2010 

1/6 E martë IX K.Gj.V. [I]
Sh. Justini, martir († rreth 165 )
2Pjt 3,12-15.17-18; Ps 89; Mk 12,13-17
Mëson të vërtetën ashtu si kërkon Hyji të jetojmë Mk 12,14
Kur kam shkuar me besim tek ati im shpirtëror, duke kërkuar me zemër të pastër vullnetin tënd, ti, Zot Jezus, nuk më ke lënë kurrë pa një përgjigje të qartë, të sigurt, të shenjtë.
Ti flet ende, Zot Jezus, ti ende na udhëheq, me dashuri dhe urti hyjnore. Faleminderit!

2/6 E mërkurë IX K.GJ.V. [I]
Sh. Marçelini e Sh. Pjetri, martirë († shek. III)
2Tim 1,1-3.6-12; Ps 122; Mk 12,18-27
Hiq keq bashkë me mua për Ungjill duke u mbështetur në fuqinë e Hyjit 2Tim 1,8
Kur provat bëhen të vështira, na ngushëllon të kujtojmë se etërit dhe vëllezërit tanë në besim, të shpërndarë nëpër botë, nëpërmjet kryqit, marrin pjesë së bashku me ne në misionin e Jezusit: t'i çojë shpëtimin çdo njeriu që Ati e do. Dhe vetë Hyji, me fuqinë e vet, na mbështet!

3/6 E enjte IX K.GJ.V. [I]
Sh. Karl Luanga dhe shokët, martirë, († 1886)
2Tim 2,8-15; Ps 24; Mk 12,28-34
Jezusi i tha: "Nuk je larg prej Mbretërisë së Hyjit" Mk 12,34
Me këto fjalë është njësoj sikur Jezusi të thoshte: "Nuk je larg, por duhet të bësh edhe disa hapa ende për të mbërritur".
Kjo përgjigje e Jezusit na jep dritë për të parë në vërtetësi jashtë bashkësisë së besimtarëve: jo me përçmimin e atij që i përjashton a priori të gjithë të tjerët, as me sipërfaqësinë e atij që mendon se në fund të fundit të gjitha besimet janë të njëjta.

4/6 E premte IX K.GJ.V. [I]
Sh. Kuirini, ipeshkëv dhe martir († shek. III)
2Tim 3,10-17; Ps 118; Mk 12,35-37
Jezusi, duke mësuar në Tempull, bëri këtë pyetje... Mk 12,35
Jezus, ti mësoje në tempull me këmbëngulje: askush nuk e donte Shkrimin si ti, askush nuk dinte ta shpjegonte si e shpjegoje ti!
Dhe kjo jo sepse ti kishe studiuar, por sepse e doje Atin si askush tjetër, dhe kërkoje vazhdimisht praninë e ti dhe realizoje vullnetin e tij, duke jetuar për të.
Ti i pari e njohe urtinë që Ati u dhuron të "vegjëlve", bijve të vet.

5/6 E shtunë IX K.GJ.V. [I]
Sh. Bonifaci, ipeshkëv e martir († 754)
2Tim 4,1-8; Ps 70; Mk 12,38-44
Një vejushë skamnore qiti dy lepta Mk 12,42
Ato dy monedha ishin gjithë jeta e saj, shprehnin gjithë besimin e saj në Hyjin. Duke i dhënë, dhe duke mos i mbetur më asgjë për të jetuar, ajo u braktis me besim dhe shumë konkretisht në duart e Atij që e dinte se i përkiste, dhe që e dinte se e donte.

6/6 E diel KORPI DHE GJAKU I KRISHTIT [P] Viti C
Zan 14,18-20; Ps 109; 1Kor 11,23-26; Lk 9,11-17
Hëngrën të gjithë dhe u nginë Lk 9,17
Atë ditë dishepujt shpërndanë bukën që ti, Jezus, vure në duart e tyre: një bukë e dhuruar nga dashuria e Atit, që i ngopi të gjithë.
Sot sërish, o Jezus, vë një Bukë në duart e meshtarëve të tu: kjo është Buka e vërtetë që na jep Ati; kjo Bukë je ti, Jezus: ti vjen në mes nesh dhe ngop çdo uri tonën për jetë, për dashuri, për drejtësi, për paqe, për bashkim.
Faleminderit, Zot Jezus!

