2010 

1/12 E mërkurë I K.A. [I]
I Lumi Sharl de Fuko (†1916)
Is 25,6-10; Ps 22; Mt 15,29-37
Jezusi u ngjit në një mal e u ul të rrijë atje Mt 15,29
Për hebrenjtë "mali" nuk është një formim natyror çfarëdo: është një "mister", pra diçka që tregon dhe në të njëjtën kohë fsheh një realitet hyjnor. Në mal Hyji flet, Hyji zbulohet: ja misteri i malit. "Jezusi u ngjit në një mal e u ul të rrijë atje": atë ditë, në mal Jezusi i zbuloi turmës që e kërkonte fytyrën e Hyjit: Hyji është Ati që na do, na shëron, na ngushëllon; kjo është gostia e gëzimit të amshuar që e përgatit për ne!

2/12 E enjte I K.A. [I]
Sh. Bibiana
Is 26,1-6; Ps 117; Mt 7,21.24-27
Kushdo dëgjon... mund të krahasohet me njeriun e urtë Mt 7,24
Ai që nuk dëgjon borinë e një makine mund të përfundojë keq, ai që nuk dëgjon zërin e Hyjit... Duke dëgjuar Hyjin marr dritën për të tashmen, të shkuarën dhe të ardhmen, marr përgjigje për pyetjet e mia, marr orientimin për të evituar atë çka do ta shkatërronte jetën time, marr urtinë për ta realizuar plotësisht, marr gëzimin për t'u bërë dhuratë edhe për të tjerët, marr ngushëllim në mundime; vishen me domethënie edhe vuajtja ime dhe vdekja ime.

3/12 E premte I K.A. [I]
Sh. Françesk Saveri, meshtar († 1552)
Is 29,17-24; Psl 26; Mt 9,27-31
Do të shohin sytë e të verbërve Is 29,18
Është një profeci për Mesinë: populli hebraik e njihte. Jezusi e zbatoi: në fakt, gjatë jetës së tij tokësore, u hapi sytë të verbërve. Edhe i ringjallur Jezusi vazhdon ta bëjë këtë "shenjë": le të mendojmë për shën Palin dhe shumë vëllezër që cilët, të ndriçuar nga dhurata e besimit, kanë filluar një jetë të re...
Jezus, të falënderoj që i hape edhe sytë e mi, edhe pse unë jam më pak i rëndësishmi mes gjithë bijve të tu. Edhe unë pashë se ti je i gjallë dhe se fjala jote është e vërtetë!


4/12 E shtunë I K.A. [I]
Sh. Gjoni i Damaskut, meshtar dhe mësues († shek. VIII)
Is 30,19-21.23-26; Ps 146; Mt 9,35 - 10,1.6-8
Si pa turmën e popullit, ndjeu dhembshuri për të Mt 9,36
Duke parë turmën e popullit, të lodhur e të sfilitur si delet pa bari, Jezusi ndjeu dhembshuri sepse tek ai është e njëjta "zemër" e Atit që ndjen dhembshuri për mbarë njerëzimin. Pikërisht për këtë dashuri përvëluese Ati ka dërguar Jezusin, si dritë dhe prijës të sigurt për të gjithë bijtë e tij.

5/12 E diel II K.A. Viti A [II]
Is 11,1-10; Ps 71; Rom 15,4-9; Mt 3,1-12
Çdo lëndë që nuk jep fryt të mirë, pritet Mt 3,10
Kush më thotë se unë nuk jam mes këtyre? Sigurisht nuk mund të bazohem tek gjykimi që kam për veten, sepse unë nuk shoh qartë dhe drejt siç sheh Zoti. Po atëherë, të mbetem në dyshim dhe në frikë? Jo, udha e sigurt është të pranoj Jezusin dhe të braktisem me përvujtëri tek ai: Jezus, ti e sheh varfërinë time; më ndihmo të qëndroj i bashkuar me ty dhe ta lë veten të udhëhiqem nga ti që ti të mund të japësh fryte në jetën time!

