhe kthimi që është Kreshma, Jezusi na jep Shpirtin e vet të Shenjt. Ai na zbulon se Hyji është baba e na këshillon të bëjmë çka i pëlqen atij: t'i kushtojmë kohë për ta dëgjuar, t'i ofrojmë jetën, t'i hapim zemrën e duart atij që vuan, të kërkojmë ndihmën e tij!

18/2 E enjte K.K. [IV]
Shën Simoni
Lp 30,15-20; Ps 1; Lk 9,22-25
Kush ta humbë jetën e vet për shkakun tim, do ta shpëtojë Lk 9,24
"Askush nuk mund t'i shërbejë dy zotërinjve", thotë Jezusi. Kur "flijojmë" veten tonë, duke zgjedhur vullnetin e Atit ndaj asaj që na pëlqen, hyjnë brenda nesh shpëtimi dhe jeta e Hyjit: Ai derdh në kraharorin tonë një masë mirësie mjaft të bollshme. Ati nuk e lë veten të mundet në bujari!

19/2 E premte K.K. [IV]
Sh. Bonifaci
Is 58,1-9; Ps 50; Mt 9,14-15
Do ta thërrasësh e ai do të përgjigjet: "Këtu jam" Is 58,9
Zoti premton ta dëgjojë lutjen tonë, të na ndihmojë me praninë e tij, të na japë guxim dhe forcë. E gjitha kjo nëse përpiqemi të kemi një marrëdhënie drejtësie e dashurie me të afërmin tonë. Kjo është pendesa që i pëlqen atij.

20/2 E shtunë K.K. [IV]
Shën Eleuteri
Is 58,9-14; Ps 85; Lk 5,27-32
Ma ruaj shpirtin se jam i devotshmi yt Ps 85,2
Kur ndodhemi në shtrëngesë mund të strehohemi tek Zoti Hyj, Ati i mirë, me besim birnor. Do t'i drejtohemi atij, burim jete e paqeje, duke i ofruar besnikërinë tonë: një bindje e përditshme e zbatuar me dashuri.

21/2 E diel I K.K. Viti C [I]
Sh. Pjetër Damiani, ipeshkëv dhe mësues († 1072)
Lp 26,4-10; Ps 90; Rom 10,8-13; Lk 4,1-13
Adhuro Zotin, Hyjin tënd dhe vetëm atij shërbeji Lk 4,8
Kemi tundimin t'i ngulitim sytë dhe zemrën mbi gjërat e kësaj bote, duke vendosur në to shpresat dhe pritjet e jetës sonë.
Jezusi, miku dhe shpëtimtari ynë, na urdhëron të vëmë në vendin e parë, domethënë të adhurojmë, vetëm Hyjin. Duke vepruar kësisoj do të shohim se prej tij burojnë jetë e mirësi e bollshme për të gjithë.

22/2 E hënë Katedra e shën Pjetrit, Apostull [P]
1Pjt 5,1-4; Ps 22; Mt 16,13-19
Ti je Mesia, Biri i Hyjit të gjallë Mt 16,16
Fakti që Pjetri njeh tek Jezusi Birin e Hyjit nuk është fryt i inteligjencës së tij, por fryt i veprës së Hyjit në të. Jezusi pohon dhe e bën akoma më të dukshme këtë vepër hyjnore, duke i dhënë Pjetrit në mënyrë të qëndrueshme "autoritet", atë të Hyjit! Ajo çka Kisha pohon, propozon dhe mëson nëpërmjet Papës duhet pranuar si prej Zotit: kritika dhe refuzimi mund të vijnë nga jobesimtarët, por jo nga ata që e quajnë veten të krishterë.

23/2 E martë I K.K. [I]
Sh. Polikarpi, ipeshkëv dhe martir (†155)
Is 55,10-11; Ps 33; Mt 6,7-15
Prandaj lutuni kështu: Ati ynë Mt 6,9
Jemi pra bij e vëllezër!
Jezusi na bën ta fillojmë Lutjen me këto fjalë që tingëllojnë si thirrje e fuqishme për përvujtëri dhe unitet. Pastaj na kujton se bijtë vënë në vend të parë vullnetin e Atit e atij i besohen.

24/2 E mërkurë I K.K. [I]
Sh. Modesti
Jon 3,1-10; Ps 50; Lk 11,29-32
Secili njeri le të kthehet nga sjellja e vet e mbrapshtë dhe nga dhuna që bën Jon 3,8
Hyji, që është dashuri, u dërgon gjithmonë njerëzve, të shpërndarë e të korruptuar, lajmësit e tij për t'i nxitur drejt kthimit. Do t'i bindemi sërish atij e kështu do të gjejmë sërish një jetë të qetë e dinjitoze, plot me çdo lloj vepre të mirë. Faleminderit, Atë i mëshirshëm!

25/2 E enjte I K.K. [I]
Sh. Viktorini
Es 4,1.3-5.12-14; Ps 137; Mt 7,7-12
Kush trokëllit, i çelet Mt 7,8
Jezusi na nxit të mos angështohemi për të nesërmen e as të mos shqetësohemi që të ruajmë fytyrën përpara njerëzve, si ata që jetojnë pa Atin. Ai na shtyn të kërkojmë para së gjithash vullnetin e tij e të mirat e tij. Nëse i kërkojmë me besim dhe këmbëngulje këto të mira, ai do të e përmbushë lutjen!

26/2 E premte I K.K. [I]
Sh. Aleksandri (Leka)
Ez 18,21-28; Ps 129; Mt 5,20-26
Lëre dhuratën tënde aty para lterit e shko e pajtohu Mt 5,24
Jezusi, mësues jete, na mëson të kërkojmë, nga ana jonë, harmoninë me të gjithë, para se t'i paraqitemi atij për ta lutur apo për të kremtuar zemërdhembshurinë e tij. Faleminderit, Zot, drita dhe shpëtimi ynë!

27/2 E shtunë I K.K. [I]
Sh. Gabrieli
Lp 26,16-19; Ps 118; Mt 5,43-48
Të bëheni bij të Atit tuaj që është në qiej Mt 5,45
Bëhuni, pra, të ngjashëm me të! Ai bën të lindë dielli mbi të këqijtë e mbi të mirët, ose ai nuk përjashton askënd nga dashuria e tij. Ne që kemi marrë hirin për ta quajtur Atë, kemi gëzimin që t'i ngjajmë, të marrim jetën e tij, që është dashuri, dhe pra që të mund t'i duam të gjithë, deri edhe "armiqtë"!

28/2 E diel II K.K. Viti C [II]
Sh. Romani
Zan 15,5-12.17-18; Ps 26; Fil 3,17 - 4,1; Lk 9,28-36
Ndërsa ky zë po jehonte, Jezusi mbeti vetëm Lk 9,36
Jezusi, pasi u shfaq për një çast i shndërruar, mbetet vetëm me Pjetrin, Jakobin e Gjonin; mbetet Jezusi i përditshëm, pa shkëlqimin e amshuar të lavdisë. Përveç tij nuk ka asnjë mësues tjetër, asnjë shpëtimtar tjetër. Vetëm ai mund të na thotë: "Çohuni, mos kini frikë ".
Jezus, ti je Hyji i vërtetë dhe jeta e amshuar, ti na shoqëron çdo ditë në shërbimin tonë.

BACK UP

HOME PAGE