2010 

1/11 E hënë TË GJITHË SHENJTËRIT [P]
Zb 7,2-4.9-14; Ps 23; 1Gjn 3,1-3; Mt 5,1-12
Jemi fëmijët e Hyjit 1Gjn 3,2
Që ta quajmë veten bij të Hyjit është vërtet diçka e madhe! Për ta bërë këtë duhet që ta quajmë Hyjin të vogël..., ta quajmë të aftë që të qëndrojë përkrah nesh. Jemi bij të Hyjit: nuk mund ta heqim mënjanë këtë vetëdije, është shumë e bukur dhe shumë e rëndësishme. Mbi të shenjtërit kanë ndërtuar jetën e tyre dhe gjithë dashurinë e tyre të madhe, një dashuri që i ka dhënë shpresë dhe paqe dhe gëzim një pafundësie njerëzish dhe popujve të tërë.

2/11 E martë Përkujtimi i të Gjithë Besimtarëve të Vdekur [P]
Jb 19,1.23-27; Ps 26; Rom 5,5-11; Gjn 6,37-40
Abba! O Atë! Rom 8,15
Është pikërisht falë atësisë së Hyjit që jeta jonë nuk do të bjerë në asgjë në çastin e vdekjes. Nëse tani e thërrasim Hyjin Atë, vetë ai nuk do të lejojë që një ditë të mos e bëjmë më këtë. Jeta që ai na jep është jeta e denjë për Hyjin, pra e amshuar!
Sot le të lutemi për vëllezërit tanë që kanë bashkëndarë me ne besimin në Atin, por që nuk i kanë lënë krejtësisht idhujt e botës. Shpirti i tyre duhet të pastrohet që të mund të gëzojnë jetën e amshuar!

3/11 E mërkurë XXXI K.Gj.V. [III]
Sh. Martini de Porres, rregulltar (†1639)
Fil 2,12-18; Ps 26; Lk 14,25-33
Punoni për shëlbimin tuaj Fil 2,12
Shën Pali do që të mos na e tërheqin vëmendjen gjërat që kalojnë, sepse jeta jonë do të bëhej bosh, pa kuptim. Ai, pra, na porosit që të mos humbasim nga vështrimi pikëmbërritjen! Shpëtimi është dhurata e Shpëtimtarit tonë, e Jezusit. Nëse shohim vazhdimisht atë nuk do kritikojmë e nuk do gjykojmë të tjerët, por do jemi të përvujtur e të thjeshtë.

4/11 E enjte XXXI K.Gj.V. [III]
Sh. Karl Borromeu, ipeshkëv (†1584)
Fil 3,3-8; Ps 104; Lk 15,1-10
E gjeta delen time që më humbi Lk 15,6
Jezusi tregon shëmbëlltyrën e gëzimit të Hyjit. Ai është vërtet i kënaqur kur një mëkatar pendohet dhe kthehet ta dojë sërisht Atin. Jam unë delja që nuk kthehet në vathë. Eja, Jezus, më merr në krahë. Të qëndroj me ty është më bukur se sa të vonohem atje ku kam rënë duke ndjekur qejfet e mia.

5/11 E premte XXXI K.Gj.V. [III]
Të gjithë Shenjtërit dhe të Lumturit e Shqipërisë
Fil 3,17 - 4,1; Ps 121; Lk 16,1-8
Qëndroni të fortë në Zotin Fil 4,1
Sa herë na drejtohen porosi të tilla! Është një ftesë e nevojshme, sepse tundimet e kundërta janë vërtet të shumta. Të fortë në Zotin! Me të jetojmë, pa të jemi pa gëzim, pa paqe, pa forcën e bashkimit me vëllezërit, pa jetë. Të fortë në Zotin!

6/11 E shtunë XXXI K.Gj.V. [III]
Sh. Leonardi
Fil 4,10-19; Ps 111; Lk 16,9-15
Kush është besnik në sende të vogla, është besnik edhe në sende të mëdha Lk 16,10
Jezusi flet në këtë mënyrë kur duhet të flasë për pasurinë. Kush i qëndron besnik Jezusit kur i duhet të merret me gjërat e kësaj bote, do t'i qëndrojë besnik atij edhe kur do merret me gjëra shpirtërore, me gjërat e Mbretërisë së Hyjit! Nëse dikush nuk e lë veten t'ia pushtojnë zemrën gjërat tokësore, do mund të merret me sukses me rritjen dhe formimin e Kishës.