6/12 E hënë II K.A. [II]
Sh. Nikolla, ipeshkëv († shek. IV)
Is 35,1-10; Ps 84; Lk 5,17-26
Frikë mos kini! Ja, Hyji juaj! Is 35,4

Zbulimi më i bukur i jetës është që Zoti na do: herën e parë që e kuptojmë është një hir që ndryshon jetën tonë, që na bën të kalojmë nga frika tek besimi dhe tek paqja. Dhe në çdo takim me të në Rrëfim Jezusi sërish fshin frikën tonë, na rijep jetë me dritën e lavdishme të paqes së tij, që buron gjithnjë nga kryqi i tij.

7/12 E martë II K.A. [II]
Sh. Ambrozi, ipeshkëv dhe mësues († 397)
Is 40,1-11; Ps 95; Mt 18,12-14
Kështu as Ati juaj që është në qiell nuk do të tresë asnjë ndër këta të vegjlit Mt 18,14
Duke parë Atin ne mundemi vetëm të mësojmë dhe të marrim dashuri: të njëjtën dashuri që e ka bërë të krijojë çdo njeri për t'i dhënë jetën e tij, dhe më pas të ofrojë Birin e vetë të Njëlindur për ta shpëtuar. Sa bukur është të jemi bijtë e Atit qiellor dhe të jemi dashuri për çdo njeri
!

8/12 E mërkurë ZOJA E PAPËRLYER [P]
Zan 3,9-15.20; Ps 97; Ef 1,3-6.11-12; Lk 1,26-38
Ke gjetur hir para Hyjit Lk 1,30
Sot falënderojmë Atin që të ka bërë të pastër, o Mari, që të ka ruajtur nga ndikimi i krenarisë i Adamit.
Ti, duke iu bindur, ke ruajtur pastërtinë e zemrës sate dhe në këtë mënyrë e përlavdëron Atë. Për këtë arsye ne të nderojmë dhe të kërkojmë të na ndihmosh që të rigjejmë përvujtërinë dhe bindjen ndaj Hyjit!

9/12 E enjte II K.A. [II]
Sh. Gjon Didak Kuahtlatoatzin (shek. XVI)
Is 41,13-20; Ps 144; Mt 11,11-15
E ti do të gëzohesh në Zotin Is 41,16
Është premtimi për të varfërit që kanë besim tek Hyji. Ai e dëgjon britmën e vuajtjes së tyre, edhe kur kjo zgjat shumë. Nuk duhet ta humbasim kurrë shpresën, nuk duhet të mendojmë kurrë se Hyji na ka harruar. Ai përgatit për ne një gëzim më të madh nga sa ne mund ta marrim me mend!

10/12 E premte II K.A. [II]
Zoja e Loretos (Loreta)
Is 48,17-19; Ps 1; Mt 11,16-19
Erdhi Biri i njeriut ... miku i mëkatarëve! Mt 11,19
Faleminderit, Jezus, që ke treguar gjithmonë dashuri dhe kujdes atëror për mëkatarët! Dhe për këtë arsye edhe unë të afrohem ty gjithnjë me besim; dhe për këtë arsye, kur më jepet rasti, i tregoj me gëzim për mikun dhe shpëtimtarin e vërtetë që je ti, atij që për shkak të mëkateve të veta, gjendet në mjerim: edhe ai ka lindur nga zemra e Atit, ti e do atë! Faleminderit Jezus, që ende vjen me gëzim mes nesh mëkatarëve!

11/12 E shtunë II K.A. [II]
Sh. Damazi, papë (†384)
Sir 48,1-4.9-11; Ps 79; Mt 17,10-13
Fjala e tij digjte si flakadan Sir 48,1
Jezusi, që e donte Atin, e kuptoi lehtë se kthimi i Elisë i shpallur nga profetët për kohën e Mesisë ishte realizuar me Gjon Pagëzorin, i mbushur me shpirtin profetik. Duke ushqyer një marrëdhënie të thjeshtë dhe të vazhdueshme me Atin tonë qiellor dhe me Jezusin, edhe ne do të mbërrijmë gati pa e kuptuar tek njohja shpirtërore e Shkrimit Shenjt dhe do të dimë të nxjerrim prej tij jetë, ngushëllim, fuqi, urti.