7/6 E hënë X K.GJ.V. [II]
Sh. Roberti
1Mbr 17,1-6; Ps 120; Mt 5,1-12
Lum pajtuesit Mt 5,9
Kur Jezusi është i gjallë në zemrën tënde, atëherë çdo etje shuhet: dashuria e Atit të mbush dhe ti mund të përhapësh rreth teje paqe; di t'i pranosh vëllezërit duke duruar me dashuri edhe lëngatat e tyre dhe mëkatet.
Jezus, je ti paqja e vërtetë!

8/6 E martë X K.GJ.V. [II]
Sh. Armandi
1Mbr 17,7-16; Ps 4; Mt 5,13-16
Ju jeni kripa e tokës Mt 5,13
Po, jemi të tillë kur kemi Jezusin në zemër! Kur jetojmë të bashkuar me të marrëdhëniet dhe punët e përditshme, në mjedisin ku jetojmë çojmë shijen e dashurisë së Atit. Kjo është një shije dhe një dritë që vetëm dishepujt e Jezusit mund ta përcjellin.
Vërtet e madhe është përgjegjësia që kemi ne!

9/6 E mërkurë X K.GJ.V. [II]
Sh. Efremi, xhakon dhe mësues (†373)
1Mbr 18,20-39; Ps 15; Mt 5,17-19
Më dëgjo, o Zot… ti e kthen nga vetja zemrën e tyre 1Mbr 18,37
Mund të jetë kjo lutja e përgjëruar e shumë baballarëve dhe nënave, e shumë vetëve që shohin të dashurit e tyre dhe të njohurit të përshkojnë rrugë rrënimi për jetën e tyre. Nëse ndihesh i pafuqishëm, nëse të duket se nuk mund të bësh asgjë, mos të të lëshojë zemra; vazhdo të mbështetesh tek Jezusi: nuk mund të bësh më shumë se kaq!

10/6 E enjte X K.GJ.V. [II]
Sh. Diana
1Mbr 18,41-46; Ps 64; Mt 5,20-26
Shko e pajtohu më parë me vëllanë tënd Mt 5,24
Kjo është ftesa që i bën Jezusi atyre që përgatiten të luten.
Sa bukur është të mësojmë prej teje, Zot Jezus! Ti na thua se lutja jonë është vetë dashuria jonë për Atin, bindja jonë ndaj tij: kur fal vëllanë tim, kur kërkoj bashkimin me të edhe pse humbas të drejtat e mia apo mendimet e mia "të mira", jam duke e jetuar lutjen time, lutje që me kremtimin e lutjes bashkësiore apo me lutjen vetjake do të jetë kurorëzim dhe burim i ri.

11/6 E premte ZEMRA E KRISHTIT [P] Viti C
Ez 34,11-16; Ps 22; Rom 5,5-11; Lk 15,3-7
Unë vetë do t'i mballoj delet e mia, unë vetë do t'i mrizoj Ez 34,15
Për festën e Zemrës sate të Shenjtë, Zot Jezus, na ofrohet një pamje shumë e shpeshtë në Shkrimet e Shenjta: ajo e Bariut.
Unë besoj, Jezus, se ti vetë më prin, çdo ditë, çdo çast: ti më do dhe më njeh; me ty, që tani shijoj dashurinë e Atit, dhe eci i sigurt drejt takimit të plotë me të.
Faleminderit, Zot Jezus!

12/6 E shtunë X K.GJ.V. [II]
Zemra e Papërlyer e Shën Marisë Virgjër
Is 61,10-11; 1Sam 2; Lk 2,41-51
Më mbuloi me leshnik të drejtësisë Is 61,10
Faleminderit, Zot Jezus, për pastërtinë me të cilën ke veshur Nënën tënde!
Falë teje ajo nuk e ka njohur mëkatin: ka qenë gjithnjë e bashkuar me Atin, i ka besuar atij në çdo rrethanë, ka pranuar dashurinë e tij për të gjithë njerëzit. Shenjtja Mari, lut për secilin prej nesh, bijtë e tu të brishtë!