7/11 E diel XXXII K.Gj.V. Viti C [IV]
Sh. Ernesti
2Mak 7,1-2.9-14; Ps 16; 2Sel 2,16-3,5; Lk 20,27-38
Hyji nuk është i të vdekurve, por i të gjallëve Lk 20,38
Pak kohë më parë kemi kremtuar festën e të gjithë shenjtërve dhe jemi lutur për besimtarët e vdekur. Fjala e sotme na bën të mendojmë ende për ta: ata janë të gjallë, dhe ne jemi të sigurt sepse Hyji kurrë nuk e ka konsideruar të vdekur askënd. Ai i mban të gjitha premtimet e bëra Abrahamit dhe ende ndihet i angazhuar me të! Abrahami për të nuk është një i vdekur, por një nga bijtë e tij të dashur: është e njëjta gjë për mua dhe për ty!

8/11 E hënë XXXII K.Gj.V. [IV]
Sh. Gjon Duns Scoti
Tit 1,1-9; Ps 23; Lk 17,1-6
Na e shto fenë! Lk 17,5
Dishepujt kanë dëgjuar nga Jezusi se duhet të mësohen që të falin shtatëdhjetë herë shtatë, praktikisht gjithmonë. Ata e kuptojnë se kjo mund të jetë e mundur vetëm në një jetë që bazohet në besim dhe që nga besimi mbahet. Për këtë i kërkojnë Zotit një besim më të madh nga ai që kanë!

9/11 E martë Kushtimi i BAZILIKËS SË LATERANIT [P]
Ez 47,1-2.8-9.12; Ps 45/46; 1Kor 3,9c-11.16-17; Gjn 2,13-22
Ai foli për tempullin e trupit të vet Gjn 2,21
Kur Salomoni përuroi tempullin, u mrekullua që Hyji, Hyji i madh që ka krijuar qiellin dhe tokën, mund të "përmbyllej" brenda një ndërtese të ndërtuar nga njerëzit. Dyshim i drejtë: vërtet për Hyjin do ishte shumë poshtëruese të banonte në një ndërtesë dhe të mos banonte në vetë zemrën e njeriut! Festa e sotme për katedralen e Papës, na bën të gëzojmë për bashkimin tonë me të gjithë Kishën!

10/11 E mërkurë XXXII K.Gj.V. [IV]
Sh. Leoni i Madh, papë dhe mësues († 461)
Tit 3,1-7; Ps 22; Lk 17,11-19
Jezus, Mësues, ki dhimbë për ne! Lk 17,13
Kështu bërtitën dhjetë të lebrosurit drejt Jezusit. E njohën dhe patën besim tek ai. Jezusi dëgjon besimin e njeriut, por i pëlqen shumë më tepër mirënjohja jonë!

11/11 E enjte XXXII K.Gj.V. [IV]
Sh. Martini nga Turi, ipeshkëv († 397)
Flm 1,7-20; Ps 145; Lk 17,20-25
Mbretëria e Hyjit është mes jush! Lk 17,21
Jezusi u thotë dishepujve të jenë të kujdesshëm ndaj personave që tërheqin vëmendjen mbi veten e tyre. Në fakt ka njerëz që nga etja për fitimin e lehtë apo që të kenë admirimin e të tjerëve, e mbajnë veten si të rëndësishëm apo si të domosdoshëm për shpëtimin. Mos i ndiqni, thotë Jezusi. Mbretëria e Hyjit është në mesin tuaj: në fakt mbretëria e Hyjit është aty ku Jezusin e duan dhe i binden.

12/11 E premte XXXII K.Gj.V. [IV]
Sh. Jozafati, ipeshkëv dhe martir (†1623)
2Gjn 1.3-9; Ps 118; Lk 17,26-37
Shumë ngashnjyes morën dheun 2Gjn 7
Edhe Shën Gjoni na përsërit fjalët e Jezusit. Asnjëherë nuk duhet të rreshtim së qeni vigjilentë. Nuk mund t'u besojmë të gjithëve atyre që flasin për Hyjin apo për shpëtimin tonë. Duhet të ballafaqohemi gjithnjë dhe të gjithë me besojmën që Kisha na përcjell prej shekujsh. Është Kisha nëna jonë dhe mësuesja jonë, dhe nuk do që ne të mashtrohemi.

