2010 

1/5 E shtunë IV K.P. [IV]
Shën Jozefi Punëtor
Vap 13,44-52; Ps 97; Gjn 14,7-14
Kush më ka parë mua, ka parë edhe Atin Gjn 14,9
Ja pse është e rëndësishme ta mbajmë shikimin të ngulitur në Jezusin! Kur e shohim, shohim Atin: shohim atë që na jep jetën dhe na pret, atë që na do dhe që pranon dashurinë tonë! Kur e kemi në sy e kemi edhe në zemër, gjithë ditën: kështu edhe puna jonë për të fituar jetesën kthehet në dashuri dhe në rast për të përçuar jetën e vërtetë!

2/5 E diel V K.P. Viti C [I]
Sh. Atanazi, ipeshkëv dhe mësues († 373)
Vap 14,21-27; Ps 144; Zb 21,1-5; Gjn 13,31-33.34-35
Po ju jap një urdhër të ri: duajeni njëri-tjetrin Gjn 13,34
Për t'u dashur ndërsjelltas nuk mjafton thjesht të duash. Kur unë dua, nëse vetëkënaqem që jam i aftë të dua, kjo kënaqësi bën të lindë në mua krenaria. Edhe djalli ia del të bëjë mirë në pamje të parë e kështu na mashtron: na bën të besojmë se na do. Jezusi na urdhëron që jo vetëm të duam, por edhe të pranojmë dashurinë e vëllezërve: për ta bërë këtë duhet të jemi të përvujtur. Djalli nuk e duron përvujtërinë që na bën të hyjmë drejt e në zemrën e Hyjit!

3/5 E hënë Shën Filipi dhe Jakobi, apostuj [P]
1Kor 15,1-8; Ps 18; Gjn 14,6-14
Unë jam udha, e vërteta dhe jeta Gjn 14,6
Jezusi na zbulon se ai është për ne: është ai i cili na bën të gëzojmë dashurinë e Atit. Ai na shfaq bukurinë e dashurisë së tij e na e bën ta shohim këtë bukuri brenda të gjitha gjërave, edhe brenda fakteve që na prekin. E vërteta është dashuria që Ati fsheh gjithandej, deri edhe në atë çka na bën të vuajmë. Kështu ai na bën të jetojmë një jetë në gëzim, në atë gëzim që askush nuk do mund të na e heqë!

4/5 E martë V K.P. [I]
Sh. Floriani (Luli)
Vap 14,19-28; Ps 144; Gjn 14,27-31
Po shkoj dhe do të kthehem tek ju Gjn 14,28
Unë nuk do të doja kurrë që ti të largoheshe prej meje, Jezus. Çfarë do të bëj gjatë mungesës sate? Ky është rasti për të të shfaqur besnikëri, dashuri të vërtetë, porsi ajo e bashkëshortëve që për një kohë të gjatë nuk mund të shihen. Siguria e kthimit tënd më jep forcë të duroj, të vuaj për ty, të jetoj çdo çast për ty!

5/5 E mërkurë V K.P. [I]
Sh. Engjëlli
Vap 15,1-6; Ps 121; Gjn 15,1-8
Banoni në mua Gjn 15,4
Zot Jezus, është gëzim kur dëgjoj të më flasësh kështu. Ti je i gatshëm të më pranosh, të më duash, të qëndrosh i bashkuar me mua! Të falënderoj. Për të qëndruar në ty do të përpiqem të të dëgjoj e më pas të ruaj në zemër e në mendje fjalën tënde. Në këtë mënyrë jeta ime do të japë fryt, atë fryt që të pëlqen ty: dashurinë e faljen, bekimin e paqen për të gjithë.

6/5 E enjte V K.P. [I]
Sh. Dominik Savio
Vap 15,7-21; Ps 95; Gjn 15,9-11
Sikurse Ati më ka dashur mua, ashtu edhe unë ju kam dashur ju Gjn 15,9
Ti na ke dashur, Zot Jezus! Për të na dashur nuk ke parë meritat apo mirësinë tonë: nuk do të kishe gjetur arsye të mjaftueshme në këtë rast. Por ti ke parë Atin dhe mënyrën se si ai vepron. Ke parë se Ati do krejt falas, ke parë se ai do më shumë ata që kanë më shumë nevojë për t'u dashur. Faleminderit!