12/12 E diel III K.A. Viti A [III]
Is 35,1-6.8.10; Ps 145; Jak 5,7-10; Mt 11,2-11
Më i vogli në Mbretërinë e qiellit është më i madh se ai Mt 11,11
Më i vogli në mbretërinë e qiejve, thotë Jezusi, është më i madh se Gjon Pagëzori. Këtë nuk e thotë për të përçmuar Pagëzorin, por për të zbuluar dinjitetin e madh që ai (Jezusi) i jep atij që, duke ndjekur rrugën e përgatitur nga Pagëzori, e pranon atë si Shpëtimtar. Kush pranon Jezusin bëhet një gjë e vetme me të që është Biri i Hyjit, bëhet bir në Birin: pra e gjen veten në mbretërinë e qiejve, sepse në zemrën e tij mbretëron Ati.

13/12 E hënë III K.A. [III]
Sh. Luçia, virgjër dhe martire († rreth 404)
Nr 24,2-7.15-17; Ps 24; Mt 21,23-2 7
I rrëmbyer prej Shpirtit të Hyjit Nr 24,2
Shpirti Shenjt i vë në buzë një të huaji, Balaamit, një lavd të popullit të Izraelit dhe një profeci për ardhjen e Mesisë: "një Yll po lind prej Jakobit, një skeptër po ngallit prej Izraelit". Ky fakt na flet për gjithpushtetshmërinë dhe për lirinë e Hyjit tonë: ai mund të përdorë gjithkënd për të na përcjellë Fjalën e tij! Le të jemi pra të përvujtur dhe të kujdesshëm me çdo njeri: Hyji mund të më flasë nëpërmjet tij.

14/12 E martë III K.A. [III]
Sh. Gjoni i Kryqit, meshtar dhe mësues (†1591)
Sof 3,1-2.9-13; Ps 33; Mt 21,28-32
Ju nuk u penduat për t'i besuar Mt 21,32
Me hidhërim Jezusi duhet të qortojë ata që nuk e kanë marrë seriozisht ftesën e Gjon Pagëzorit. Është një qortim që prek thellë edhe krenarinë time: sa herë dëgjoj ftesa për të ndryshuar ndonjë qëndrim timin dhe nuk bëj asgjë, i lë fjalët të rrjedhin edhe pse e di se vjen nga Zoti, dhe çdo vit jam po prapë njësoj si një vit më parë!

15/12 E mërkurë III K.A. [III]
Sh. Kristina
Is 45,6-8.18.21-25; Ps 84; Lk 7,19-23
Jezusi shumë të verbërve u dhuroi dritën e syve Lk 7,21
Një nga veprat që profetët e Izraelit i vishnin Mesisë që do dërgonte Hyji ishte dhënia e shikimit të verbërve. Ata persona nga populli që e njihnin Shkrimin e Shenjt dhe e pranonin me përvujtëri dhe zemër të pastër, lehtësisht mund të shikonin tek Jezusi të dërguarin e Hyjit.
Le ta lexojmë edhe ne me dashuri Shkrimin e Shenjtë, le ta përsiasim, le të përpiqemi të jetojmë mësimet e tij: do ta gjejmë veten të mbudhur në një rrugë të mrekullueshme të njohjes së Zotit Jezus.

16/12 E enjte III K.A. [III]
Sh. Albina
Is 54,1-10; Ps 29; Lk 7,24-30
Krijuesi yt do të jetë fati yt Is 54,5
Jo vetëm ne të krishterët dhe vëllezërit tanë më të mëdhenj hebrenjtë, por edhe ata që i përkasin ndonjë tjetër besimi fetar besojnë se Hyji është krijues. Por vetëm në Besëlidhjen e Vjetër, trashëgimi e përbashkët me hebrenjtë dhe në Ungjill gjejmë shprehje kaq të forta dhe ... "skandaloze" për të shprehur dashurinë që Hyji ushqen për krijesat e veta: dhëndër, Atë. Faleminderit, Hyji im, që më ke krijuar për të më mbushur me dashurinë tënde të mishëruar në Jezusin!