13/11 E shtunë XXXII K.Gj.V. [IV]
Sh. Stanislav Kostka
3Gjn 1,5-8; Ps 111; Lk 18,1-8
Kur të vijë Biri i njeriut, a thua do të gjejë fe mbi tokë? Lk 18,8
Jezusi na vë përpara një pyetje të rëndësishme. Ai ka më tepër për zemër besimin. Ne pyesim veten: pse jo dashurinë, meqë Jezusi është dashuria e Hyjit për njerëzit?
Dashuria e vërtetë dhe e amshuar është ai, vetë Jezusi, dhe ne e pranojmë atë falë besimit. Nëse nuk do ketë besim nuk do ketë as dashuri!

14/11 E diel XXXIII K.Gj.V. Viti C [I]
Sh. Veneranda
Mal 3,19-20; Ps 97; 2Sel 3,7-12; Lk 21,5-19
Me qëndresën tuaj do ta shpëtoni jetën tuaj! Lk 21,19
Jezusi u flet dishepujve për fundin e të gjitha gjërave dhe edhe për përndjekjet që u duhet të kalojnë për shkak të emrit të tij. Gjërat e bukura që na rrethojnë dhe veprat e mëdha të mrekullueshme të njerëzve nuk duhet të pushtojnë zemrën tonë. Do të mbarojë deri edhe dashuria e të dashurve tanë. Jezusi është i vetmi tek i cili do të mbetem i ngërthyer me të gjitha fuqitë e mia: ai do të më shpëtojë!

15/11 E hënë XXXIII K.Gj.V. [I]
Sh. Alberti i Madh, ipeshkëv dhe mësues (†1280)
Zb 1,1-4; 2,1-5; Ps 1; Lk 18,35-43
Çka dëshiron të bëj për ty? Lk 18,40
Jezus, për mua mund të bësh shumë!
Shiko sa i brishtë jam unë, sa e pafuqishme është dashuria ime për ty, sa i paqartë është besimi im, sa e lëkundur shpresa ime! Shiko si jam i verbër, aq sa nuk shoh fytyrën tënde, si jam i shurdhër, aq sa nuk dëgjoj fjalët e tua, si jam përtac aq sa nuk hedh hapa drejt teje! Dua që ti ta shëndoshësh vullnetin tim, që unë të vendos të të zgjedh ty!

16/11 E martë XXXIII K.Gj.V. [I]
Sh. Margarita e Skocisë (†1093); Sh. Gertruda, virgjër (†1302)
Zb 3,1-6.14-22; Ps 14; Lk 19,1-10
Dëshironte të shihte kush është Jezusi Lk 19,3
Po të kishim qenë të pranishëm në Jerihon, do të na kishte marrë e qeshura duke parë një funksionar kaq të rëndësishëm të kacavjerrë në degët e një peme. Ti e pe, nuk qeshe, por u gëzove. Zakeu donte të të shihte ty, dhe ta bësh veten qesharak në sytë e njerëzve për të të parë ty është një gjë e madhe, është një hap drejt shpëtimit.

17/11 E mërkurë XXXIII K.Gj.V. [I]
Sh. Elizabeta e Hungarisë, regulltare (†1231)
Zb 4,1-11; Ps 150; Lk 19,11-28
Të dënoj shi prej fjalëve të tua Lk 19,22
Shërbëtori përtac e di se Zoti është kërkues dhe e di se jeta është të jetosh për të. Edhe pse e di këtë, ky shërbëtor nuk bën asgjë për Zotin e vet dhe jeton për veten e vet, në mënyrë egoiste. Ai dënon veten e vet. Unë nuk dua të sillem si ai, dua të jetoj për Jezusin dhe të përdor për lavdinë e tij gjithçka që ai më ka dhënë: jetën, vullnetin, zgjuarsinë, besimin, njohurinë e Fjalës së tij!

18/11 E enjte XXXIII K.Gj.V.
Kushtimi i Bazilikës së Sh. Pjetrit dhe Sh. Palit
Vap 28,11-16.30-31; Ps 97; Mt 14,22-23
Zotëri, më urdhëro të vij te ti përmbi ujë Mt 14,28
Pjetri, përgjegjes i ardhshëm i popullit të ri, bën një eksperiencë të fortë feje. Ujërat ka rrezik ta përpijnë, por britma e tij besimi dhe dashurie e shpëton dhe e kualifikon për të qenë pikëreferimi i
pagabueshëm i asaj feje në të cilën do të mundë të konfirmojë vëllezërit e tij.