7/5 E premte V K.P. [I]
Sh. Gizela
Vap 15,22-31; Ps 56; Gjn 15,12-17
Duajeni njëri - tjetrin Gjn 15,17
Jezusi i ka lejuar të tjerët ta donin dhe i ka dashur ai vetë. Ka pranuar me gëzim dashurinë e njerëzve si shenjë të dashurisë së Atit dhe gjithashtu si shenja të dashurisë së Atit ka dhuruar kujdesin, vëmendjen dhe dhembshurinë e tij për të gjithë ata që takonte. Ai e di se në këtë mënyrë jeta është gëzim e bukuri: prandaj dhe është i vendosur kur na tregon edhe neve të njëjtën rrugë.

8/5 E shtunë V K.P. [I]
Sh. Viktori
Vap 16,1-10; Ps 99; Gjn 15,18-21
Ju zgjodha prej botës Gjn 15,19
Të pranosh dashurinë e Jezusit mund të sjellë refuzimin e botës. Jo të gjithë ata që na bëjnë të besojmë se na duan e duan vërtet të mirën tonë. Ata ndoshta kërkojnë prej nesh miratim për mënyrën e tyre të jetesës dhe e dinë mirë se nëse jemi në anën e Jezusit nuk mund të gënjejmë më, nuk mund t'i miratojmë më të gjitha veset dhe tekat. Të qëndrosh me Jezusin do të thotë të pranosh të të lënë mënjanë.

9/5 E diel VI K.P. Viti C [II]
Sh. Pakomi
Vap 15,1-2.22-29; Ps 66 (65); Zb 21,10-14.22-23; Gjn 14,23-29
Po ju lë paqen, po ju jap paqen time Gjn 14,27
Të falënderoj, Zot Jezus. Është e vërtetë se me ardhjen tënde tek unë ka ardhur edhe paqja, një paqe e thellë, e cila nuk turbullohet as prej përçmimit që dikush më drejton. Ti më jep paqen tënde, atë që të mban të bashkuar me Atin, atë që të bën të vëmendshëm ndaj vuajtjeve të njerëzve. Ja tek jam, jepmë paqen tënde!

10/5 E hënë VI K.P. [II]
Sh. Jobi
Vap 16,11-15; Ps 149; Gjn 15,26 - 16,4
Edhe ju do të dëshmoni Gjn 15,27
Jezusi po flet me të tijët në intimitetin e vaktit festiv. Iu ka zbuluar tashmë nisjen e tij dhe tani po shpall atë çka do të ndodhë më pas. Një gjë e bukur që i jep gëzim e ngushëllim është pikërisht kjo, fakti që të tijët do të dëshmojnë për hyjnorinë e tij. Do të dëshmojnë në sajë të Shpirtit Shenjt që do marrin dhe do të dëshmojnë atëherë kur ky dëshmim do t'iu kushtojë përçmimin e deri edhe vdekjen.

11/5 E martë VI K.P. [II]
Sh. Stela
Vap 16,22-34; Ps 137; Gjn 16,5-11
Zotërinj, çka duhet të bëj për t'u shëlbuar? Vap 16,30
Këtë pyetje e drejton gardiani i Palit dhe Silës. Tërmeti e ka tmerruar, sepse ka hapur portat e burgut. Ai po kërkonte të vriste veten nga frika se të gjithë të burgosurit mund të arratiseshin, por Pali e përmban. Kështu, gardiani kuptoi se ka një jetë më të vërtetë dhe kërkoi ndihmën e dy misionarëve!

12/5 E mërkurë VI K.P. [II]
Sh. Nereu dhe Sh. Akileu, martirë (†shek. III); Sh. Pankraci, martir (†shek. III)
Vap 17,15.22 ? 18,1; Ps 148; Gjn 16,12-15
Ai do t'ju udhëzojë ta njihni tërë të Vërtetën Gjn 16,13
Jezusi po flet për Shpirtin Shenjt që e di ku qëndron jeta e vërtetë dhe dija e vërtetë. Jezusi na e jep Shpirtin dhe ky na hap sytë për të parë të vërtetën, domethënë dashurinë e Hyjit të fshehur në çdo gjë e në çdo ndodhi të jetës e të historisë! Eja Shpirti Shenjt!