17/12 E premte para Krishtlindjes [P]
Sh. Lazri
Zan 49,2.8-10; Ps 71; Mt 1,1-17
… prej së cilës lindi Jezusi që quhet Krisht Mt 1,16
Sot me Shën Mateun dëgjojmë gjenealogjinë e Jezusit. Na thotë pra se Jezusi është njeri i vërtetë, i ardhur në jetë si ne, duke mbartur trashëgiminë e shumë mëkatarëve. Ai është "Jezusi", pra Shpëtimtari; quhet "Krisht", sepse është i shuguruari i Hyjit: me ardhjen e tij ai shenjtëron njerëzimin dhe na shpëton nga pesha e mëkatit, peshë nga e cila askush tjetër nuk mund të na çlirojë.

18/12 E shtunë para Krishtlindjes [P]
Sh. Graciani
Jer 23,5-8; Ps 71; Mt 1,18-24
Ndër ato ditë Juda do shpëtojë Jer 23,6
Është një nga profecitë në lidhje me Mesinë, që kumbojnë në një kohë vuajtjesh të mëdha për popullin e Hyjit. Juda është një nga dymbëdhjetë fiset, fisi që duhet të japë mbretin që do të mbretërojë në amshim. Kur të vijë "Filizi i duhur", atëherë do mund të gëzohet shpëtimi. Ky është Jezusi, i njëjti Jezus që ne e presim ende, pasi kemi shijuar më parë praninë e tij. E presim, sepse ende nuk e kemi pranuar plotësisht!

19/12 E diel IV K.A. Viti A [IV]
Is 7,10-14; Ps 23; Rom 1,1-7; Mt 1,18-24
Jozefi mendoi ta lëshojë fshehtazi Mt 1,19
Maria dhe Jozefi janë personat që i shohim të pranishëm në skenat që na paraqet Ungjilli gjatë këtyre ditëve; le të ndalemi për t'i vështruar me sytë e zemrës: ata janë vërtet të dashur, ëmbëlsisht mund të mësojmë shumë prej tyre!
Maria dhe Jozefi nuk vënë asgjë para Atit dhe vullnetit të tij: këtë e kërkojnë me pastërtinë e zemrës, edhe pse duke paguar çmimin e mundimit. Ati i sheh dhe i vlerëson, duke ndërhyrë me forcë në jetën e tyre, duke u dhënë atyre paqen.

20/12 E hënë para Krishtlindjes [P]
Sh. Eugeni
Is 7,10-14; Ps 23; Lk 1,26-38
Zoti me ty! Lk 1,28
Në këtë mënyrë e përshëndeti Engjëlli Marinë: për të ishte një çast "i rëndësishëm!". Ndonjëherë edhe mua më rastis të përshëndes dikë me këto fjalë: "Zoti është me ty!". Ndodh zakonisht kur kam përballë një vëlla që vuan apo dikë që po niset për një shërbim të rëndësishëm. Besoj se Jezusi, në mirësinë e vet, e prano si lutje edhe përshëndetjen time, dhe më dëgjon.

21/12 E martë para Krishtlindjes [P]
Sh. Pjetër Kanizi, meshtar dhe mësues (†1597)
Kk 2,8-14; Ps 32; Lk 1,39-45
Ja, zëri i të dashurit tim! Kk 2,8
Misteri i Krishtlindjes është misteri i Hyjit tonë që vjen në mes tonë, si njëri prej nesh, për të qëndruar gjithnjë me ne për të na dashur, për të na shpëtuar. Shpirti Shenjt, ruaje sot secilin prej nesh dhe mbarë Kishën në një atmosferë lutjeje që të mund ta njohim Jezusin në ardhjen e tij të afërt: do të jetojmë gëzimin e vërtetë të Krishtlindjes!