19/11 E premte XXXIII K.Gj.V. [I]
Sh. Balduini
Zb 10,8-11; Ps 118; Lk 19,45-48
Shtëpia ime duhet të jetë shtëpi urate Lk 19,46
Ti, Jezus, e ke bërë botën një vend lutjeje! E pra do që Tempulli të jetë vetëm për Atin, të jetë një vend që ndihmon takimin me të. Në shtëpinë time, në zemrën time, në ditën time duhet të ketë gjithnjë një kënd gati, ku unë të mund të takoj buzëqeshjen e Hyjit, dhe buzëqeshjen tënde!

20/11 E shtunë XXXIII K.Gj.V. [I]
Sh. Feliksi
Zb 11,4-12; Ps 143; Lk 20,27-40
Mësues, mirë the! Lk 20,39
E çuditshme që një njeri të të thotë se ke folur drejt. Çdo fjalë e jotja, Jezus, është fjalë e Hyjit që gjykon fjalët e mia! Unë duhet të hesht para teje, sepse fjalët e mia kanë aromën e mëkatit, dhe pra të vdekjes: vetëm fjalët e tua japin jetë, përcjellin dritë de paqe!

21/11 E diel XXXIV K.Gj.V. KRISHTI MBRET I GJITHËSISË Viti C, [P]
2Sam 5,1-3; Ps 121; Kol 1,12-20; Lk 23,35-43
Sot do të jesh me mua në parriz Lk 23,43
Keqbërësi i dënuar të vdesë në kryq me ty e ka kuptuar se ti je mbreti i mbretërisë së Hyjit!
Ai të thërret në emër, duke treguar në këtë mënyrë një dashuri të madhe për ty, pa turpin që kanë patur deri edhe dishepujt e tu.
Dashuria për ty është shpëtim, shpëtim i mëkatarëve, shpëtim i dhënë nga Hyji për ata mëkatarë që njerëzit i dënojnë!
Jezus, le të të bjerë ndër mend edhe për mua mëkatarin!

22/11 E hënë XXXIV K.Gj.V. [II]
Sh. Çeçilia, virgjër dhe martire († rreth 250)
Zb 14,1-5; Ps 23; Lk 21,1-4
Kjo vejushë skamnore qiti më shumë se të gjithë Lk 21,3
Për të thënë këto gjëra, Jezusi duhet të kishte një kriter vlerësimi shumë të ndryshëm nga ai me të cilin jemi mësuar ne.
Ajo grua e ngratë nuk hodhi më shumë para se të tjerët, por hodhi më shumë dashuri, hodhi një dhuratë më domethënëse.
Do t'i japësh diçka Hyjit? Mos i jep diçka që ti as që e vë re...!

23/11 E martë XXXIV K.Gj.V. [II]
Sh. Klementi I, papë dhe martir († shek. I); Sh. Kolumbani, abat (†615)
Zb 14,14-19; Ps 95; Lk 21,5-11
Erdhi koha e të korrave Zb 14,15
Në vegimet e mistershme të shën Gjonit një engjëll shpall këto fjalë.
Koha e të korrave është koha për t'i mbledhur bijtë e Hyjit në mbretëri. Kjo kohë ka ardhur me ardhjen e Jezusit, që i mbledh ata që besojnë tek ai që të mos humbasin.
Me gëzim bashkohemi edhe ne në Kishën e tij!

24/11 E mërkurë XXXIV K.Gj.V. [II]
Shën Andrea Dung-Lac, meshtar, dhe shokët, martirë († shek. XVI-XVIII)
Zb 15,1-4; Ps 97; Lk 21,12-19
Të gjithë do t'ju urrejnë për shkak të emrit tim Lk 21,17
Jezusi flet shumë qartas. Duket sikur do të na e prishë mendjen që të mos e ndjekim, e pra këto fjalë krijojnë në ne një fryt të çuditshëm, na nxisin dëshirën për të qenë të tijtë krejtësisht përgjithmonë!
Jeta e martirëve tërheq vëmendjen tonë dhe dashurinë tonë: është e vërtetë sa thonin etërit: "Gjaku i martirëve është fara e të krishterëve të rinj!".