13/5 E enjte VI K.P. [II]
Sh. Maria Virgjër e Fatimës
Vap 18,1-8; Ps 97; Gjn 16,16-20
Çka është kjo që po na thotë: "Unë po shkoj tek Ati"? Gjn 16,17
Dishepujt, megjithëse të vëmendshëm, nuk i kanë kuptuar të gjitha fjalët e Jezusit. E njëjta gjë më ndodh mua, prandaj edhe përpiqem të dëgjoj gjithmonë me përvujtëri edhe atë çka të tjerët kanë kuptuar nga leximi i Ungjillit. "Unë po shkoj tek Ati". Jezusi e sheh vdekjen jo si një fund, por si një udhëtim që përmbyllet me një takim, me takimin më të bukur!

14/5 E premte Sh. MATIA, apostull [P] Nëntëditëshi i Rrëshajës
Vap 1,15-17.20-26; Ps 112; Gjn 15,9-17
Ju jeni miqtë e mi Gjn 15,14
Faleminderit, Jezus, që na quan miq. Në buzët e tua kjo është një fjalë e ëmbël dhe e sigurt. Ne jemi miqtë e tu, jemi pra më fatlumët në botë. Jemi miqtë e tu, dhe për këtë nuk kemi frikë nga asgjë dhe nga askush!

15/5 E shtunë VI K.P. [II]
Sh. Izidori
Vap 18,23-28; Ps 46; Gjn 16,23-28
Vetë Ati ju do, pasi më deshët mua Gjn 16,27
Më duket se kjo fjalë është përmbledhja e Ungjillit, lajmi i mirë që duhet t'i mbërrijë çdo njeriu mbi tokë. Dashuria jonë për Jezusin është e dobët dhe e varfër, e gjithësesi mjafton për të na garantuar atë të atit. Vetë Jezusi është dashuria e Atit për botën: kur ne e pranojmë jemi në zemrën e Hyjit!

16/5 E diel TË NGJITURIT E JEZUSIT NË QIELL [P] Viti C
Vap 1,1-11; Ps 46; Heb 9,24-28;10,19-23; Lk 24,46-53
Unë do ta dërgoj mbi ju premtimin e Atit tim Lk 24,49
Ky premtim i Jezusit krijon në ne një shpresë të madhe dhe një pritje të vazhdueshme. Zoti e ka mbajtur dhe vazhdon ta mbajë angazhimin e tij: ne kemi marrë Shpirtin e Hyjit, që tani jetojmë si bij dhe vazhdojmë ta marrim për t'u rritur drejt lartësisë së Birit të dashur!

17/5 E hënë VII K.P. [III]
Sh. Paskali
Vap 19,1-8; Ps 67; Gjn 16,29-33
Unë nuk jam vetëm, sepse me mua është Ati Gjn 16,32
Duke lexuar ungjillin vëmë re se si Jezusi, megjithëse i rrethuar prej turmave, duhet të jetë ndjerë i vetmuar, i pakuptuar deri edhe prej dishepujve. Si i mundi ai tundimet e vetmisë? Ja, sot ai na zbulon sekretin e vet: "Ati është me mua!". Edhe për ne prania e Hyjit është më e vërtetë dhe më e qëndrueshme se ajo e çdo miku: asnjë i krishterë i vërtetë nuk ndjehet vetëm!

18/5 E martë VII K.P. [III]
Sh. Gjoni I, papë dhe martir; Sh. Leonard Murialdo (†1900)
Vap 20,17-27; Ps 67; Gjn 17,1-11
Unë për ta lutem Gjn 17,9
Ti lutesh për ne, Jezus! Prandaj dhe shpesh lutjet tona përmbushen prej Atit, sepse ti bashkohesh në lutjen tonë dhe i jep vlerë dëshirave të thella, nganjëherë edhe të pavetëdijshme të zemrës sonë. Faleminderit, Zot Jezus!

19/5 E mërkurë VII K.P. [III]
Sh. Pjetër Çelestini
Vap 20,28-38; Ps 67; Gjn 17,11-19
Unë nuk i përkas botës Gjn 17,16
Bota është... të gjithë ata që nuk mendojnë si Hyji, që nuk kanë të njëjtat dëshira me Atin, që nuk përdorin dashurinë dhe besnikërinë e tij, që nuk e ndërrojnë vullnetin e tyre me atë të Hyjit! Jezusi nuk është një prej tyre, nuk është një prej nesh! Ai do të mendojë, të dojë, të dëshirojë gjithçka si Ati!