13/6 E diel XI K.GJ.V. Viti C [III]
Sh. Antoni i Padovës, meshtar dhe mësues († 1231)
2Sam 12,7-10.13; Ps 31; Gal 2,16.19-21; Lk 7,36 - 8,3
Të janë falur mëkatet! Lk 7,48
Gruaja që na paraqet ungjilli është një mëkatare e ngratë; ajo u tregua e përvujtur dhe plot dashuri për Jezusin; dhe Jezusi e fali, i dha një zemër të re, të lirë, të aftë për të dashur dhe për të gëzuar. T'i qëndrojmë edhe ne gjatë kësaj jave pranë Jezusit duke i thënë thjesht që e duam dhe duke e falënderuar. Ai, me dashuri dhe në heshtje, do të marrë sërish mbi vete mëkatin tonë, edhe atë që nuk dimë ta pranojmë dhe tek ai do gjejmë paqen dhe gëzimin.

14/6 E hënë XI K.GJ.V. [III]
Sh. Elizeu
1Mbr 21,1-16; Ps 5; Mt 5,38-42
Atij që të lyp, jepi Mt 5,42
Atij që rrugës apo para derës së shtëpisë më shtrin dorën nuk i jap para: nuk e di nëse është ajo për çfarë ka nevojë; ndihem në paqe me veten duke dhënë bujarisht kontributin tim në kishë, kur me raste të ndryshme, mblidhen oferta për nisma të ndryshme për të varfërit. Ndërsa me atë që më kërkon falje, mirëkuptim, këshillë mundem, me ndihmën e Jezusit, të jem gjithnjë bujar.

15/6 E martë XI K.GJ.V. [III]
Shën Germana
1Mbr 21,17-29; Ps 50; Mt 5,43-48
Unë po ju them: "Duani armiqtë tuaj" Mt 5,44
Edhe ata që sillen keq me mua, qoftë edhe në masë të vogël, Ati i do: ai dëshiron t'i shpëtojë nga e keqja në të cilën kanë rënë.
Duke ofruar dashurinë time, faljen time, unë bëhem mjet i vetë dashurisë së Atit: jetoj me të bashkimin më të bukur.

16/6 E mërkurë XI K.GJ.V. [III]
Sh. Fran Regis
2Mbr 2,1.6-14; Ps 30; Mt 6,1-6.16-18
Hyr në dhomën tënde... lutju Atit tënd që është në fshehtësi Mt 6,6
Jezusi nuk na fton të kemi me Hyjin atë një marrëdhënie të fshehur, por një marrëdhënie të mirëfilltë. Dhe është e mirëfilltë kur është e tillë në sytë e Hyjit, jo kur shihet me "sy të mirë" nga njerëzit. Madje, kur e kemi për zemër admirimin dhe konsideratën e njerëzve, gjithçka është me përjashtim të vërtetësisë.

17/6 E enjte XI K.GJ.V. [III]
Sh. Izauri, Inoçenti, Feliksi, Hermi, Pelegrini dhe Bazili, martirë
Sir 48,1-15; Ps 96; Mt 6,7-15
Ati juaj e di se për çka keni nevojë Mt 6,8
Ne kemi një Baba që vazhdimisht na shikon me dashuri; ai mendon për ne, si të na kënaqë, dhe ndërhyn konkretisht në jetën tonë; na njeh, e di se për çfarë kemi nevojë.
Atë, faleminderit për dashurinë tënde! Po e lë veten në duart e tua, me besim!

18/6 E premte XI TO. [III]
Sh. Marina
2Mbr 11,1-4.9-18.20; Ps 131; Mt 6,19-23
Mos grumbulloni për vete thesare mbi tokë Mt 6,19
Jezusi do të na tregojë se atdheu ynë nuk është këtu në tokë, por në qiell. Ja përse na fton që të mos grumbullojmë thesare këtu poshtë; dëshiron që zemra jonë të jetë e lirë, e vëmendshme ndaj zërit të tij; ai do të na këshillojë veprat e vëllazërimit dhe të paqes frytet e të cilave do i gëzojmë përgjithmonë në qiell.

19/6 E shtunë XI K.GJ.V. [III]
Sh. Romualdi, abat († rreth 1027)
2Kro 24,17-25; Ps 88; Mt 6,24-34
Askush s'mund t'u shërbejë dy zotërinjve Mt 6,24
Ati, që ka krijuar zemrën e njeriut, e di që në të ka vend vetëm për njërin: o për të o për armikun e tij. Dhe e di edhe se arma e parapëlqyer dhe më efikase që përdor armiku është pikërisht paraja.
Sot kujt dua t'ia jap atë vend?
Atë, po ta jap ty, unë zgjedh të të shërbej ty: do të jem atëherë vërtet i lirë dhe asgjë nuk do të më mungojë.