25/11 E enjte XXXIV K.Gj.V. [II]
Sh. Katerina e Aleksandrisë, virgjër dhe martire († shek. III-IV)
Zb 18,1-2.21-23; 19,1-3.9; Ps 99; Lk 21,20-28
Gjyqet e tij janë të vërteta dhe të drejta Zb 19,2
Le të gëzojmë dhe të jemi krenarë për çdo Fjalë të Hyjit tonë: ai nuk gabon kur krijon mendimet e veta që janë gjithnjë sipas dashurisë së tij të madhe për njerëzit: për këtë arsye janë të vërteta!
Dhe janë të drejta sepse me të njëjtën dashuri ai na justifikon, na bën sipas zemrës së tij!

26/11 E premte XXXIV K.Gj.V. [II]
Sh. Konradi
Zb 20,1-4.11 - 21,2; Ps 83; Lk 21,29-33
Qielli e toka do të zhduken, e fjalët e mia nuk do të bien poshtë Lk 21,33
Sa zhgënjime në jetë!
Shumë herë kam besuar se kam gjetur sigurinë duke vepruar sipas këshillës së përvojës sime, dhe e kam gjetur veten në errësirë dhe në dhimbje.
Kështu u soll Eva: ajo mendonte se gjërat e botës do ta lumturonin, dhe la të binte Fjala e Hyjit! Fjala e Hyjit: kjo është rruga që duhet ndjekur, ajo që na tregon Ati nëpërmjet mësimeve të Jezusit!

27/11 E shtunë XXXIV K.Gj.V. [II]
Sh. Valeriani, ipeshkëv († shek. IV)
Zb 22,1-7; Ps 94; Lk 21,34-36
Rrini zgjuar e lutuni në çdo moment Lk 21,36
Jezusi dëshiron të na shikojë në vend të sigurt.
Në këtë botë rreziqet janë të shumta, tundimet të vazhdueshme, mundësitë që të na e hedhin janë të përditshme.
Është e nevojshme që ne të rrimë zgjuar, të mos e lëmë veten të na joshë pamja e jashtme. Për të qëndruar zgjuar me qetësi dhe siguri është e nevojshme që të jemi të bashkuar me të, me Birin e Hyjit, nëpërmjet lutjes së vazhdueshme!

28/11 E diel I K.A. Viti A [I]
Sh. Jakobi i Markisë
Is 2,1-5; Ps 121; Rom 13,11-14; Mt 24,37-44
Rrini gati Mt 24, 44
E kemi mbyllur vitin liturgjik dhe tani fillojmë sërisht me të njëjtë porosi: "rrini gati!". Nuk mund të rehatohemi asnjëherë, të mendojmë se jemi të sigurt. Armiku ynë vazhdon të na ngrejë laqe, përpiqet të na rrëzojë në kurthet e veta. Do të qëndrojmë të bashkuar me Jezusin dhe do të ballafaqohemi vazhdimisht me vëllezërit. Në Kishë ai vazhdon të përhapë dritën e tij dhe të shpërndajë fuqinë e tij!

29/11 E hënë I K.A. [I]
Sh. Saturnini
Is 2,1-5; Ps 121; Mt 8,5-11
Do të vij dhe do ta shëroj Mt 8,7
Sa i bukur është ky vendim i Zotit Jezus!
Ai dëshiron të kujdeset për shërbëtorin e sëmurë, por nuk është e nevojshme që ta shohë për ta shëruar, sepse besimi dhe përvujtëria e të zotit janë kaq të bukura dhe kaq të mëdha saqë, sapo i paraqitet Jezusit, ky bën mrekullinë: "U bëftë sipas besimit tënd!".

30/11 E martë Sh. ANDREA, apostull [P]
Rom 10,9-18; Ps 18; Mt 4,18-22
Lanë rrjetat e shkuan pas tij Mt 4,20
Lënë rrjetat për të ndjekur Jezusin, lënë punën, siguritë shoqërore dhe ekonomike, kënaqësitë dhe ambiciet.
Është një iluzion? Do të zhgënjehen?
Ta lë ty përgjigjen kësaj here: ti mund të thuash se çfarë të ka ndodhur kur ke lënë diçka të rëndësishme për të ndjekur Jezusin!

BACK UP

HOME PAGE