20/5 E enjte VII K.P. [III]
Sh. Lidia (†shek. I); sh. Bernardini i Sienës (†1444)
Vap 22,30; 23,6-11; Ps 15; Gjn 17,20-26
Sikurse ti, Atë, që je në mua dhe unë në ty, ashtu edhe ata të jenë në ne Gjn 17,21
Ja çfarë i kërkon Jezusi Atit për ne! Atë çka i bën mirë bashkimit, edhe pse është e vështirë dhe kushton sakrificë, kjo është ajo çka Hyji do për ne. Këtu qëndron gëzimi ynë, jo tek pasuritë, jo tek përmbushja e pasioneve, as tek të ngrënit mirë e tek të qenit të shëndetshëm!

21/5 E premte VII K.P. [III]
Sh. Kristofori Magallanes, meshtar dhe shokët, martirë (†1927)
Vap 25,13-21; Ps 102; Gjn 21,15-19
Kulloti qengjat e mi Gjn 21,15
Pjetri e dëgjon këtë fjalë të përsëritet tri herë. Jezusi e ka ruajtur besimin tek ai, megjithëse ai e ka mohuar. Të kullotësh qengjat do të thotë t'u japësh ushqim, por cilin ushqim? Ti çosh në kullota, po ku? Ti mbash të bashkuar, por si? T'i mbrosh nga rreziqet dhe ujqërit, por me çfarë armësh? Pjetri duhet të vazhdojë ta dojë Jezusin, e atëherë do të ketë dritën dhe forcën e Shpirtit Shenjt, do të dijë si të veprojë e do t'ia dalë mbanë!

22/5 E shtunë VII K.P. [III]
Sh. Rita nga Kasha, rregulltare (†1457)
Vap 28,16-20.30-31; Ps 10; Gjn 21,20-25
Ne e dimë se dëshmia e tij është e vërtetë Gjn 21,24
Dishepujt e Gjonit i kanë shtuar këto rreshta ungjillit të tij. Ata deshën të na sigurojnë për vërtetësinë dhe seriozitetin e jetës së tij për të na ndihmuar të besojmë në ato çka ai ka shkruar. U jemi mirënjohës atyre, ndërkohë që edhe ne e ndjejmë të vërtetën e ungjillit, veçanërisht nga fakti që kur i jetojmë mësimet e tij, Hyji vetë na bën të përjetojmë dashurinë dhe praninë e tij.

23/5 E diel RRËSHAJA Viti C [P]
Vap 2,1-11; Ps 103; Rom 8,8-17; Gjn 14,15-16.23-26
Shpirti Shenjt do t'jua mësojë të gjitha Gjn 14,26
Ne çuditemi kur një person pa kulturë e arsim e njeh vullnetin e Hyjit dhe di të vlerësojë me urti faktet dhe vendimet e njerëzve?
Jo, nuk është për t'u çuditur. Kur e do Jezusin dhe e lë veten të udhëhiqesh prej Shpirtit Shenjt, bëhesh i mençur dhe i kujdesshëm, më shumë se ai që ka studiuar shkencat e njerëzve dhe u vë veshin zakoneve të tyre.

24/5 E hënë VIII K.Gj.V. [IV]
Zoja Ndihmëtare
1Pjt 1,3-9; Ps 110; Mk 10,17-27;
Ju jeni ruajtur në saje të fesë 1Pjt 1,5
Kur njerëzit veprojnë sipas mendjes së tyre, fare lehtë varen prej tekave egoiste dhe pasioneve të veta. Shën Pjetri e di; prandaj edhe na thotë besimi na ruan. Është besimi ai që na ruan në vullnetin e Hyjit, në aftësinë për të falur, na ruan prej dorëzimit para presioneve të modës e të propozimeve të miqve që nuk besojnë!

25/5 E martë VIII K.Gj.V. [IV]
Sh. Beda i Nderueshmi, meshtar dhe mësues (†735); Sh. Gregori VII, papë (†1085); Sh. Maria Magdalena nga Pazzi, virgjër
1Pjt 1,10-16; Ps 97; Mk 10,28-31
Shumë asish që janë të parët do të jenë të sprapsmët, ndërsa shumë të sprapsmë do të jenë të parët Mk 10,31
Disa herë i shqipton Jezusi këto fjalë. Ato na ruajnë prej krenarisë dhe prej tundimit për t'u dëshpëruar. Mendon se je një ndër më të mirët? Beson se je më i keq se të tjerët? Lërja Hyjit çdo gjykim, është ai që të cakton vendin në krye a në fund. Me përvujtëri të thellë pusho tek ai që të njeh!