20/6 E diel XII K.GJ.V. Viti C [IV]
Zak 12,10-11; Ps 62; Gal 3,26-29; Lk 9,18-24
Kush thonë njerëzit se jam unë? Lk 9,18
Përreth meje ka nga ata që besojnë në Jezusin dhe gjejnë në të plotësinë e jetës. Ka nga ata që besojnë në mënyrë sipërfaqësore dhe, pra, për ta Jezusi është, por nuk ka të bëjë me jetën e tyre. Dhe ka edhe nga ata që nuk e njohin dhe mbase e përqeshin. Po unë?
Unë do dëgjoj të parët që të më ndihmojnë dhe do përpiqem t'u dëshmoj të tjerëve se Jezusi më ka treguar fytyrën e ëmbël të Atit dhe më ka bërë të shijoj dashurinë e tij.

21/6 E hënë XII K.GJ.V. [IV]
Sh. Luigj Gonzaga, rregulltar († 1591)
2Mbr 17,5-8.13-15.18; Ps 59; Mt 7,1-5
Nxirre më parë traun nga syri yt Mt 7,5
Jezus, shikimi yt është i pastër, është një dritë dashurie që, ndërsa na mbështjell, na shëron, na përtërin, na gjallëron; sa bukur është të qëndrojmë nën shikimin tënd! Por ti do që edhe ne t'i shohim vëllezërit me një shikim dashurie që të dijë t'i ngushëllojë e t'i ndihmojë; për këtë na fton që me ndihmën tënde dhe të vëllezërve, ndihmë e kërkuar dhe e pranuar me përvujtëri, të heqim atë çka nuk është dashuri në ne.
Shën Luigj, i pastër dhe i shenjtë në zemrën e Jezusit, lutu për ne!

22/6 E martë XII K.GJ.V. [IV]
Sh. Niketa i Remezianës, ipeshkëv; Sh. Gjon Fisher, ipeshkëv dhe Sh. Tomë More, martirë (†1535);
Sh. Paulini nga Nola, ipeshkëv († 431)
2Mbr 19,9-11.14-21.31-35.36; Ps 47; Mt 7,6.12-14
Mos ua jepni qenve gjënë e shenjtëruar Mt 7,6
Ka vende dhe situata në të cilat Shpirti Shenjt, Shpirti i urtisë na thotë të mos e ofrojmë fjalën e Jezusit: nuk do ta pranonin, madje do ta përçmonin; na vendos në zemër një lutje dhe një angazhim të ripërtërirë ta jetojmë ne të parët me dashuri Fjalën, t'i ofrojmë veten Jezusit: kështu edhe në ato situata do mund të jemi dëshmitarë!

23/6 E mërkurë XII K.GJ.V. [IV]
Sh. Jozef Kafaso
2Mbr 22,8-13; 23,1-3; Ps 118; Mt 7,15-20
Do t'i njihni prej veprave të tyre Mt 7,20
Për shumë vetë fillon koha e shumëpritur e pushimeve!
Jezusi na drejton ende fjalën e tij, që do të na ruajë në paqe dhe në gëzimin e vërtetë. Vigjilenca jonë nuk mund të shkojë "me pushime", duhet të mbetet e gjallë: miqësi të reja, moda, zbavitje, bashkëbisedime, lojëra... Do t'ia hap derën vetëm asaj që mban vulën e Jezusit, që mban pra dashurinë dhe bindjen ndaj tij; gjithçka tjetër veçse do ta shkatërronte jetën time!
Na mbaj me veten tënde Jezus, edhe gjatë kohës së pushimeve!

24/6 E enjte LINDJA E SHËN GJON PAGËZUESIT [P]
Is 49,1-6; Ps 138; Vap 13,22-26; Lk 1,57-66.80
Dora e Zotit ishte me të Lk 1,66
Ky varg i referohet kohës kur Shën Gjon Pagëzori ishte djalosh.
Të gjithë fëmijët e krishterë, falë Pagëzimit, mbartin vulën e Shpirtit Shenjt:: Zoti jeton në ta, i udhëheq e i mbron, i stolis me shenjtëri.
T'i ruajmë fëmijët tanë; t'u ofrojmë atyre një mjedis paqeje dhe dashurie, t'i ushqejmë me lutjen dhe urtinë ungjillore; të dimë edhe t'i dëgjojmë: shpesh Zoti na flet përmes tyre.