22/12 E mërkurë para Krishtlindjes [P]
1Sam 1,24-28; 1Sam 2,1.4-8; Lk 1,46-55
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet Lk 1,54
Tipari dallues i Hyjit tonë është se është një Hyj që do ta ndihmojë njerëzimin dhe bën gjithçka për ta shpëtuar. Që në fillim i premton ndërhyrjen e vet shpëtimsjellës Abrahamit dhe popullit të Izraelit; më pas, për ta realizuar këtë premtim për të gjithë njerëzit, bëhet deri njeri; jo vetëm: arrin deri aty sa e lë veten të kryqëzohet për të mposhtur vdekjen.
Zoti im, çfarë mund të bëje më tepër për të më ardhur në ndihmë?

23/12 E enjte para Krishtlindjes [P]
Sh. Gjoni nga Kety, meshtar (†1473)
Mal 3,1-4.23-24; Ps 24; Lk 1,57-66
Fliste dhe lëvdonte Hyjin Lk 1,64
Ta bekoj Zotin, ta falënderoj e ta lavdëroj: kjo duhet të jetë sjellja ime gjithmonë. Veçanërisht gjatë këtyre ditëve në të cilat kundroj Mishërimin e Birit të Hyjit, do të përpiqem t'i ngjaj Zakarisë që "fliste dhe lëvdonte Hyjin". Nëse ndalem për të menduar, për sa gjëra mund ta falënderoj edhe unë Zotin duke folur përditë me njerëzit që takoj!

24/12 E premte Vigjilja e Krishtlindjes [P]
2Sam 7,1-5.8-12.16; Ps 88; Lk 1,67-79
Do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin Lk 1,78
Zakaria po falënderon dhe po bekon Hyjin për lindjen e birit të vet Gjon. Gjatë kësaj lutjeje frymëzohet që të shpallë atë që Gjoni do ta tregojë si të pranishëm në botë: "diellin" që zbret nga qielli! Jezusi është "dielli" që ndriçon, ngroh, jep jetë dhe gëzon mbarë gjithësinë.

25/12 E shtunë KRISHTLINDJA [P]
Nata: Is 9,1-3.5.6; Ps 95; Tit 2,11-14; Lk 2,1-14
Dita: Is 52,7-10; Ps 97; Heb 1,1-6; Gjn 1,1-18
E Fjala u bë njeri e banoi ndër ne Gjn 1,14
Fjala, Fjala e Hyjit, u bë njeri. Hyji nuk na flet me fjalë, por me jetën e një njeriu që mishëron gjithë dashurinë e Atit! Jezus, eja: kur ti je me mua, unë e di se Hyji më do dhe nuk kam nevojë për asgjë tjetër. Kur ti je me ne, jemi në bashkim me njëri-tjetrin dhe jeta jonë është e plotësuar!

26/12 E diel FAMILJA E SHENJTË Viti A [P]
Sir 3,2-6.12-14; Ps 127; Kol 3,12-21; Mt 2,13-15.19-23
Paqja e Krishtit mbretëroftë në zemrat tuaja Kol 3,15
Shumë vetë ankohen për faktin që familja e tyre është kthyer në një hotel, apo në një burg. Çfarë ka ndodhur? Nuk i është kushtuar vëmendje ruajtjes në shtëpi të pranisë së Jezusit që është paqja e vërtetë. Burri dhe gruaja nuk e kanë ndihmuar njëri-tjetrin dhe nuk i kanë ndihmuar fëmijët që të ushqejnë miqësinë me Jezusin. Pa të rritet egoizmi që përpiqet të shfrytëzojë cilësitë e mira të tjetrit; ndërsa me të lind përvujtëria dhe kujdesi i ndërsjellë.