26/5 E mërkurë VIII K.Gj.V. [IV]
Sh. Filip Neri, meshtar ( † 1595)
1 Pjt 1,18-25; Ps 147; Mk 10,32-45
Do ta vrasin, por ai, pas tri ditësh, do të ngjallet Mk 10,34
Është e treta herë që në ungjillin sipas Markut Jezusi u flet apostujve për mundimin, vdekjen dhe ringjalljen e tij. Flet shpesh me ta sepse ky është çasti më i rëndësishëm jo vetëm i jetës së tij, por edhe i historisë së njerëzimit: është akti i dashurisë me të cilin ai shpëton botën, dhe është akti i dashurisë në të cilin ne vetë duhet të futemi për të arritur plotësinë e vetë jetës sonë!

27/5 E enjte VIII K.Gj.V. [IV]
Sh. Augustini nga Kanterberi, ipeshkëv (†rreth 605)
1Pjt 2,2-5.9-12; Ps 99; Mk 10,46-52;
E keni provuar se Zoti është i mirë 1Pjt 2,3
Shën Pjetri na fton të që qëndrojmë të bashkuar me Jezusin dhe të thellojmë njohjen. Duke bërë hapat e parë me të, ne kemi përjetuar bukurinë dhe ëmbëlsinë e dashurisë së tij. Kushedi sa shumë pasuri ka për të na dhënë akoma, kushedi sa shumë do të na bëjë të rritemi për të vepruar në ndërtesën e tij shpirtërore, Kishën!

28/5 E premte VIII K.Gj.V. [IV]
Sh. Guljelmi (Vilhelmi)
1Pjt 4,7-13; Ps 95; Mk 11,11-25;
Kini besim në Hyjin! Mk 11,22
Dishepujt çoroditen kur shohin një fik të tharë. Në mëngjes Jezusi nuk kish gjetur aty asgjë për të ngrënë, në mbrëmje ish tharë tashmë. Profeci? Sigurisht, nëse Jezusi nuk gjen asgjë që t'i pëlqejë në mua, jeta ime është e padobishme. Përpiqem sot të kem besim tek Hyji, t'i bëj vend tek unë, në mënyrë që Jezusi të mund të gjejë tek unë shpirtin e një biri të bindur!

29/5 E shtunë VIII K.Gj.V. [IV]
Sh. Maksimi
Jud 17.20b-25; Ps 62; Mk 11,27-33
"Me ç'pushtet i bën këto?" Mk 11,28
Kureshtjes sipërfaqesore dhe të inkuizitorit të kundërstarëve të tij, Jezusi i përgjigjet duke u nderë një grackë, që demaskon dredhinë dhe kokëtrashësinë e tyre. Na tregon, në këtë mënyrë, inteligjencën e vet por, tërthorazi, edhe origjinën e misionit të tij.

30/5 E diel IX K.Gj.V. TRINIA E SHENJTË Viti C [I]
Sh. Zhan d'Ark
Fu 8,22-31; Ps 8; Rom 5,1-5; Gjn 16,12-15
Gjithçka ka Ati është e imja Gjn 16,15
Sot i kushtojmë vëmendje misterit të njohjes së Hyjit. Ai vetë ka dashur të shfaqet, sepse na do! Ai do që ne ta njohim, sepse në këtë mënyrë njohim vetveten, të krijuar sipas shëmbëllimit të tij. Ai do që ne të njohim jetën e tij në dashuri e unitet, sepse kështu edhe ne zhvillojmë aftësinë e të jetuarit në bashkim e dashuri për njëri - tjetrin. I madh është misteri i njohjes së Hyjit, pasuri e pafundme për ne!

31/5 E hënë Vizita e Sh. Marisë Virgjër [P]
Sof 3,14-18 (opp.: Rom 12,9-16); Kk 2,8.10-14; Lk 1,39-56
E lumja ti që besove Lk 1,45
Sot është dita e fundit e muajit në të cilin kemi jetuar në bashkim të veçantë me Nënën e Hyjit. Me gëzim kremtojmë misterin e bindjes së Marisë ndaj Hyjit dhe dashurisë së tij. Bindjen ndaj Hyjit "e pa" Elizabeta, prandaj dhe e quajti "të lume" nënën e Zotit të saj! Dashurinë e saj e gëzoi Elizabeta jo vetëm në shërbimin gjatë shtatzënisë së saj, por edhe me bashkimin në lavdërimin e Hyjit!

BACK UP

HOME PAGE