25/6 E premte XII K.GJ.V. [IV]
Sh. Dorotea
2Mbr 25,1-12; Ps 136; Mt 8,1-4
O Zot, nëse ti do, mund të më shërosh Mt 8,2
Zot Jezus, edhe unë si i lebrosuri i ngratë, e vendos në ty gjithë besimin tim. E di që ti më do: ke vdekur në kryq për mua! E di që ti mundesh gjithçka: me kryqin tënd ke mposhtur deri edhe mëkatin dhe vdekjen.
Jezus, edhe sot e vë veten në duart e tua!

26/6 E shtunë XII K.GJ.V.
Sh. Vixhili, ipeshkëv e martir († shek. V)
Vaj 2,2.10-14.18-19; Ps 73; Mt 8,5-17
Bariu i mirë e jep jetën e vet për dele Gjn 10,11
Faleminderit Zot Jezus, që për ne i ke ofruar jetën tënde Atit! Paqja jonë, shpëtimi ynë ka kushtuar gjakun tënd të çmuar.
Dhe ndërsa të falënderojmë, duam të mësojmë nga ti të duam dhe veten tonë ta kthejmë në një dhuratë të vazhdueshme për Atin.

27/6 E diel XIII K.GJ.V. Viti C [I]
Sh. Çirili i Aleksandrisë, ipeshkëv dhe mësues († 444)
1Mbr 19,16.19-21; Ps 15; Gal 5,1.13-18; Lk 9,51-62
Ti shko e prediko Mbretërinë e Hyjit Lk 9,60
Kur më thirre për të të ndjekur, Zot Jezus, e kuptova se po më kërkoje një përkushtim të plotë në mbretërinë tënde; e kuptova që kërkoje një shkëputje të vërtetë dhe të vendosur nga gjërat, personat, dashuritë... Falë teje dita ta pranoj këtë "mund"; më pas pashë se ti vetë bekoje ata që për dashurinë tënde i kisha lënë.
Faleminderit Jezus!

28/6 E hënë XIII K.GJ.V. [I]
Sh. Ireneu, ipeshkëv dhe martir († rreth 200)
Am 2,6-10.13-16; Ps 49; Mt 8,18-22
Biri i njeriut nuk ka ku ta mbështesë kryet Mt 8,20
Nëse sot i kërkojmë Jezusit që të mund të rrimë me të, ai nuk do na thotë jo, por do na kujtojë se në tokë nuk ka veçse dashurinë e Atit.
Nëse i kërkojmë që të mund ta ndjekim jo vetëm sot, por çdo ditë të jetës sonë, Jezusi prapë na pranon, por na kujton se nuk është këtu në tokë trashëgimia e tij.
Por ama zemrën e tij na e jep që sot!

29/6 E martë SHËN PJETRI E SHËN PALI, Apostuj [P]
Vap 12,1-11; Ps 33; 2Tim 4,6-8.17-18; Mt 16,13-19
Ty do të t'i jap çelësat e Mbretërisë së qiellit Mt 16,19
Faleminderit Zot Jezus, që ke lënë këtu në tokë çelësat e mbretërisë së qiejve! Ia dorëzove Pjetrit, dhe Pjetri ia kaloi atij që mori vendin e tij në udhëheqje të Kishës... Dhe kanë mbërritur deri tek ne! Tani mund të shkojmë me besim tek barinjtë e tu dhe ata në emrin tënd na çelin tej e tej dyert e jetës!
Shenjtërit Pjetër dhe Pal, mjete të çmuara të hirit, lutuni për ne!

30/6 E mërkurë XIII K.GJ.V. [I]
Shenjtërit Martirë të Parë të Romës († shek. I)
Am 5,14-15.21-24; Ps 49; Mt 8,28-34
Kërkoni të mirën e jo të keqen Am 5,14
Në Besëlidhjen e Vjetër profetët shpesh i kujtonin popullit përshpirtërisë, e ftonin t'i ofronte Hyjit kultin e një zemre të pastër e të mëshirshme. Jezusi e përmbush shpalljen e profetëve: na jep një marrëdhënie si të bijve me Atin, na bën të kujdesshëm që të kërkojmë gjithnjë atë çka i pëlqen atij. Në këtë mënyrë feja nuk mbetet një lëndë për t'u studiuar në shkollë apo një akt sipërfaqësor që ka shijen e shtrëngesës, por është vetë jeta jonë.

BACK UP

HOME PAGE