27/12 E hënë Sh. Gjoni, apostull dhe ungjilltar [P]
1Gjn 1,1-4; Ps 96; Gjn 20,2-8
Bashkimi ynë është me Atin dhe me Birin e tij, Jezu Krishtin 1Gjn 1,3
Bashkimi që jetojmë ne të krishterët mes nesh nuk është thjesht të paturit e interesave dhe qëllimeve të "përbashkëta" si të ishim një organizatë apo një shoqatë e rëndomtë, por është bashkimi vepër e Hyjit. Është bashkimi që vetë Jezusi i ka kërkuar Atit për ne: "Ashtu si ti, o Atë, je në mua, po kështu edhe ata të jenë në ne një gjë e vetme". Bashkimi ynë është uniteti i realizuar nga Shpirti Shenjt që na mban të gjithë të bashkuar në Atin dhe në Jezusin.

28/12 E martë SHENJTËRIT E PAFAJSHËM, martirë [P]
1Gjn 1,5 - 2,2; Ps 123; Mt 2,13-18
Hyji është dritë dhe në Të nuk ka kurrfarë errësire! 1Gjn 1,5
Pikërisht gjatë kohës së Lindjes së Zotit tonë kremtojmë Festën e Shenjtërve të Pafajshëm. Po, Zot Jezus: ti vjen gjithnjë në botë si dritë; dhe në botë gjen armikun tënd, armikun e njeriut, atin e errësirës dhe të gënjeshtrës. Gjaku yt i çmuar, Zot Jezus, në të cilin edhe të Pafajshmit e vegjël, martirë, qenë fitimtarë, na mbroftë gjithmonë dhe na bëftë dëshmitarë të dritës sate!

29/12 E mërkurë Dita V e Tetëditëshit [P]
Sh. Toma Beket, ipeshkëv dhe martir († 1170)
1Gjn 2,3-11; Ps 95; Lk 2,22-35
Në të ishte Shpirti Shenjt Lk 2,25
Shpirti Shenjt nuk është vetëm për profetët apo për të drejtët e Izraelit, dhe Simoni, për të cilin flet Ungjilli sot, ishte një prej tyre.
Shpirti Shenjt është dhurata që Jezusi u bën të gjithëve atyre që e pranojnë, që besojnë tek ai duke u përpjekur t'i binden. Edhe ne, pra, që jemi të Jezusit, mund ta kemi këtë besim të përvujtur, por të sigurt: Shpirti Shenjt është me ne; ai na udhëheq, na mbështet, na kujton fjalët e Jezusit.

30/12 E enjte Dita VI e Tetëditëshit [P]
Sh. Sabini
1Gjn 2,12-17; Ps 95; Lk 2,36-40
Fjala e Hyjit është në ju 1Gjn 2,14
Është lavd i dalë nga goja e apostullit më të dashur nga Zoti për ju, të rinj: "Fjala e Hyjit është në ju!". Është kjo Fjalë, është mësimi i Jezusit, që ju e ruani në zemër dhe e jetoni me dashuri, edhe pse ju kushton luftë të brendshme, që ju bën fitimtarë, të qetë dhe të fortë në shpalljen e Jezusit Shpëtimtar! Kisha, Nëna juaj, që ju do me të njëjtën dashuri të Jezusit, ju falënderon!

31/12 E premte Dita VII e Tetëditëshit [P]
Sh. Silvestri I, papë ((† 355)
1Gjn 2,18-21; Ps 95; Gjn 1,1-18
Erdhi ndër të vetët, e të tijtë nuk e pranuan Gjn 1,11
Përfundon sot një vit i historisë sonë: një vit gjatë të cilit jemi përpjekur ta presim Jezusin përmes vëmendjes ndaj Fjalës së tij dhe bindjes ndaj mësimeve të tij.
E falënderojmë që na ka shoqëruar ditë pas dite dhe që i ka dhënë jetës sonë një domethënie që shkon përtej asaj që shfaqet: ajo ka qenë ena e dashurisë së Hyjit, dhurata e tij për çdo person që kemi takuar!

BACK UP

HOME PAGE